Ekonomia

TAP: Shqipëria ende pa kuota gazi

Pritshmëritë e Tiranës zyrtare janë të larta ndaj gazsjellësit TAP, aq më tepër që ai gëzon mbështetjen e fortë të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në të ndërthuren çështjet ekonomike dhe ato gjeostrategjike. Në rreth 53,000 tuba dhe 878 kilometra do të kalojë më shumë se gaz. Por, Shqipëria, e cila renditet për herë të parë si e barabartë mes të barabartëve, ende nuk i ka vënë të gjitha pikat e saj mbi “i”. Ajo nuk ka përcaktuar ende kuotat e saj të gazit. Ndërtimi ka nisur zyrtarisht për atë që njihet si një ndërlidhje tejet e rëndësishme për Korridorin Jugor të Gazit, një projekt i përmasave të mëdha, 45 miliardë dollarë që do të furnizojë me gaz nga Deti Kaspik Europën dhe do të reduktojnë importet ruse.

Prezenca e 300 zyrtarëve të lartë në Selanik të Greqisë ku u zhvillua ceremonia e inaugurimit, si nga SHBA, BE-ja, Gjeorgjia, Turqia, Shqipëria, Italia, Zvicra tregoi sesa rëndësi ka projekti i gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (TAP) i cili parashikohet të transportojë gaz nga kufiri turko-grek përgjatë Greqisë, Shqipërisë, detit Adriatik dhe duke u futur nën ujë për të dalë në pjesën jugore të Italisë.

TAP do të lidhet me TANAP (Trans Anatolian Pipeline) që do të sjellë gaz nga fusha e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Detin Kaspik, përfshirë këtu edhe interkonjeksionin e planifikuar IGB mes Greqisë dhe Bullgarisë që do të shpërndajë gaz në Europën Juglindore. Korridori Jugor konsiderohet si projekti më i rëndësishëm i BE-së për diversifikimin e burimeve të furnizimit me energji dhe dërgimin e gazit në burime të reja. Nisja e punimeve të TAP është fryt i përpjekjeve disavjeçare për të gjetur projektin komercial më efikas që do të bënte të mundur përcjelljen e gazit natyror përmes Kaukazit dhe Turqisë, që pasoi një plan më të hershëm siç ishte Nabucco.

Brukseli ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të promovuar një projekt europian, i cili do të konkurronte alternativat ruse të furnizimit me gaz, përfshi këtu edhe atë kontroversal Nord Stream 2 që do ta kalonte nën Detin Baltik në territorin gjerman. “Kur bëhet fjalë për Korridorin Jugor të Gazit, atëherë flitet për diversifikim real”, u shpreh zëvendëspresidenti i Bashkimit Europian për Bashkimin Energjetik, Maroš Šefčovič, në një intervistë të posaçme për Financial Times pas ceremonisë së inaugurimit që u zhvillua në Selanik, e ku pati edhe firmosjen simbolike nga aktorët kryesorë të veshjes së një tubi. “Është një burim i ri, janë furnizues të rinj, një rrugë e re, molekula të reja gazi”. Sefcovic shtoi se TAP do të shërbejë si një mundësi e re ndërlidhjeje për furnizues të rinj. “Është një projekt i ngritur në një hapësirë tepër strategjike, shumë të pasur me hidrokarbon, shumë afër me Turkmenistanin, Iranin, Irakun Verior. “Jam i bindur se ata që po zhvillojnë fushat e gazit në Izrael, Egjipt ose Qipro po e shohin këtë gazsjellës si një rrugë potenciale për transport”.

Sasia e parë e gazit është parashikuar të mbërrijë në Turqi në 2019-n dhe në Europë në 2020-n.

Banka për Rindërtim dhe Zhvillim po konsideron mundësinë e financimit me 1.5 miliardë euro për TAP. Rreth 500 milionë euro do të jenë para direkte nga kjo bankë, kredia më e madhe e vetme e dhënë ndonjëherë nga BERZH. Pjesa tjetër sipas Riçardo Pulitit, menaxherit për energjinë në këtë bankë do të merret si kredi sindikale. Nga ana tjetër BEI, Banka Europiane e Investimeve, parashikon që të kreditojë 2 miliardë euro. Pjesa tjetër e investimit do të mbulohet nga partnerët e TAP, përfshirë këtu: BP, SOCA e Azerbajxhanit, italianen Snam, si dhe agjencitë e tjera kredituese. Puliti thotë se projekti ka arritur të sigurojë mbështetjen e plotë financiare.

