Tashmë e njohim portretin e zbuluesit të Kodikëve të Beratit
Kthehesha rrugëve të Parisit dhe imagjinoja ndërkohë si në një film, rrugëtimin e këtij njeriu në pranverën e vitit 1885, kur ky udhëtar i veçantë shfaqej në brigjet jugore të Shqipërisë, në Vlorë, për t’u ngjitur pastaj mbi një kalë drejt Beratit. Në shënimet e tij, dy emra ishin themelorë për ndërmarrjen e misionit të tij që u mbështet nga Ministria e Arsimit të Francës (Instruction Publique) dhe “Botimet Hachete” për Guidën greke të Kristianizmit të Emile Isambert, libër ky me ilustrime të mrekullueshme edhe mbi shqiptarët që do të botohej në vitin 1891: bëhej fjalë për qytetin e vjetër historik të Beratit dhe Anthim Aleksiudhin, kryepeshkopin e metropolisë ortodokse të qytetit dhe të gjithë dioqezës së jugut. Dukej se ky qytet ruante një thesar të lashtë… “Për të shkuar në Berat nuk ka rrugë”, – shkruante ai në kujtimet e tij të botuara pas këtij udhëtimi
Nga Luan Rama
Kur kisha shkruar për herë të parë mbi Pierre Batiffol (1861-1926), zbuluesin francez të dy kodikëve të famshëm të Beratit, “Beratinus 1” dhe “Beratinus 2”, më kot kisha kërkuar një fotografi të këtij prifti, i cili në moshën 24-vjeçare, atëherë kur sapo kishte mbaruar studimet e larta seminariste të “Saint-Sulpice”, ai kishte marrë rrugën drejt brigjeve të Adriatikut për të kërkuar dy kodikët e Shqipërisë, për të cilët i kishte folur miku dhe mjeshtri i tij, historiani dhe epigrafisti i njohur Louis Duchesne. Kështu, në librin “Dorëshkrimet e Purpurta” kapitulli për të u botua pa asnjë fotografi, ashtu si dhe kapitulli në librin tjetër që botova “Bujtës të largët” mbi udhëtarët francezë gjatë shekullit XIX në Shqipëri, duke u mjaftuar thjesht me fotot e zbehta të kodikëve. Por pak kohë më parë, duke kërkuar, më së fundi u informova se arkivat e Batiffol-it tashmë ishin vendosur në “Seminarin e Compagnie de Saint-Sulpice” në “Rue du Regard” të Parisit dhe telefonova menjëherë me shpresë se mund të gjeja ndonjë informacion të ri për të. Konservatori i Arkivit, u habit me kërkesën time, pasi pikërisht të nesërmen do të shkonin dhe dy studiues francezë për të parë arkivin e Batiffolit, që para pak kohësh, nipi i tij ia kishte dhuruar këtij seminari. Dhe të nesërmen unë i takova këta dy studiues, të cilët po studionin kontributin e gjerë të Batifolit në fushën e botimeve mbi kristianizmin, ndryshe nga unë që interesohesha vetëm për periudhën shqiptare, pra vetëm për kodikët e Beratit. Këta studiues ishin Didier Lafleur dhe Luc Brogly dhe ata kishin qenë edhe në Shqipëri e Berat. Padyshim shpresoja të shikoja shumë gjëra, por mjerisht, siç konstatova, për periudhën shqiptare nuk kishte asnjë informacion tjetër, as fotografi në mjedisin shqiptar e as korrespondenca rreth Shqipërisë, përveç studimit të tij mbi Dorëshkrimet greke në Shqipëri dhe kodikët e purpurt të Beratit. Sidoqoftë nga ky takim unë u largova jo i zhgënjyer, pasi më së fundi tashmë do të njihej në Shqipëri dhe fytyra e njeriut që i bëri të njohura botërisht vlerat e dy kodikëve të Beratit. P. Batiffol (1861-1929), kishte qenë në fundin e karrierës së tij ekleziastike rektor i Institutit katolik të Toulon-it dhe peshkop i Toulouse-s dhe njihej tashmë si zbulues dorëshkrimesh apokrifë dhe një historian i kristianizmit. Ndër veprat e tij të njohura janë dhe L’Eglise naissante et le Catholicisme,Catedra Petri, La Paix constantinienne et le catholicisme, L’Eucharistie (e ndaluar nga Kisha), etj.
