BotaOpinion

Të gjithë vuajnë kur Amerika ua kthen shpinën

Pasoja e këtij leksionit të historisë – se demokracia dhe siguria përkeqësohen kur tërhiqen Shtetet e Bashkuara – është se kjo shkakton më pas kaq shumë vuajtje dhe dëme në botë, sa që ndikon tek interesat dhe ndjeshmëritë e SHBA-së, deri në pikën që Uashingtoni do të ndihet i detyruar të angazhohet sërish, por me një kosto më të lartë. Për këtë kini parasysh 3 ngjarje: Pearl Harborin, Srebrenicën dhe sulmet e 11 Shtatorit

Nga Kurt Volker

Politika e jashtme amerikane, priret të luhatet sa para mbrapa midis një lidershipi ndërkombëtar ambicioz dhe izolacionizmit,në një formë apo tjetrën. Distancimi nga bota duket se është një fat i paracaktuar, dhe në të tilla pozita gjendet edhe aktualisht. Qoftë në Afganistan, Ballkanin Perëndimor, Evropën Lindore, Afrikën Lindore apo vatrat e tjera të nxehta, boshllëku që po lë pas Amerika, po e bën botën një vend më pak të sigurt dhe më pak demokratik.

Ndër 50 vjet-që nga ndërhyrja e Amerikës në Luftën e Dytë Botërore në vitin 1941 pas sulmit japonez mbi Pearl Harbor, dhe deri në shembjen e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 – Shtetet e Bashkuara nisën një periudhë të paprecedentë të udhëheqjes ndërkombëtare të qëndrueshme, të mbështetur nga kërcënimi i nënkuptuar i forcës.

Në atë kohë, në SHBA kishte një konsensus dypartiak se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po përballeshin me një kërcënim ekzistencial nga Bashkimi Sovjetik. Udhëheqësit e të dyja partive e trajtuan sigurinë kombëtare si prioritet kryesor, ndërsa e bindën publikun amerikan të mbështeste lidershipin e fuqishëm global të SHBA-së.

Me rënien e këtij kërcënimi ekzistencial, udhëheqësit politikë republikanë dhe ata demokratë, u përpoqën gjithnjë e më shumë të tërhiqeshin nga angazhimet globale, në mënyrë që të fokusoheshin në çështjet e brendshme. Që në garën presidenciale të vitit 1992, Bill Clinton po bënte fushatë me sloganin “Është ekonomia, budalla!”.

Ndonëse lufta në Bosnje ishte një temë e fushatës zgjedhore të vitit 1992, presidenti Clinton e mbajti fillimisht Amerikën larg nga çdo lloj angazhim ushtarak atje, madje edhe kur plani Vance-Owen e cilësonte të nevojshme një ndërhyrje ushtarake në vitin 1993.

Presidenti George H.W.Bush tentoi të forcojë lidershipin global të Amerikës pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Por ndërhyrja në Somali që urdhëroi në vitin 1992, që çoi në ngjarjen tragjike te “Black Hawk Down” në kohën kur presidenti Clinton sapo kishte marrë detyrën në vitin 1993, ua neveriti amerikanëve idenë e ndërhyrjeve në vendet e huaja.

Shtetet e Bashkuara nuk reaguan për ta parandaluar gjenocidin në Ruanda në vitin 1994. Dhe ishte vetëm masakra e vitit 1995 në Srebrenicë, ajo që e ri-angazhoi opinionin global dhe i tërhoqi Shtetet e Bashkuara në Ballkan, për t’i dhënë fund spastrimit etnik.

Më pas presidenti Clinton mbeti i angazhuar në skenën ndërkombëtare, dhe ndërhyri më shpejt në Kosovë për t’i dhënë fund një fushate të ngjashme të spastrimit etnik.Presidenti Xhorxh W.Bush e mori detyrën në vitin 2001 me zotimin për të mos kryer “shtet-ndërtime jashtë vendit”, duke reflektuar sërish dëshirën për t’u tërhequr nga veprimi global i SHBA-së pas angazhimeve ndërkombëtare në Bosnje dhe Kosovë.