Rusia gjithashtu nuk ka hequr dorë nga ideja e futjes së gazit të saj në territorin e Europës Juglindore, ku një prej sfidave ishte ajo e 2014-s me South Stream që do të kalonte nga Bullgaria. Zëvendësimi i South Stream me TurkStream “ngriu” me acarimin e marrëdhënieve me Turqinë. Vitin e kaluar, Rusia nënshkroi një marrëveshje me Greqinë për të ndërtuar South European Pipeline (Poseidon) që parashikonte të sillte gaz nga Gazpromi në Europë duke filluar nga 2018-a.

Pjesëmarrja e kryeministrit Tsipras në ceremoninë e TAP theksoi zgjerimin e politikës së qeverisë së tij të majtë pas marrëveshjes së vitit të kaluar me Rusinë, e cila është furnizuesja kryesore e Greqisë.

“Projekti TAP do ta shndërrojë Greqinë në shpërndarëse rajonale të gazit dhe do të shërbejë për të forcuar lidhjet tona me Shqipërinë”, tha një zëdhënës i qeverisë greke.

Greqia gjithashtu mbështet të ashtuquajturin Gazsjellësi i Europës së Jugut, si pjesë e politikës së gjerë, të jashtme thonë zyrtarët e qeverisë.

Në muajin shkurt, kompania greke Depa dhe grupi Edison e Italisë nënshkruan një memorandum mirëkuptimi me Gazprom për zhvillimin e projektit Posedion. Ajo do të diskutohet gjatë një vizite në Greqi nga Presidenti rus, Vladimir Putin, po këtë muaj. Rusia ka promovuar gjithashtu fuqishëm Nord Stream 2. Por z. Šefčovič paralajmëroi se ndryshe nga Korridori Jugor, gazsjellësi rus Baltik që propozohet mund të zvogëlojë numrin e rrugëve të furnizimit në Europë, pas deklaratave të përsëritura nga Rusia se ajo do të mbyllë rrugën transit nëpër Ukrainë.

“Me Nord Stream 2, problemi kryesor është kapaciteti, rruga dhe politika e përfshirë në të”,- tha ai. “Mund të përfundojë që nga tre tubacione tranzit (nga Rusia) në Europë të ketë një të tillë.

Ian Bradshaw, drejtor menaxhues i TAP-it, tha: “Pasi dolëm fitues me ofertën tonë në vitin 2013 dhe pasi kemi punuar me përkushtim për t’u përgatitur për këtë moment, jemi me të vërtetë të gëzuar që kemi nisur ndërtimin e gazsjellësit. Ky është një projekt strategjik për Europën që do të transportojë burime të reja gazi Kaspik përmes një rruge të re, duke nisur nga viti 2020 dhe duke vazhduar për shumë vite.

Përkushtimi ynë ndaj këtij projekti, së bashku me mbështetjen e të gjitha palëve të pranishme këtu sot, do të bëjë të mundur që ne të furnizojmë tregjet europiane me gaz sipas afatit të përcaktuar, duke sjellë përfitime të rëndësishme ekonomike si për vendet nga do të kalojë gazsjellësi, edhe për vendet ku do të shitet gazi Kaspik. TAP-i do të ndihmojë gjithashtu me integrimin dhe diversifikimin e furnizimit të Europës me energji, duke dhënë një kontribut me rëndësi për përmirësimin e sigurisë”.

Nga ana tjetër, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) po reagon ndaj ndryshimit të çmimit botëror të naftës.

Sipas z. Bradshaw, luhatjet e çmimit të naftës dhe gazit do të ndikojnë në koston e të gjithë operacioneve, përfshi edhe ato me kontraktorët dhe nënkontraktuesit. “TAP nuk do të ndryshojë. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë ekzekutimin e projektit TAP me kontrollin shembullor të kostove”, shtoi ai.

Sipas drejtorit menaxhues të TAP, në terma më makro, industria e energjisë është në një gjatësi vale me ciklet e çmimit të naftës. “Si i tillë, projekti ynë mbështetet nga marrëveshjet afatgjata të transportit të gazit për 25 vjet, të cilat janë të miratuara dhe të nënshkruara nga ana e blerësit dhe transportuesit e gazit nga Shah Deniz, që nga shtatori i vitit 2013″, – tha Bradshaw.

Por, Bradshaw nuk e zbuloi koston e projektit duke thënë se TAP do ta bëjë këtë pasi të ketë nënshkruar të gjitha kontratat e mëdha. “Ndërsa shumica e kontratave strategjike janë dhënë, disa janë ende në proces, siç është SCADA dhe Fibra Optic Cable”, tha Bradshaw.

Tubacioni i Gazsjellësit Trans Adriatik me diametër 48 inç që përbën segmentin europian të Korridorit Jugor të Gazit është një projekt që do të furnizojë Europën me 10 miliardë metra kub gaz në vit nga burimet e reja të gazit Kaspik.

