Ekonomia

Politika sociale e Bankës së Shqiperisë

Politikat sociale dhe përgjegjësia shoqërore jane ne vëmendje te Bankës së Shqipërisë jo vetem ne drejtim te përmbushjes së detyrimeve ligjore të saj, por edhe drejt rritjes së përgjegjshmërisë së saj sociale.

Ne raportin e publikuar se fundit Banka e Shqiperise, bën të ditur se, në punën e saj, synon të ruajë dhe të forcojë më tej vlerat shoqërore, të rrisë ndërgjegjësimin e punonjësve të saj në drejtim të mbështetjes së shtresave në nevojë apo të kauzave të ndryshme sociale, si dhe të ruajë e të zhvillojë më tej trashëgiminë kulturore dhe akademike të vendit.

Shembuj të këtyre përpjekjeve janë iniciativat për mbështetjen e kërkimit akademik, për edukimin financiar, për krijimin e një ambienti motivues dhe jodiskriminues për punonjësit, etj. Vitet e fundit, Banka e Shqipërisë është angazhuar edhe në aktivitete vullnetare për të kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës të komuniteteve në nevojë apo për t’iu përgjigjur ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit. Mbështetur në ligjin “Për Bankën e Shqipërisë”, kjo e fundit nuk mund të akordojë ndihma financiare apo donacione të ndryshme.

Gjithsesi, gjatë vitit 2015, në kuadër të përgjegjësisë sociale dhe ndjeshmërisë qytetare, punonjësit kanë kontribuar vullnetarisht në aktivitete të ndryshme humanitare dhe mjedisore si një reagim moral ndaj realizimit të qëllimeve të përbashkëta komunitare.

Në bashkëpunim me “Kryqin e Kuq Shqiptar”, në shtator 2015, punonjës të Bankës dhuruan vullnetarisht gjak, si një akt human për t’u ardhur në ndihmë personave në nevojë. Në fund të vitit, në ambientet e bankës u organizua shitja e kartolinave të përgatitura nga fëmijë të fshatit “SOS” me rastin e festave të fundvitit. Gjithashtu, punonjësit kanë ofruar një kontribut të rëndësishëm monetar për blerjen dhe mbjelljen e fidanëve të rinj. Ky kontribut u shtohet nismave për shtimin e hapësirave të gjelbra në qytet dhe rritjen e cilësisë së ambientit ku jetojmë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button