Por ai e ndryshoi gramatikisht fokusin e tij kur Shtetet e Bashkuara u sulmuan nga terroristët e Al Kaedës më 11 shtator 2001. Me luftërat në Afganistan dhe Irak, “Axhendën e Lirisë” dhe  hapat e mëdhenj për zgjerimin e NATO-s, presidenca e George W.Bush shënoi edhe periudhën e fundit të angazhimit të qëndrueshëm të Amerikës në skenën globale.

Nga mesi i mandatit të dytë të presidentit Bush, amerikanët ishin të lodhur dhe shumë skeptikë për vazhdimin e operacioneve në Afganistan dhe Irak. Barack Obama e bazoi fushatën e tij presidenciale të vitit 2008 tek premtimi për “t’i dhënë fund dy luftërave” (në Irak dhe Afganistan), duke premtuar “shpresë dhe ndryshim” brenda vendit.

Ai miratoi ndërhyrjen e NATO-s në Libi në vitin në 2011 për të parandaluar një katastrofë humanitare nga trupat e Moammar Gadhafi, por i tërhoqën forcat amerikane nga operacionet luftarake pas vetëm disa javësh, duke lënë që detyrën ta përfundonin Franca dhe Britania e Madhe.

Pa udhëheqjen e SHBA-së, NATO nuk kishte vullnet për të krijuar një mision të stabilizimit të situatës, siç ndodhi në Bosnje, Kosovë, Afganistan dhe Irak. Dhe kjo e ka lënë Libinë të zhytur në luftë civile edhe pas 10 vjetësh.

Pasi regjimi në Siri e shkeli “vijën e kuqe” që Barack Obama kishte vendosur duke përdorur armë kimike kundër popullit të tij, presidenti tha se Amerika nuk duhet të zhvillojë “luftërat civile të popujve të tjerë”, dhe refuzoi të ndërhyjë kundër regjimit të Asadit.

Po ashtu ai e tërhoqi ushtrinë amerikane nga Iraku në vitin 2011, dhe më pas u detyrua ta anulonte këtë vendim në vitin 2014, kur Kalifati i ISIS pushtoi pjesë të mëdha të vendit. Me zgjedhjen e tij, presidenti Donald Trump përkrahu pa drojë axhendën“Amerika ePara”.

Ai u zotua se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejonin më që aleatët e tyre të përfitonin nga ombrella e tyre e sigurisë pa paguar pjesën e tyre të duhur për mbrojtjen.

Po ashtu ai nuk i lejoi evropianët që të përfitojnë nga ajo që Trump e quajti tregtia e padrejtë. Versioni i Trump për izolacionizmin amerikan ishte i ashpër dhe i drejtpërdrejtë, por i lidhur me të njëjtën traditë që i kishte shtyrë edhe3 paraardhësit e tij që të distancoheshin nga bota, dhe të prireshin më shumë drejt “ndërtimit të kombit në shtëpi”.

Presidenti Joe Biden po e vazhdon të njëjtën traditë amerikane. Duke u tërhequr nga Afganistani pavarësisht nga pasojat, duke u angazhuar për t’i dhënë fund operacioneve në Irak dhe Siri, duke kërkuar një marrëdhënie “të qëndrueshme dhe të parashikueshme” me Rusinë, pavarësisht agresionit të saj në Ukrainë dhe Gjeorgji, si dhe sulmeve kibernetike ndaj Shteteve të Bashkuara. Duke i dhënë më shumë përparësi nismave të brendshme si p.sh. programet sociale dhe shpenzimet e infrastrukturës mbi shpenzimet e mbrojtjes dhe angazhimet e huaja, Shtetet e Bashkuara po shkojnë sërish drejt një qëndrimi më izolues.

Administrata Bidenit mund të thotë me të drejtë se ka forcuar vëmendjen e SHBA-së ndaj Kinës. Por duke parë të gjitha sinjalet e tjera që vijnë nga Shtetet e Bashkuara, Kina nuk është aspak e kufizuar në ambiciet e saj rajonale dhe globale, dhe është e bindur se rivales të saj kryesore në skenën globale i mungon vendosmëria për ta sprapsur Pekinin.

Udhëheqja komuniste e Kinës beson se koha është në anën e saj. Leksioni i historisë -si ai pas Luftës së Parë Botërore apo pas Luftës së Ftohtë – është se sa herë që Shtetet e Bashkuara tërhiqen nga angazhimi global, në skenë futen aktorë të tjerë më pak dashamirës, duke përmbysur ato që kanë qenë tendencat pozitive mbi sigurinë globale dhe demokracinë.