Kthehesha rrugëve të Parisit dhe imagjinoja ndërkohë si në një film, rrugëtimin e këtij njeriu në pranverën e vitit 1885, kur ky udhëtar i veçantë shfaqej në brigjet jugore të Shqipërisë, në Vlorë, për t’u ngjitur pastaj mbi një kalë drejt Beratit. Në shënimet e tij dy emra ishin themelorë për ndërmarrjen e misionit të tij që u mbështet nga Ministria e Arsimit të Francës (Instruction Publique) dhe “Botimet Hachete” për Guidën greke të Kristianizmit të Emile Isambert, libër ky me ilustrime të mrekullueshme edhe mbi shqiptarët që do të botohej në vitin 1891: bëhej fjalë për qytetin e vjetër historik të Beratit dhe Anthim Aleksiudhin, kryepeshkopin e metropolisë ortodokse të qytetit dhe të gjithë dioqezës së jugut. Dukej se ky qytet ruante një thesar të lashtë… “Për të shkuar në Berat nuk ka rrugë”, – shkruante ai në kujtimet e tij të botuara pas këtij udhëtimi. – Është një qytet mysliman, në të hyrë të një gryke të lumit Apsus dhe për të mbërritur atje që nga Vlora, duhen 15 orë me kalë. Pothuaj s’ka rrugë dhe qyteti është i besimit mysliman. Minaret e tij duken që larg e ngado zotërojnë shtëpi të bardha me kopshte. Në portat e qytetit, pasi lë varrezat e vjetra, në qendër gjen pazarin. Aty takon “haxhiun” me rroba jeshile dhe hoxhën me turban në kokë, si dhe ushtarakë e funksionarë turq. Aty këtu ka dhe gegë e vlleh, apo tregtarë nga kjo zonë bizantine e Belgradit të Mesjetës. Atje u prita nga Anthim Aleksiudhi, mitropoliti i një dioqeze të madhe, një peshkop ortodoks dhe një prelat i shkëlqyer, me shumë kulturë. Ai i ishte kushtuar arkeologjisë dhe ishte anëtar i Sillogut të Kostandinopojës. Kur flasin për të, përmendin gjithnjë epitetin “Miku i artit” dhe ai e ka merituar këtë. Anthimi ka gjetur në Elbasan dhe një numër hebrenjsh që i pikas nga kapuçi i zi në kokë. Por popullsia, si dhe gjuha, është shqiptare. Qyteti lart është i rrethuar me një mur bizantin gjysmë i rrënuar, ku nuk ka asnjë dyqan apo xhami. Atje gjendet shtëpia e peshkopit dhe e shenjtërisë së tij mitropolitit. Të gjithë njerëzit janë ortodoksë. Zbrita në lagjen e kalasë dhe mora me qira një shtëpi, dritaret e së cilës shikonin mbi bedenat e kështjellës: para meje kisha një pamje të jetës me mbishkrime dhe ka botuar disa medalje në Mémoires de Sillogue de Constantinople. Në shtëpinë e tij ka mbledhur një koleksion modest objektesh antike me vlera të veçanta që e bëjnë të ëndërrojë mitropolinë”.
