Kronika

Të akuzuarit për incineratorin e Elbasanit dërgohen për gjykim

Ish-ministri Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako dërgohen për gjykim krahas zyrtarëve të tjerë si dhe biznesmenëve Mirel Mërtiri, Klodian Zoto e Stela Gugallja, për krimet e dyshuara në lidhje me incineratorin e Elbasanit. Shtohen akuzat edhe për Eko Parkun e Durrësit.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen për gjykim për incineratorin e Elbasanit nën akuzën e korrupsionit aktiv e pasiv, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave. Nën akuzë janë ish-ministrin Lefter Koka, ish-deputetin Alqi Bllako si dhe gjashtë zyrtarë të tjerë, si dhe biznesmenët Mirel Mërtiri, Klodian Zoto e Stela Gugallja. Nën akuzë penale janë edhe kompanitë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit dyshohen se kanë dhënë koncesion në kundërshtim me ligjin, kanë lëshuar dhe pranuar fatura për punime të paqena dhe kanë transferuar paratë e përfituara përmes një rrjeti kompanish false.

Sipas akuzës, zyrtarët e qeverisë dhanë një koncesion me prokurim pa shpallje duke përdorur një metodë prokurimi të paparashikuar në legjislacionin e prokurimeve publike. Zyrtarët që morën pjesë në procedura, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri e Serafin Papa, janë nën akuzën e abuzimit të detyrës ndërsa ish-ministri Koka është nën akuzë të trefishtë për abuzim me detyrën, korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Biznesmenët Klodian Zoto, i cili është pronari zyrtar i kompanisë, si dhe administratorja Stela Gugallja, janë nën akuzë për korrupsion aktiv e pastrim parash ndërsa prokuroria bëri të ditur për herë të parë se nën akuzë është edhe Mirel Mërtiri. Ky i fundit përshkruhet nga prokuroria si “pronarit faktit të shoqërisë“Albtek Energy””, kompani që zyrtarisht është nën pronësinë e shtetases Stela Gugallja.

Të gjithë zyrtarët janë aktualisht në burg ose në masa sigurie të tjera ndërsa të tre biznesmenët janë formalisht në arrati, në kërkim nga policia por që nuk janë gjetur që prej një viti kur u shpallën fillimisht në kërkim.

Ish-deputeti Alqi Bllako akuzohet në këtë dosje për shpërdorim detyre për veprime të kryera në rolin e tij si Sekretar i Përgjithshëm i Minsitrisë së Mjedisit. Bllako akuzohet veccmas për korrupsion për incineratorin e Fierit.

Prokuroria thotë se dy kompanitë e incineratorit të Elbasanit kanë paguar rreth 329 milionë lekë (afërsisht 3 milionë euro) fatura për punë të pakryera, skema përmes të cilës dyshohet se Lefter Koka ka përfituar paratë e korrupsionit. Koka është deklaruar i pafajshëm para gjykatës ndërsa gjendet aktualisht në burg me dy masa sigurie. Koka është i akuzuar edhe për përfitime të ngjashme nga incineratori i Fierit.

“E pandehura Stela Gugallja në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, i pandehuri Klodian Zoto në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, si dhe i pandehuri Mirel Mërtiri në cilësinë e pronarit faktit të shoqërisë“Albtek Energy” sh.p.k, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe nëbashkëpunim me të pandehurin Lefter Koka, kanë përdorur njëskemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt” si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit,” shkruhet në njoftimin e prokurorisë.

Hetime të shumta vijojnë

Prokuroria është përballur me pikëpyetje të shumta për mungesën e veprimeve prej saj për shumë dokumente të bëra publike, përfshirë incineratorin e Tiranës dhe zyrtarë të tjerë që duket se kanë përfituar nga grupi i incineratorëve.

Në njoftimin e së hënës, prokuroria bëri të ditur se “hetimet vijojnë” për ato që i cilësoi “rrethana dhe fakte” për shkelje të tjera ligjore. SPAK renditi shtatë “rrethana dhe fakte” të tilla, për të cilat janë ndarë më vete hetimet. Mes tyre janë pretendimet për procedurën vendimit të qeverisë që siguroi financimin e kontratës së koncesionit, për rolin që kanë pasur zyrtarë të ministrive që dhanë përgjigje pozitive për kontratën e paligjshme si dhe për veprime të tjera të dyshuara se përbëjnë pastrim parash nga kompani të tjera përveç atyre të përfshira nën akuzë.

Prokuroria deklaroi gjithashtu se edhe një kontratë tjetër prokurimi të drejtpërdrejtë për mbylljen e venddepozitimit të mbetjeve në Durrës, të njohur si kontrata EKO-Park, e cila i kushtoi taksapaguesve 1.7 miliardë lekë, është gjithashtu nën hetim.

“…pretendimet të tjera të paraqitura nga kallëzuesit në këtë procedim penal dhe për fakte dhe episode të tjera që kanërezultuar gjatë veprimeve hetimore të kryera në këtë proçedim penal, është vendosur ndarja e çështjes penale dhe vazhdojnë tëjenë ende në fazën e hetimeve paraprake,” deklaroi SPAK.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button