Kjo nxjerr në pah një gabim të madh në politikë-bërjen e jashtme amerikane:besimin se nëse Shtetet e Bashkuara nuk ndërmarrin një veprim, apo tërhiqen nga një angazhim ndërkombëtar, pjesa tjetër e botës do të vazhdojë të mbetet siç është.

Kjo nuk është e vërtetë. Kur Amerika tërhiqet, boshllëku mbushet pothuajse menjëherë nga të tjerët, që nuk ndajnë të njëjtat aspirata si Amerika për vlerat demokratike dhe shqetësimin për sigurinë globale. Kështu në Ballkanin Perëndimor, ne shohim një ringjallje të nacionalizmit serb, që kërcënon pavarësinë e Malit të Zi.

Në zgjedhjet e fundit lokale në Gjeorgji, kemi parë të votohet për të tretën herë radhazi me shumë parregullsi, çka i bën qytetarët gjeorgjianë të jenë shumë mosbesues. Duke mbajtur ende të pushtuar 20 për qind të territorit të Gjeorgjisë, Rusia vazhdon të jetë e përfshirë në një luftë me intensitet të ulët në Ukrainë, pa asnjë presion apo reagim serioz nga Evropa, NATO apo Shtetet e Bashkuara.

Siç mund të vërehet në dokumentarin e fundit të Bernard-Henry Levi “Vullneti për të parë”, katastrofat humanitare të shkaktuara nga konflikti njerëzor vazhdojnë të shfaqen në Nigeri, Somali, Afganistan, Bangladesh, dhe shumë vende të tjera në mbarë botën.

Nuk është rastësi që Shtetet e Bashkuara ose po largohen, ose po shmangin praninë e tyre tashmë në këto vende. Pasoja e këtij leksionit të historisë – se demokracia dhe siguria përkeqësohen kur tërhiqen Shtetet e Bashkuara – është se kjo shkakton më pas kaq shumë vuajtje dhe dëme në botë, sa që ndikon tek interesat dhe ndjeshmëritë e SHBA-së, deri në pikën që Uashingtoni do të ndihet i detyruar të angazhohet sërish, por me një kosto më të lartë. Për këtë kini parasysh 3 ngjarje:Pearl Harbor, Srebrenicën dhe sulmet e 11 Shtatorit.

Në vend që të kalojnë nëpër ciklet e lidershipit ambicioz dhe mbylljes në vetvete, interesat e vetë Shteteve të Bashkuara – si dhe ato të njerëzve liridashës në mbarë botën – do të shërbenin shumë më mirë nga një qasje e qëndrueshme, e drejtuar nga vlerat dhe nga forca në lidhje me çështjet e jashtme.

Një qasje amerikane ndaj lidershipit, që angazhohet vazhdimisht me aleatët,u kundërvihet kundërshtarëve, dhe frymëzon popullatat që vuajnë nën udhëheqësit autoritarë, do t’i dërgonte botës një sinjal të fortë dhe të pazëvendësueshëm. Një veprim i tillë ndihmon në formimin e një bote që është një mjedis më i mirë për Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët e saj.

Kjo qasje do të kërkojë përqendrim, burime dhe këmbëngulje. Por kjo është një rrugë më e lirë dhe më efektive sesa luhatjet midis internacionalizmit dhe izolacionizmit që kemi parë deri më tani. Pavarësisht nëse do të jetë me presidentin Biden sot, apo me pasardhësin e tij vite më pas, kërkesa e brendshme dhe globale për lidershipin amerikan mbetet e lartë.

Nuk është tepër vonë për të gjetur një ekuilibër midis ndërkombëtarizmit të qëndrueshëm të bazuar në vlera, dhe forcës së Amerikës për të ndihmuar në ndërtimin e një bote më të sigurt dhe më të mirë, në të cilën mund të përparojnë Shtetet e Bashkuara.

Shënim: Kurt Volker, është një nga ekspertët kryesorë mbi politikën e sigurisë së jashtme dhe kombëtare të SHBA-së, me rreth 30 vjet përvojë. Ndër të tjera, ai ka qenë ambasador i SHBA-së në NATO në vitet 2008-2009.

“Center for European Policy Analysis”/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button