Në fakt, siç kujton Batiffol-it në shkrimin e tij, në Bulletin de la Société des Antiquaires de France (1885), ishte botuar një artikull mbi kërkimet e mitropolitit rreth një objekti bronzi dhe një terrakotë e koleksionit të tij. “Berati tashmë s’ka asgjë nga antikiteti, – shkruante Batiffol. – Aty nuk ka asnjë monument, apo ndonjë mbishkrim të kohëve të hershme. Kanë mbetur veçse disa objekte dhe tani, Aksiudhi ka disa dorëshkrime të pakta, disa prej të cilave në fakt janë të datimeve të vjetra. Por është e domosdoshme të tregoj se si i kam zbuluar dorëshkrimet dhe kush më kishte folur për to”. Sigurisht, Berati i la përshtypje të veçanta, pasi përveç ndërtesës së Mitropolisë të drejtuar nga Aleksiudhi, në lagjen e kalasë apo kastro, ishin dhe katër priftërinj të tjerë që shërbenin në kishat e Shën Mërisë së Vllahernës, të Shën Mërisë së Evangjelistrisë, të Shën Gjergjit apo të Shën Janit të Theologos. E megjithatë krahas tyre ishin dhe kishat e tjera si ajo e Fjetjes së Shën Mërisë, e Konstantinit dhe Helenës, e Shën Triadhës, e Shën Nikollës, e Shën Thanasit, e Shën Theodhorit, etj.
Më 1875, siç pohon dhe Batiffol, “Duchesne ishte ngarkuar me një mision në malin e Shenjtë Athos. Me këtë rast ai ishte kthyer dhe në Patmos për të kopjuar fragmente tëCodex N të Dhjatës së Re në greqisht. Drejtuesi i bibliotekës së manastirit të Theologut, zoti Sakelion, i cili tani jeton në Athinë, e njoftoi se sipas një broshure greke, ekziston dhe një dorëshkrim i ngjashëm me të, pra me fragmentet e Codex N. Edhe ai është me ngjyrë të purpurt dhe shkruar me bojë argjendi. Duchesne e shënoi këtë të dhënë dhe veçse njëherë bëri aluzion për të, në një artikull kritik më 1881, (Bulletin critique, 15 avril, 1881). Në Greqi, askush nuk u ngacmua nga kjo e dhënë, përveçse në Gjermani. Ky ishte Tischendorf, (Nosumtestamentum graece, vol. III). Mund të thuhet se në vitin 1881, zoti Duchesne ishte i vetmi në botën shkencore botërore që njihte ekzistencën e dorëshkrimit të purpurt. Ditën kur ai ma bëri të njohur këtë, unë u interesova për informacione të tjera. Ato m’u dhanë nga konsulli francez në Janinë, zoti Sauvaire, i cili më shkroi më 7 nëntor të vitit 1881”.
Tundimi i Batiffol-it ishte i madh dhe ai kërkoi me çdo kusht ta studiojë këtë kodik të panjohur, i cili duhej të ishte ndër më të rrallët e Ballkanit. Si vallë gjendej atje dhe përse në Berat? Por më parë, ai u takua me konsullin francez të Janinës, Sauvaire, i cili i tregoi për studimin e bërë tashmë nga peshkopi i Beratit Anthime Aleksiudhi (Alexoudis), lidhur me këto dorëshkrime. Bëhej fjalë për një kodik të mrekullueshëm, i cili nxirrej në meshë, para popullit një herë në vit, më 27 janar, çdo herë në festën e ditës së Shenjtit Gjon Gojëarti (Joan Chrysostomos), në mënyrë që njerëzit ta shikonin, ta puthnin dhe të përuleshin para Librit të Shenjtë. Joan Chrysostome (344-407), kishte qenë kryepeshkopi i Kostandinopojës dhe