Të grushtosh tre breza: Një shoqëri e vdekur që ecën
Dje, kuriozitetin dhe kohën time për ta ndjekur Shqipërinë nuk e tërhoqi aspak vizita e një sekretari shteti. Se sa e aftë është sot Amerika dhe Perëndimi kolektiv të eksportojnë demokracinë, e kam shpjeguar në një tjetër shkrim.
Do të mjaftohesha duke shtuar vetëm një këndvështrim të Dominique Moïsi, studiuesit francez që e ndan botën mbi bazën e emocioneve, duke gjykuar se ajo që udhëheq sot botën perëndimore është “frika”, botën arabe “turpërimi” dhe botën aziatike “shpresa”.
Unë di dhe besoj se frika nuk ka vend në demokraci.Si rrjedhojë, dje veçse u bezdisa nga inflacioni i deklaratave dhe kundërdeklaratave mbi këtë vizitë, ndaj shmanga të kontribuoj në grackën e zhurmës: pro-apo anti-amerikane.
Unë jam shqiptare, – përveçse egoiste dhe e akullt në idealet e mia, – ndaj e kam të lehtë të mos ndjej detyrimin të jem pro a kundër asnjë kombësie tjetër, përveçse politikisht t’i gjykoj vetëm në raport me interesin tim dhe të vendit që i përkas.
Temat sociale nuk janë domosdoshmërisht subjekt i interesit tim, për të vetmin motiv sepse besoj që nëse rrafshi politik nuk është aq imun sa dëshiron të shitet ndaj opinionit, tematikat sociale vështirë të drejtohen sado pak përmes opinionit.
Plaga e zanafillës së tyre është shumë më e thellë, ndaj mundem veç t’i analizoj, por vështirë e kam t’u sugjeroj zgjidhje. Megjithatë, dje për mua pati vetëm një fokus që më la me mendjen pas: videoja e publikuar, ku një qenie humane me instikte shtazore dhunon një zotëri në moshë në vendin e punës, në derën e hyrjes së një shkolle. Kjo qenie humane me instikte përtej humanes qëlloi, ashtu si jo rastësisht ka qëlluar prej vitesh, të drejtojë socialistët në një qytet në Shqipëri. Qytetin nuk po e bëj pis ta ripërmend, më së shumti sepse mendoj se ai vetë bën pis çdo qytet, e çdo shqiptar, përfshirë mua. Nëse e kqyr me vëmendje, e provon ta zoom-osh, përkundrejt mosdëshirës time për ta afruar në pamje për shkak të shëmtisë së frikshme literale që më reflekton ky i fortë i partisë-shtet, fytyra e tij friguese në mimikë e gjestikulacion demonstron shtazërisht forcë, dhe ka një agresivitet që vetëm forma të caktuara frustrimi (për t’u diskutuar të çfarë tipi) e shpjegojnë. Neverinë për këtë humanoid të fortë, ma barazpeshoi keqardhja për një 70 vjeçar që nuk i dorëzohet as reagimeve instiktive të mbrojtjes: nuk mbrohet, nuk i kthehet, pret grushtat, rrëzohet përtokë dhe ringrihet po vetë.
I forti i partisë-shtet, e dhunon zotërinë 70 vjeçar (brezi I), në prani të një gruaje (brezi II) dhe në sy të dy fëmijëve të mitur (brezi III), ndërkohë që disa fëmijë të tjerë vrapojnë aty rrotull: gjithçka përpara dyerve të një shkolle. Jam e pafuqishme dhe e paaftë të kuptoj si kjo ngjarje nuk provokon asnjë formë revolte në media, në institucionet arsimore, në union psikologësh, në institucionet për mbrojtjen e fëmijëve,apo ndër shoqata e lëvizje kundër dhunës, në qofshin faktike. Di vetëm të mirëkuptoj pse nënën parti nuk e shqetëson ky degradim çnjerëzor në një institucion shkollor. Së pari sepse nëna parti e Rilindjes, kriter për ta emëruar këtë dykëmbësh kryetar partie, e ka zgjedhur pikërisht për shtazërinë dhe brutalitetin që e karakterizon, si të vetmet cilësi që do i sillnin vota partisë. Së dyti, sepse eprori i këtij dykëmbëshi në Tiranë, e ka kurrikulumin e tij vetjak të mbushur me episode sporadike dhune.
Dykëmbëshi në video, përpos të qenurit modeli politik i Rilindjes, është shumë më shumë se kaq. Ai përfaqëson një model të frikshëm që ka dominuar dhe vazhdon të dominojë shoqërinë shqiptare. Kur rikujtoj fëmijët në video, të cilët e ndjekin episodin shtazëror pa reaguar, besoj bindshëm se do vazhdojë ta dominojë edhe për brezat që do të vijnë. Ai përfaqëson shqiptarin që nuk di të gjykojë, nuk di të falenderojë, nuk di të falë, nuk di të flasë, nuk di të mendojë, nuk di të mbrojë, nuk di të ndihmojë, nuk di të dojë, nuk di të burrërojë, nuk di të prindërojë.
