Libri

Të mos takohesh kurrë me lumturinë

Theodore Roethke

Theodore Roethke nuk e takoi kurrë lumturinë. As dashuritë më të mëdha që u shfaqën para tij, nuk mundën t’i jepnin orë që ta bënin të lumtur. Ai mbeti gjithë jetën peng i errësirës që e pushtoi ashtu papritur, dhe që nuk e la të hapte dyert e gëzimit. Janë shkruar shumë biografi për Roethken, një prej poetëve të rëndësishëm të shekullit të XIX, duke sjellë një dimension tjetër përtej vargjeve të tij. Botimi pak kohë më parë i letrave të tij private, do të nxirrnin në pah trishtimin e gjatë që e kishte shoqëruar poetin gjatë.

Theodore Roethke lindi më 25 maj të vitit 1908, në Saginou, Miçigan. Si djalë i ri, kalonte shumë orë duke luajtur në serën me sipërfaqe prej 25 akrash në pronësi të babait dhe xhaxhait të tij dhe përvojat që pati aty do të ndikonin në shumë prej shkrimeve të mëvonshme. Një tjetër ndikim do të shfaqej kur Roethke ishte 14 vjeç dhe mori dozën e parë të tragjedisë. Xhaxhai i tij vrau veten dhe babai i vdiq nga kanceri. Të dyja këto qenë ngjarje emocionale, të cilat të shoqëruara me episode depresive që e goditën rregullisht do të përcaktonin rrjedhën e jetës së poetit.
Roethke studioi për gjuhë angleze në Universitetin e Miçiganit në Ann Arbor dhe u diplomua me magna cum laude në vitin 1929. Pikërisht këtu filloi të shkruante poezi, ndërthurur me orët që kalonte me shkrimin akademik. Duke ndier se nuk përshtatej sa duhej, Roethke shkoi nga Miçigani në Harvard dhe u kthye përsëri në Fakultetin Juridik, por zhgënjimi nga studimet e veta dhe ardhja e Depresionit të Madh, e detyruan ta braktiste.
Pasi mori vendimin që donte të ushtronte mësimdhënien, Roethke përfundoi masterin për Gjuhë Angleze në Universitetin e Miçiganit. Por, stresi nga pakënaqësia ndaj vetes dhe rraskapitja për shkak se përpiqej të jetonte sipas mënyrës së vet, i shkaktuan një krizë mendore në vitin 1935, që ishte e para nga disa të tilla që e detyruan të shtrohej në spitalin Mercywood Sanitarium. Gjatë kësaj periudhe, koleksioni i tij i parë me poezi ishte në proces e sipër dhe punoi me të për dhjetë vjet para se botimi të shihte dritën në vitin 1941, me titullin Open House (Shtëpia e Hapur). Libri u prit mirë dhe i hapi Roethkes udhën drejt fushës së letërsisë. Sapo përfundoi masterin, poeti filloi të jepte mësime në poezi në Miçigan, ku shumë shpejt u bë profesor mjaft i njohur. Ndërkohë, nga shoqërimi dhe qëndrimi me studentët Roethke kuptoi se po sakrifikonte veten për punën, duke lënë pas dore krijimtarinë për të përmbushur detyrat akademike. Kjo e shpuri në depresion të mëtejshëm dhe në vitin 1945 pësoi krizën e dytë mendore. Roethke u frymëzua nga shpirti transcendentalist i kolosëve të letrave amerikane Emerson dhe Henry Davi Thoreau, por vepra e tij u frymëzua nga fëmijëria e vet, serra e të atit, duke u dhënë poezive të tij ngjyrime origjinale. Vërtet nuk botoi shumë libra, por ato që shkroi ranë në sy të kritikëve dhe fama e tij u përhap gjithandej. Dy koleksionet pas vëllimeve Shtëpia e Hapur, The Lost Son and Other Poems (Biri i humbur dhe Poema të tjera) (1948) dhe Praise to the End! (1951), u pasuan nga vëllimi Zgjimi, që i dha çmimin Pulitzer në vitin 1954. Në sajë të suksesit pati mundësinë të miqësohej me të tjerë poetë si W. H. Auden dhe Uilliam Karlos Uilliams, dhe iu dhanë pozicione të ndryshme mësimdhënieje në kolegje të ndryshme, si Penn State, Bennington College dhe Universiteti i Uashingtonit. Fatkeqësisht, ky sukses u godit nga sëmundje mendore të vazhdueshme dhe me kalimin e kohës krizat bëheshin gjithnjë e më të shpeshta. Veprat e tij të vona përfshijnë Fjalë për Erën (1958), Unë jam! Thotë Qengji(1961), Festë në Kopshtin Zoologjik (1963; një libër për fëmijë me ilustrime) dhe Fusha e Largët(1964). Kjo e fundit u botua një vit pas vdekjes së poetit më 1 gusht të vitit 1963, për shkak të një goditjeje në zemër teksa notonte në pishinën e një miku. Ky vëllim i dha edhe çmimin “National Book” në vitin 1965. Gjatë karrierës si poet, veprat e tij të mëdha përfshijnë vëllimet “Shtëpia e Hapur”, “Fjalët për Erën” dhe “Fusha e largët”. Roethke fitoi çmimin Pulitzer për vëllimin poetik Zgjimi në vitin 1954 dhe Çmimin Kombëtar për Librin në vitin 1965 për Fusha e Largët. Roethke u martua me Beatrice O’Connell në vitin 1953. Ajo do të kujdesej për shëndetin e tij, dhe pas vdekjes do të përmblidhte në një libër poezitë e mbetura.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button