një nga etërit e Kishës greke. Meqë ishte orator i shkëlqyer, ai u quajt Chrysostome, “Gojëarti” dhe u shpall shenjt nga kisha greke, kopte dhe katolike. Nga Pierre Batiffol nuk njohim ndonjë përshkrim të veçantë dhe me shënime udhëtimi gjatë itinerarit të tij, por me siguri, udhëtimi drejt brigjeve shqiptare dhe nëpër male e fusha do të ketë qenë mjaft interesant. Veprat e konsullit francez të Janinës, Pouqueville, tashmë ishin bërë të njohura në Francë, por për kodikët dhe dorëshkrimet e vjetra nuk kishte asnjë informacion. Në përshkrimin e tij në hyrje të Beratit, Batiffol na njofton për “qytetin që ngrihet buzë lumit Apsus (Osum), ku për habinë e tij shikon “plot hebrenj me fes të zi në kokë”. Batiffol-i vendoset në lagjen “Kala”, siç na shkruan ai, në “tokën e ortodoksëve dhe ku nuk ka asnjë xhami“, ndryshe nga pjesa tjetër e qytetit, e cila është e gjitha myslimane. Dritaret e tij shohin nga bedenat e kalasë dhe pamja tutje duhej të ishte padyshim me një ekzotizëm të rrallë, pasi duket që kjo pamje atë e ka ngacmuar së tepërmi. Dhe padyshim, takimi i parë i tij është me peshkopin e Mitropolisë së Shenjtë, Anthim Aleksiudhi, i cili fillon t’i tregojë për Librat e Shenjtë.
Padyshim që vendi ku duhej të kërkonte librat e shenjtë ishte mitropolia, pra Aleksiudhi. “Ka disa vite që zoti Anthim, arqipeshkvi i mitropolisë së Beratit, ka botuar në gjuhën greke një Përshkrim të shkurtër dhe historik të Mitropolisë së Belgradit, sot Berat. Ky studim që ka pasur njohje të pakët dhe që nuk është përkthyer, përmban dhe informacionin për tekstin që dua t’u bëj të njohur Libra të vjetër – dorëshkrime të purpurta. Mitropolia e Beratit ka ende libra të shenjtë, dorëshkrimet si: një Ungjill nëKishën e Lajmërimit (Annonciation), të kështjellës, që nderohet ngado nga banorët e krishterë të Beratit, sipas traditës së vjetër, në meshën e festës pontifikale që zhvillohet çdo vit, ashtu si dhe dorëshkrimin e Joan Chrysostome, arqipeshkvi i Kostandinopojës. Dorëshkrimi ekspozohet para besimtarëve dhe të gjithë shkojnë ta puthin me devotshmëri, duke e nderuar me respekt. Germat e këtij ungjilli të shenjtë janë shkruar me ar, si dhe germat iniciale të çdo paragrafi, të cilat janë të mëdha (majuscule). Në fillim të secilit prej të katër ungjijve është imazhi i çdo ungjillori i pikturuar në ar. Një ungjill tjetër shumë i vjetër që përmbledh vetëm tekstet e ungjillorëve Mateu dhe Mark, gjendet në Kishën e Shën Gjergjit të së njëjtës famulli dhe germat janë shkruar në argjend mbi parshemin, në një ngjyrë qershie të errët. Germat e mëdha (majuscule), janë të shkruara në ar dhe argjend…” Batiffol shkruante se koleksioni i dorëshkrimeve të Beratit, ndahej në disa grupe. Dhe se midis librave liturgjikë janë disa dorëshkrime mjaft interesantë si në Kishën e Shën Gjergjit, apo Kishën e Lajmërimit, etj. Ai pikasi se peshkopi zotëronte disa dorëshkrime që i ruante në shtëpinë e tij, në metropoli.