Ai është vetëmdjali i babit, qumështori i mamit, macho i asaj, babushi i atij. Më tej ai është, laci i mëhallës dhe trimi i partisë. Kaq është ai, as më shumë e as më pak ia motivojnë vegjetimin në shoqëri.
Aktivitetet e përditshmërisë së këtij modeli kufizohen tek ato primare e primitive, tek ato që bashkojnë kafshët me njerëzit, të cilat nuk kërkojnë as ndërgjegje, as aparat mendor e shpirtëror shumë të sofistikuar.
Shoqëria jonë njohu modele të tilla prej kur u hap drejt emancipimit dhe u shfrenua pangopësisht drejt materies.
Të fortët e lekut morën frenat në rrethet e tyre shoqërore derisa dalëngadalë u ngjitën në rrethet politike, për t’u bërë në fund vetë politika, vetë shteti. Sot, ata mbajnë në këmbë pushtetin, vrasin të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë, sepse vrasin me injorancë, vrasin me padije, vrasin me arrogancë, vrasin me pazaret e pista me të vobektët, vrasin kur kërcënojnë, vrasin kur blejnë vota, vrasin kur dhunojnë në forma të tilla, në fund, vrasin kur prindërojnë dhe përgatisin një brez që vështirë se do dalë nga kjo humnerë.
Vrasjeve të tilla nuk u përgjigjet asnjë instancë shtetërore sepse ata janë vetë shteti. Policia që shfrenon shkopat e gomës ndaj qytetarëve në protestat për demokracinë, ekonominë dhe emigracionin masiv, u tutet të fortëve të këtij modeli, e zhvesh uniformën dhe përdhos forcën dhe themelin mbi të cilin teorikisht ngrihet vetështeti. Një shuplakë e quajtën sot në deklaratën e tyre.
Shuplakë ndaj kujt? Ndaj rojes në vendin e punës, ndaj fëmijëve që stërviten me gjeste kafshërore, ndaj gruas që përmban një dykëmbësh të fortë, ndaj shkollës që ka rënë në vetë qëllimin e saj, apo ndaj shtetit që e përfaqëson vetë i forti?Drejtoritë dhe ministria e arsimit, i lë dyert hapur për këta të fortë, ndërsa fëmijët e ardhur aty për t’u iluminuar, i bëjnë spektatorë të eksitimit të adrenalinës së të fortëve. Shoqëria civile, ajo sporadikja e faktikja vetëm përpara zgjedhjeve, përsa kohë nuk ka marrë urdhër nga ambasada, nuk reagon për të tilla ngjarje që shkundin vetëdijen e çdo humani me sado pak të tillë.
Organizata e lëvizje kundër dhunës nuk flasin sepse viktima nuk qëlloi të ishte një vashëz e lirë në një pub të kryeqytetit në orën 3 të mëngjesit. Qëlloi të ishte një roje objekti në detyrë në një institucionshkollor. Ministria e mbrojtjes nuk e sheh të arsyeshme të përgojojë një kryetar partie. Shqiptarët e tjerë, prindër të fëmijëve të asaj shkolle, të atyre që vrapojnë me çanta në shpinë në video, e të të tjerëve që kanë parë këtë skenë bastarde nga larg, e dinë më së miri deri ku e kanë hapin. Të mbyllur në guackën e braktisjes në një vend ku makutëria ekzekuton ligjet, e kanë menduar qysh prej tani zgjidhjen: ata fëmijë do të largohen pas pak vitesh gjetkë në botë, andaj le të bëjnë si të bëjnësa janë ende të vegjël në mjerimin e shoqërisë ku u lindën.E të gjithë bashkë, harrojmë e harrojnë sa vite u bënë kur turpi i këtyre modeleve ka mbuluar identitetin tonë, ka përdhosur të shkuarën, ka ushqyer të tashmen e ka vrarë të ardhmen.
Në një normalitet social e politik: agresori do të duhej të arrestohej e gjykohej, viktima do të duhej të mbrohej, fëmijët do të duhej t’i merrnin nën kujdes institucione sociale me motivimin e paaftësisë prindërore për t’i rritur e edukuar si duhet, shkolla do të duhej të mbyllej ose të mbingarkohej me psikologë, ministria e arsimit dhe mbrojtjes do të duhej të merrnin përgjegjësinë për ngjarjen, socialistët do të duhej të distancoheshin publikisht, dikush do të duhej të linte postin.
Asnjë nga këto hapa nuk do të ndërmerret sepse i forti është fytyra e vetë shtetit, dhe shteti bën ligjin e jo ligji shtetin. Asnjë nga këto hapa nuk do të ndërmerret sepse një shoqëri e vdekur, mund vetëm të eci e heshtur në rutinën e mjerë të përditshmërisë.
Një shoqëri e vdekur që fajin e gjen përherë tek politika, nuk kujton dot si e ka ushqyer politikën me të tilla profile. Turpi është i përbashkët, ndërsa faji edhe kësaj radhe, si shumë të tjera, Nuk është jetim.Kjo ngjarje më kujton një nga qindra herët kur nënqesh me cinizëm sa herë dëgjoj:për çfarë të flas, çfarë do ndryshoj? Vallë,si t’i bëj të shohin humnerën që shoh unë …?