Libri

Të kultivosh estetikën

Nga Ardian Vehbiu

Të botosh një revistë letrare në shqip: por nga ta nisësh? Ndoshta nga formati vetë: edhe PDF e shkarkueshme, që në fakt rimerr modelin tradicional të një reviste të shtypur; edhe faqe aktive online. Këtu ka nevojë për bashkërendim, në mënyrë që të shfrytëzohen epërsitë e të dy opsioneve. Veçanërisht, faqja online përditësohet më shpejt dhe jep mundësi për zgjidhje specifike, të tilla si blogu individual, ose listat e botimeve të reja letrare, ose të librave më të shitur; ose letra nga lexuesit dhe forume tematike me të ftuar të fushës. Një revistë letrare sado ekumenike të dëshirojë të jetë dhe sado tolerante ndaj rrymave, duhet të krijojë një profil të vetin, të mbajë një qëndrim, të pozicionohet ndaj kundërtive të mëdha në debatet kulturore të hapësirës shqiptare, madje edhe kur këto pasqyrojnë dhe pasqyrohen në politikë. Letërsia do të jetë edhe e angazhuar; dhe angazhimi nuk vjen në një drejtim vetëm. Ky profil do të krijohet me kohë, nuk ka pse të deklarohet menjëherë me manifest ose statut; sikurse nuk ka as pse të luftohet, në emër të tolerancës ose të funksionit “tryezë”. Dhe, çfarë më duket e rëndësishme, profili nënkupton edhe një qëndrim se çfarë do të lihet jashtë faqeve të revistës; paçka se kjo çështje është gjithnjë taktike. Kjo revistë letrare duhet mbajtur gjithsesi larg televizionit dhe filozofisë televizive, e cila duket t’i ketë kolonizuar mediat e tjera shqip online. Televizioni sot ka burime financiare dhe njerëzore të tilla që të bëjë ligjin, madje edhe në fusha ku tradicionalisht nuk do të guxonte të konkurronte; por ka edhe një kulturë, që ende lufton dhe përpiqet të mbijetojë, pa iu nënshtruar këtij sundimi. Le të themi, pra, se duhet një revistë letrare si anti-televizion, ose alternativë ndaj këtij mediumi kaq masiv; e cila do të ndihmonte edhe për ta ripërkufizuar hapësirën e masmediave dhe rrethprerjen e saj me hapësirën kulturore-letrare.

Revista do të ishte vendi ideal për kultivimin e eseistikës, përfshi edhe eseistikën letrare, një zhanër që ende nuk e ka fituar plotësisht qytetarinë në hapësirën shqipe; dhe kjo mund të arrihej edhe duke botuar, në krye, një numër esesh të tilla të përkthyera – nga autorëmjeshtër të fushës, si Umberto Eco ose Milan Kundera ose David Foster Wallace. Shkrimtarët dhe njerëzit e letrave në përgjithësi, kanë dhuntinë e të shkruarit mirë; dhe kjo nuk vlen vetëm për sferën e fiction-it.

Dhe meqë flasim për fiction, një revistë letrare online do të tërhiqte më shumë lexues, sikur të specializohej në botimin dhe promovimin e formave dhe zhanreve të tilla letrare, të cilat i përshtaten mediumit. Kemi parë të shkruhen deri edhe romane në Twitter, ose duke shfrytëzuar pikërisht kufizimet e mediumit; në fakt, interneti favorizon forma të shkurtra, ose serializime ku segmentimi të kushtëzojë edhe vetë strukturën e rrëfimit. Dhe këtu mund të kishte vend edhe për eksperimentime që deri dje do të kishin mbetur krejt jashtë vëmendjes së lexuesit, p.sh. një narrativë me shumë autorë.

Më në fund, ka vend për një qasje të re, bashkëkohore, për gjuhën; dhe këtu nuk kam fare parasysh përdëllimet e tipit “gjuha jonë sa e mirë”, as listat me emra barishtesh “të mbledhura në krahinën e Therepelit” dhe as lista të tjera me fjalë të huaja “për t’u zëvendësuar” ose me fjalë “që kanë krijuar shkrimtarët”. Në këtë pikë po vazhdojmë të rrejmë veten me folklor dhe kemi mbetur shumë mbrapa: mbrapa botës, por edhe mbrapa vetë zhvillimeve letrare në shqip. Edhe një herë, suksesi i kësaj përpjekjeje do të varej, në masë të madhe, nga gatishmëria dhe guximi për të lënë jashtë qasje të caktuara, të cilat e kanë shteruar ciklin e tyre; dhe për t’u hapur vend qasjeve të reja, ku shqipja të mos trajtohej si monument kulture që mbrohet nga shteti, por si realitet i gjallë dhe dinamik, që ka nevojë para së gjithash të çlirohet nga ideologjitë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button