“Para se të flasim për Beratinus, le të ndalim një çast në dorëshkrimet e ndryshme, –shkruante ai. – Disa prej tyre janë dorëshkrime të zakonshme, të cilat i pashë te peshkopi në një gjendje të braktisur dhe të mjerueshme. Pata vështirësi që të m’i tregonin dhe ata m’i treguan, por veçse disa orë para se ta lija Beratin, çka nuk mund të arrija t’i studioja. Por sidoqoftë pata mundësi të bëja një inventar tepër të shpejtë dhe nuk jam i bindur nëse i pashë të gjitha. Ato dorëshkrime ishin tekste kishtare. Por pikasa tri vëllime “ménées”. I pari, në letër, i shkruar in-quarto, i shekullit XV; i dyti, më i vjetër se i pari, shkruar mbi letër në format të vogël “in folio”; i treti datonte në fundin e shekullit XII ose fillimi i shekullit XIII, në format të vogël, “in-folio” si dhe i mëparshmi, por në parshemin. Vë në dukje gjithashtu dhe dy homeli: i pari (IV) një përmbledhje e dorëshkrimeve të Ungjillit të Shën Markut në “velin” në format të madh “in-quarto”, i shkruar në fund të shekullit XII apo në fillimin e shekullit XIII. I dyti (V) është i ruajtur më mirë. Ishte një përmbledhje homelish të Shën Joan Chrysostome mbi Shën Gjonin, një dorëshkrim në velin në një format 22 cm me 15 cm dhe që ka 317 fletë në një kolonë, (20 rreshta për kolonë). Ai datonte pothuaj në të njëjtën kohë me atë pararendës. Këtyre pesë dorëshkrimeve u duhet shtuar një përmbledhje e rregulloreve dhe urdhrave kishtare të kohëve të fundit, “in-quarto”, e shekullit XV (VI); një leksion i dëmtuar nga membrana i shekullit XIII (VII); një diptik shumë i gjymtuar gjithashtu dhe që kishte rreth 67 fletë, e shkruar në fundin e shekullit XIV. Ky libër i diptikëve, është ai i manastirit Philantrope, siç e tregon dhe vetë titulli i saj, pra i famullisë “Philantropia” e Janinës (VIII).
Është interesante të imagjinosh Batiffol-in në rrugët e Beratit dhe mjediset turke të qytetit, që shpesh grishte udhëtarët e huaj, megjithëse të paktë që vinin deri aty. Qyteti ishte si të thuash i ndarë midis pjesës otomane, myslimane dhe pjesës ortodokse, që ndiqte në heshtje dhe e trembur ritet e saj, i tërhequr drejt kalasë antike, si për të dashur të mbrohej pas gurëve të rëndë. Padyshim që autoritetet turke do të jenë bërë kureshtarë për ardhjen e frëngut, i cili thoshte se ishte thjesht një studiues. Por pikëpyetjet e tyre ishin të shumta. E ç’do t’i studionte ai gurëve të kalasë? Ç’punë vallë kishte me mitropolitin? Mos vallë bëhej fjalë për ndonjë lidhje të re mes katolikëve dhe ortodoksëve, këtyre të pafeve, kundër gjysmëhënës së ndritur?… Sigurisht që përgjonin në çdo lëvizje dhe e ndiqnin nga pas seminaristin e ri që shkonte sa në një kishë në tjetrën, por askush nuk mund të dilte hapur kundër firmanit që u kishte dorëzuar frëngu. “Në rrethinat e lagjes Mangalem, – shkruante Batiffol, – në hyrje të Urës së Vjetër mbi lumin Beratinos, më kishin treguar një kishë të restauruar së fundi që kishte një “vocable” të “Dormition de la Vierge” (Vendit të Fjetjes së Virgjëreshës) dhe që kishte, siç më thanë me siguri, një ungjill të shekullit të IV. Zbrita aty disi me emocion dhe gjeta një ungjill tetë shekuj më të vonët se ai datim, (XII). Është