 

Shqipëria…

Për ekonominë shqiptare, ky projekt do të thotë më shumë frymëmarrje, sektori i ndërtimit gjithashtu i ka varur në të pritshmëritë. Përmirësimi i infrastrukturës ndihmëse dhe procesi i vendosjes së tubave janë ndër efektet e para që do të japë ky investim gjigant në Shqipëri. Deri pak vite më parë, përfshirja e Shqipërisë në projektet e mëdha të gazsjellësve apo naftësjellësve dukej pothuajse e pamundur. Për të ardhur deri këtu është luajtur fort në arenën ndërkombëtare, janë shfrytëzuar lidhjet strategjike, diplomacia ekonomike dhe janë bërë shumë vajtje-ardhje. Rreth shtatë vite më parë, ekspertët shqiptarë të sektorit të energjisë, por edhe ish-funksionarë të lartë shpreheshin se Shqipëria vuante nga ajo që njihet si “shmangia tangenciale”, duke iu referuar politikave që ndiqeshin asokohe nga qarqet e huaja. Ish-drejtuesit e asaj kohe pranonin faktin se Shqipëria nuk kishte bërë përpjekjet e duhura për t’u bërë pjesë e projekteve të mëdha ndërkombëtare. Qëndrimi i Shqipërisë shpesh cilësohej si “inferior”. Rezistenca më e madhe vinte nga Greqia dhe pjesërisht nga Italia dhe argumentimet e tyre nuk ishin aspak të bazuara, qoftë edhe teknikisht apo nga ana e sigurisë. Lufta për t’u bërë pjesë e këtyre korridoreve ishte shumë e fortë, edhe sot vazhdon të jetë e tillë. Por, sfida më e madhe e Shqipërisë është një tjetër. Ajo ka të bëjë me gazifikimin e vendit, me përgatitjen e një masterplani i cili do të hedhë dritë mbi nevojat e tregut të gazit. Është parashikuar që të përfundojë në qershor të këtij viti. Gjithashtu, qeverisë shqiptare do t’i duhet të negociojë me tregtuesit e gazit azer në lidhje me sasitë që do të mbeten këtu. Shqipëria nuk mundi të rezervonte dot nga sasia prej 10 miliardë metër kub gaz që parashikohet të transportojë TAP, në fazën e parë. Ajo mund ta bëjë këtë me zgjerimin e kapacitetit i cili pritet të arrijë në shifrën 20 miliardë metër kub. Greqia, vendi tjetër nga ku do të kalojë gazi azer, ka prenotuar sasinë prej rreth 1 miliard metër kub gaz. Kjo sasi do të nisë të transportohet në vitin 2021. Për Shqipërinë, nga vlerësimet është përllogaritur si nevojë primare rreth 350-400 milionë kub në vit, ku është pasur parasysh prodhimi nga TEC-et, në metalurgji, në sektorin e çimentos, pra kryesisht në ato industri ku përdoren lëndë djegëse. Me ardhjen e gazit, kjo marrëdhënie do të ndryshojë sepse presupozohet që gazi do të vijë ndjeshëm më lirë.

 

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Europë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe Detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Europës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha europiane, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria. TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë rrugës së tubacionit; ai do të jetë një burim i madh i Investimeve të Huaja Direkte dhe kjo nuk varet nga grante apo subvencione. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për fundvitin 2018, prurjet e para në Europë do të fillojnë përafërsisht në fillimvitin 2020. Struktura aksionere e TAP-it përbëhen nga BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

 

Disa fakte

Gjatësia    – 878 km

  • Greqi 550 km, Shqipëri 215 km, Deti Adriatik 105 km; Itali 8 km (~1.5 km mikrotuneli në hyrjen në tokë)
  • Pika më e lartë: 1,800 metra në Shqipëri
  • Pika më e ulët: 820 metra në thellësi të detit

Kapaciteti

10 bcm/v, mjaftueshëm gaz për të furnizuar rreth 7 milionë familje.

Diametri: 48 inç (1.2 m) në pjesën tokësore; 36 inç (0.91 m) në pjesën detare.

  • Rasti Bazë: Dy stacione kompresorësh (një në Kipoi, Greqi dhe një në Fier, Shqipëri) dhe rrjedhje e kundërt fizike e integruar.
  • Rasti i zgjeruar: më shumë se 20 bcm/v kapacitet duke instaluar dy stacione të tjera kompresorësh, një në Serres, Greqi dhe një në Bilisht, Shqipëri.
  • 33 stacione Valvulash Bllokimi: 23 në Greqi, 9 në Shqipëri dhe 1 në Itali

Tubacioni

Rreth 53,000 tuba do të përdoren për ndërtimin e tubacionit me gjatësi prej 878 km

