Ekonomia

Taksa e pasurisë do të ndryshojë, nuk do të llogaritet mbi sipërfaqen

Nga Artemisa Hoxha

Strategjia finale për decentralizimin dhe qeverisjen vendore për pesë vitet e ardhshme të miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, përfshinë edhe politikat fiskale që pritet të realizohen nga qeveria deri në vitin 2020 në 61 bashkitë dhe njësitë administrative. Drafti final përcakton se qeverisja vendore do të jetë aktor kryesor në mbështetjen e zhvillimit ekonomik vendor, duke i dhënë kompetenca dhe instrumente konkrete që nxisin sipërmarrjen dhe investimet, ku me rëndësi do të jetë pikërisht klima vendore e biznesit, e cila do të  mbështetet me nisma konkrete dhe investime publike që lehtësojnë thithjen e investimeve nga biznesi. Qëllimi kryesor i reformave të decentralizimit fiskal do të jetë mbështetja financiare e programeve të qeverisjes vendore, të krijojë mundësi që qeveritë vendore të kenë më shumë burime financiare, në mënyrë që ato të kryejnë funksionet dhe kompetencat e tyre në mënyrë efikase dhe të qëndrueshme, për këtë synohet të arrihet forcimi i financave vendore dhe rritja e autonomisë fiskale. “Autonomia vendore fiskale dhe financiare: Rishikimi dhe miratimi i legjislacionit përkatës, si projektligji “Për financat vendore”, Ligji Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore dhe Ligji për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor, do të bëhen me qëllim që të përcaktohet përputhshmëria e tyre me Kartën Europiane për Vetëqeverisjen Vendore, për të përcaktuar bazën dhe nivelin e taksave dhe tarifave vendore në përputhje me legjislacionin tatimor”, thuhet në draft.

Rishikimi i taksave

Me qëllim që të sigurohen burimet e duhura financiare për qeverisjen vendore, në legjislacionin për financat vendore do të rishikohet taksa mbi tokën urbane dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë, si edhe disa instrumente të tjera financiare (taksa, tarifa, kontribute etj.) “Në përgjithësi, normat treguese të taksave të përcaktuara me ligj do të rishikohen dhe NJQV do t’u jepet më shumë liri veprimi për përcaktimin e nivelit dhe bazës së taksës (në varësi të llojit të taksës). Do të prezantohen rregullat specifike për llogaritjen e tarifave vendore”, thuhet në draft. Për këtë, qeveria ka menduar që do të vendoset sistemi i taksave të ndara kombëtare, në përputhje me praktikat më të mira europiane dhe do të rishikohet çdo dy vjet mjaftueshmëria e burimeve financiare për të kryer funksionet e përcaktuara me ligj. Në të njëjtën kohë autoriteteve vendore nuk do t’u vendosen kufizime në përdorimin e të ardhurave të veta, si dhe do të kenë lirinë të bëjnë shpenzime edhe për funksione apo projekte jashtë kompetencës së tyre, por brenda interesit publik vendor. Zbatimi i taksës së pasurisë është një tjetër nismë që pritet të ndërmerret nga pushteti vendor, ku sipas draftit të qeverisë taksa e pasurisë do t’i nënshtrohet një reformimi rrënjësor, duke ndryshuar parimin kryesor të kësaj takse nga një taksë mbi bazë sipërfaqen në një taksë mbi bazë vlerën e pasurisë së paluajtshme. Reforma do të prekë të gjithë komponentët e taksës përfshirë krijimin e një kadastre fiskale të posaçme për këtë taksë. Si rezultat i reformës në taksën e pasurisë parashikohet që në një periudhë afatmesme ajo të jetë burimi kryesor i të ardhurave të veta të qeverisjes vendore.

Të ardhurat

Përveç rishikimit dhe miratimit të legjislacionit, në draftin final të qeverisë thuhet se do të ndërmerren masa të rëndësishme për rritjen e kapaciteteve për mbledhjen e taksave të njësive të qeverisjes vendore. Për sa u përket të ardhurave të përbashkëta, sipas strategjisë së decentralizimit fiskal do të ndërmerren nisma të rëndësishme ligjore, përfshirë këtu edhe hartimin e një ligji të ri integral për financimin e qeverisjes vendore, hartimin e një pakete të re fiskale të decentralizimit që do të aplikojë konceptin e ndarjes së taksave kombëtare. Do të studiohen mundësitë e taksave të reja të përbashkëta (taksa e automjeteve është tashmë një taksë të përbashkët), duke marrë në konsideratë barazinë në shpërndarje. Ajo që pritet të ketë ndërhyrje është dhe pjesa e transfertave ndërqeveritare. “Do të rishikohet kuadri ligjor për të përmirësuar kriteret për ndarjen e transfertave të granteve për pushtetin vendor. Rregullat për barazimin vertikal dhe horizontal dhe rregullat fiskale që synojnë të sigurojnë disiplinën fiskale në nivel vendor do të përfshihen në legjislacion”, thuhet në draft. Rishikim pritet që të ketë edhe kuadri ligjor për huamarrjen vendore, kjo për të përmirësuar situatën në lidhje me kapacitetin e qeverive vendore dhe për të marrë hua me qëllim financimin e projekteve të infrastrukturës. Kjo reformë do të lidhet me forcimin e kapaciteteve të brendshme të auditimit të NJQV dhe identifikimin e problemeve të kontabilitetit në nivel vendor, mbi bazën e të cilave do të përgatitet paketa e masave për trajtimin e tyre.

Reformimi i sistemit të të ardhurave vendore:

Praktikat më të mira të menaxhimit financiar në nivelin vendor do të shoqërohen me rritjen e llogaridhënies dhe kontrollin financiar për të shmangur abuzimet dhe korrupsionin në nivel vendor. Do të rishikohen rregullat financiare për të shmangur akumulimin e borxheve të deklaruara apo të fshehura.

Urbanistika

Planifikimi i territorit, bashkitë do të japin lejet

Planifikimi i territorit do të vazhdojë të jetë një funksion i qeverisjes vendore. Në përputhje me planet strategjike të zhvillimit, çdo bashki do të hartojë dhe miratojë planet territoriale që do të jenë në harmoni me planet rajonale dhe me Planin e Përgjithshëm Kombëtar. Ligji i ri për planifikimin e territorit i jep kompetencë bashkive dhe qarqeve për hartimin dhe miratimin e planeve të zhvillimit të territorit dhe lejeve të zhvillimit. Në zbatim të reformës territoriale do të rishikohen planet ekzistuese të zhvillimit të territorit. Do të sigurohet mbështetje financiare për autoritetet vendore për rishikimin e të gjitha planeve të tyre territoriale dhe bazën e të dhënave të krijuara për territorin e tyre.

Banesat

Për strehimin social, mbështetje te sektori privat

Strehimi social do të reformohet në harmoni me strategjinë e re të strehimit. NJQV-të do të nxiten për të krijuar bashkëpunime me sektorin privat dhe/ose jofitimprurës për të siguruar një strehim të përballueshëm për shtresat në nevojë, duke ofruar lehtësi fiskale dhe troje publike për strehim social. Çdo bashki e re do të ketë planet 10-vjeçare të strehimit social dhe do të planifikojë fondet specifike për këtë funksion. Qeveria qendrore do të vijojë politikën e investimeve nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave duke plotësuar kërkesat në rritje të bashkive. Kapacitetet e bashkive për administrimin e kërkesave për strehim social dhe menaxhimin e stokut të banesave sociale do jenë objektiv për t’u mbështetur në periudhën afatmesme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button