një ungjill në parshemin me 260 fletë “in-quarto”, me një shkrim “corsive”. Ai përmbledh të katër ungjijtë në renditjen e tyre. Në krye janëKodet e Eusebe-s. Përgjatë tekstit, janë shënimet “ammonio-eusebiane”. Para dorëshkrimit, janë futur njëzet fletë prej letre, ku një dorë e kohës sonë ka transkriptuar “synaxiare”-in. Në dorëshkrim janë katër miniatura të ungjillorëve në sfond ari dhe shumë fine. Fillimet e fletës janë të zbukuruara lehtësisht me shirita dhe Kodet e Eusebe-s dhe inkuadruar në kolona të vogla me harqe e lule, të punuara bukur. Secila nga fletët e dekoruara ishte mbuluar me një pëlhurë të hollë në mëndafsh të purpurt dhe dorëshkrimi mbante nënshkrimin e mëposhtëm: “Ky është një ungjill i famullisë së Shenjtë Eleusis ose Famullisë së Re, të cilën e shkroi shumë i shtrenjti shenjt dhe mbret i denjë, Theodor Komnen Lascari, i quajtur Jean d’Ange, (Gjon Engjëlli), meqë mbrojti shenjtin, engjëllin dhe monarkun Kalinik. Ju që do të lexoni këtë ungjill, jeni të lutur që përmes të Plotfuqishmit, t’i kërkoni Zotit të na mishërojë”… Kisha episkopale ka dhe një ungjillor në parshemin me lidhje të argjendtë, (XIII). Numri i fletëve është 310, në lartësi 35 cm dhe në gjerësi 28,5 cm, i shkruar në dy kolona. Shkrimi është i madh dhe korsiv i shekullit XII, ose fillimi i shekullit XIII. Inicialet janë me germa të bukura të mëdha. Jashtë kolonës dhe në një lartësi që ndryshon nga 35 në 50 milimetra, ato janë të praruara dhe me një ton blu të zbehtë. Edhe titujt janë gjithashtu të praruara me flori, por të vogla, “miniscule”, të rilevuara disi, (koqinadh), ku çdo mësim është i ndarë nga tjetri me një shirit të ngjyrosur në një blu të zbehtë.
Nuk dimë se sa ditë ka qëndruar Batiffol-i në Berat, por me sa kuptohet nga shënimet e tij, qëndrimi ka qenë i shkurtër. Në fillim ka humbur shumë kohë gjersa e ka bindur peshkopin që t’i hapë vendet e fshehta, ku ruheshin kodikët e vjetër. Por habia e tij kishte qenë e madhe: një habi e përzier me një lloj trishtimi, pasi ai u gjend para një grumbulli të çrregullt të kodikëve të mbajtur keq. Por kodikët e çmuar, Aleksiudhi i mbante në një vend tjetër, me kujdes të veçantë. Ata kodikë, siç e shkruan në dorëshkrimin e tij, Batiffol-i do t’i shohë pak kohë para se të ikë. Ja ç’shkruante ai në raportin fillestar të dorëzuar në Francë: “Dorëshkrimet që gjeta në mitropolinë e Beratit janë rreth njëzetë. Grupi i tyre i parë, nja 15 dorëshkrime, shumica të dëmtuara, ishin me lidhje të shqyera dhe të hedhura në stolat e metropolisë midis pluhurit dhe molës. Ishin tri ekzemplarë të “ménées” të shekullit XII, XIV, XV; një “typique” ose përmbledhje të rregullave ekleziastike, etj. Një grup i dytë ishin libra për përdorimin liturgjik, ku kishte një ekzemplar të Akteve të Apostujve me shkrim “miniscule”, mbi velin, i datuar sipas vitit 1158; një ungjill me shkrim “corsiv” po mbi velin dhe që daton mesa duket në shekujt XI-XII, i zbukuruar me miniatura; një tjetër ungjill me shkrim “corsiv” mbi velin dhe i zbukuruar me miniatura të pikturuara me mjaft delikatesë. Ky ungjill i ishte dhënë mitropolisë nga një manastir i Panagia Héléonça, nga perandori