  • 32.000 tuba në Greqi
  • 12.000 tuba në Shqipëri
  • 8.750 tuba në pjesën detare
  • 660 tuba në Itali
  • Pesha e një tubi me gjatësi 18 metra (diametër 48 inç) është rreth 10 tonë
  • Pesha e tubave të çelikut është rreth 526,000 tonë (72 Kulla Eifel)
  • 126.000 tonë në Shqipëri, 215 km (17 Kulla Eifel)
  • 323.000 tonë në Greqi, 550 km (44 Kulla Eifel)
  • 72.000 tonë në pjesën detare (10 Kulla Eifel)
  • 5.000 tonë në Itali (thuajse 1 Kullë Eifel)
  • Volumi i përgjithshëm i kanaleve të gërmuara është 4.545.000 m³ (thuajse dy herë volumi i Piramidës së Keopsit në Egjipt)
  • 3.200.000 m³ në Greqi
  • 1.300.000 m³ në Shqipëri
  • 45.000 m³ në Itali

 

Logjistika

  • Tre sheshe kryesore magazinimi (MMY)
  • Durrës, Shqipëri – 90.000 m² (10 fusha futbolli)
  • Selanik, Greqi – 90.000 m² (10 fusha futbolli)
  • Kavala, Greqi – 80.000 m² (9 fusha futbolli)
  • Tre ngarkesat e para janë shkarkuar në Durrës (rreth 3.500 tuba), në prill të vitit 2016
  • Ngarkesa e parë (1.390 tuba dhe 73 bërryla) arritën në Shqipëri më 5 prill. Shkarkimi i një anijeje zgjat rreth një javë.
  • Grupi i parë i bërrylave të tubave do të dërgohen nga Brake (Gjermania Veriore) në MMY-të në Greqi me kamion
  • Trena që transportojnë rreth 80 tuba do të mbërrijnë në MMY-në e Selanikut nga vendndodhja e Kompanisë Corinth Pipeëorks (Greqia Jugore)

Lidhjet

TAP do të lidhet me: TANAP (Gazsjellësi Trans Anatolian), SRG në Itali, dhe planifikohet të lidhet me Interkonektorin Greqi-Bullgari (IBG) dhe Gazsjellësin Jonian Adriatik (IAP).

Afatet

Qershor 2015 – fillimi i punimeve të para të ndërtimit në Shqipëri

Prill 2016 – përfundimi i lidhjes së kontratave kryesore

Mesi i vitit 2016 – fillimi i ndërtimit të tubacionit dhe instalimeve mbi sipërfaqen e tokës

Dimër 2017/2018 – ndërtimi i tubacionit në pjesën detare

2019 (fundi) – përfundimi i ndërtimit dhe testimit

2020 – gazi i parë i TAP nis veprimtarinë

Rrugët Ndihmëse dhe Urat (Shqipëri)

  • Ndërtim dhe rehabilitim i rreth 100 km rrugë (~50% janë rrugë të reja ndihmëse, ~50% janë rrugë ekzistuese që rehabilitohen).
  • Ndërtimi i 2 urave të reja dhe rehabilitimi i 42 urave ekzistuese në rajonet e Korçës (lindje), Çorovodës (qendër) dhe Fier (perëndim).
  • Rreth 65% e punimeve për Rrugët Ndihmëse dhe Urat e miratuara është përfunduar (progresi i kombinuar i rrugëve dhe urave).

Procesi i Blerjes dhe Servitutit të Tokës (LEA)

Ndërmarrë në përputhje me standardet e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

  • 19.060 ngastra toke: 10.170 në Greqi, 8.700 në Shqipëri dhe 190 në Itali.
  • Rreth 45.000 pronarë dhe përdorues toke.

Kontraktorët e TAP-it

  • Shoqëria e përbashkët (JV) Gener 2 dhe Sicilsaldo: kontraktor për rehabilitimin e Rrugëve Ndihmëse dhe Urave në Shqipëri.
  • RMA: furnizimi i valvulave me sfera me diametër të madh dhe aktivizuesve
  • Siemens AG: furnizimi i njësive të kompresorëve me turbo për turbinat e gazit
  • Industria Meccanica Bassi dhe Nuova Giungas: fashaturat, bërrylat izolues dhe pritësit e sondave pastruese
  • Salzgitter Mannesmann International GmbH: tubat e linjës në pjesën tokësore (270 km) dhe bërrylat, si dhe tubat e linjës në pjesën detare (110km)
  • Corinth Pipeworks S.A.: tubat e linjës në pjesën tokësore (495km)
  • Enereco S.p.a. dhe Max Streicher S.p.a.: EPC e tubacionit në pjesën tokësore (Itali)
  • Renco S.p.a.: EPC e Terminalit Pritës të Gazsjellësit (Itali)
  • Bonatti S.p.A dhe J&P AVAX S.A dhe SPIECAPAG: EPC e ndërtimit në pjesën tokësore (Greqi dhe Shqipëri)
  • Saipem SpA: EPCI për pjesën detare

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button