Tanushi në protestë: të rishikohet Kushtetuta, kryeministri jo më shumë se dy mandate dhe lista të hapura
Gjatë protestës në Tiranë, avokati Lulzim Tanushi prezantoi kërkesat e një grupi aktivistësh të rinj: rishikim të Kushtetutës, mandat të kryeministrit jo më shumë se tetë vjet dhe rikthim të proporcionalit kombëtar me lista të hapura.
Protesta e qytetarëve dhe studentëve kundër qeverisë ka vijuar në Tiranë, ndërsa protestuesit u zhvendosën në Sheshin Skënderbej. Gjatë tubimit, avokati Lulzim Tanushi prezantoi disa prej kërkesave të një grupi aktivistësh të rinj, të cilat lidhen me ndryshimin e sistemit politik përmes rishikimit të Kushtetutës, siç njofton BalkanWeb.
Tanushi deklaroi se nisma synon kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, përkatësisht tetë vjet, si dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke rikthyer proporcionalin kombëtar me lista të hapura.
“Ne, një grup aktivistësh të rinj, kemi kërkuar ndryshimin e sistemit, që bëhet përmes ndryshimit të Kushtetutës. Duhet të kërkojmë rishikimin e Kushtetutës për të ndryshuar sistemin. Kërkuam rishikimin e Kushtetutës në disa drejtime: që mandati i kryeministrit të mos jetë më shumë se tetë vite”, deklaroi Tanushi.
Sipas tij, sistemi zgjedhor u deformua më 2008 dhe aktivistët kërkojnë që ai të kthehet në proporcional kombëtar dhe me lista të hapura, në mënyrë që vullneti i popullit të reflektohet në parlament. Nisma, siç tha avokati, synon të rikthejë shtetin e së drejtës dhe demokracinë përfaqësuese reale.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.