maqedonas Theodore l’Ange (shek.XIII). Në shënimet e tij, Batiffol-ie përmend këtë histori, madje ai pohon se në artikullin e tij fillestar Evangéliaire codex graecus purpureus (botuar në Mélanges d’Archéologie et d’Histoire, Bibliothèque Ecole de Chartes, vol.5, 1885) ka shkruar se “që para 15 vjetëve, europianët ishin informuar për një vëllim të botuar në Korfuz, ku bëhej një përshkrim i dioqezës ortodokse të Beratit. Autori i saj, Monsinjor Anthyme Aleksiudhi, kishte shkruar një kapitull me titull Librat e Shenjtë dhe tepër të vjetër që përmbledhin tekstet e ungjillorëve të shenjtë Mateu dhe Mark, pronë e kishës së Shën Gjergjit. “Germat e atij dorëshkrimi janë shkruar në një parchemin në ngjyrë qershize të errët, me germa të mëdha në ngjyra ari dhe argjendi, në formë rrumbullake. Duket se vetëm Monsinjor Duchesne ishte i vetmi erudit që e kishte lexuar tekstin e Aleksiudhi-it, kur ai po shkruante rreth Codex Rossanensis. Zoti Gregory, një shkencëtar gjerman, e kishte shënuar këtë të dhënë në vitin 1884, në Bulletin Critique, duke shtuar se “nëse këto dorëshkrime ekzistojnë, do të ishte një illo temporeprorsus inaccessus.” Sigurisht, Batiffol do të kishte dashur të qëndronte më shumë në Berat në kërkim të dorëshkrimeve të purpurta, siç ndodh gjithnjë me studiuesit që pikëtakojnë papritur vlerat e mëdha historike. Një rrethanë ndoshta sigurie, e ka shtyrë të largohet, por shënimet që mori i shërbyen shumë për të bërë studimet e mëtejshme krahasimore me dorëshkrimet, apo kodikët më të vjetër që ekzistonin që nga shekujt e parë të erës sonë. Batiffol-i ishte habitur që në anë të kapakut të njërit prej kodikëve kishte lexuar: “Shikojini shkronjat e këtij ungjilli të shkruar nga vetë dora e Gjon Gojëartit, kur ai ishte në Antioche, në atdheun e tij“. Dhe kjo do të ishte afër së vërtetës. Një zbulim kapital për të është se autoshkrimi i Codex Purpureus Beratinus, siç e quan ai në vitin 1885, kodikun tonë më të vjetër, “ishte ndër më të bukurit e stilit ‘unicial’ të lashtë dhe i ngjashëm me Dioscoride-se Vjenës, Codex Patmiensis apo Palimpsestin e Shën Petersburgut”.
Padyshim që historia e Batiffol-it në Berat është e gjatë dhe subjekt i një filmi më vete, por ajo që spikat është se ai ishte i pari studiues i botës shkencore që përcaktoi vlerat e këtyre kodikëve në Perëndim. Pierre Batiffol u bë i njohur gjithashtu dhe për kodikë të tjerë që ai i zbuloi në bibliotekat e manastireve apo në bibliotekën e Vatikanit. Një ndër to është Codex Curiensis, por më i rëndësishmi është Codex Vaticanus 2061, të cilin e rizbuloi dhe e shqyrtoi në vitin 1887, një palimpsest i dyfishtë i shekullit V në 21 “folio”, me shumë mungesa, ku në tri kolona janë shkruar Aktet e Apostujve apo Letrat e Saint-Paul, etj.
Lumturisht, kodikët më të vyer që pa Batiffol-i në Berat, mbijetuan gjer në ditët tona. Të tjerë, humbën, dhe askush nuk e di se cili ka qenë fati i tyre: luftëra, djegie kishash, rrënime nga tërmetet, apo shtegtime drejt vendesh që ende nuk i njohim?.. Sidoqoftë, tashmë ne kemi dhe portretin e këtij njeriu që i bëri një shërbim të madh dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.