Te ndryshme

Të shkruash me laptop apo me dorë, si është më mirë?

Prej më se një shekulli, kërkuesit kanë analizuar mënyrën më të efektshme për të mbajtur shënime. Tani ata thonë se kanë zbuluar se shkrimi i dorës ka shumë pasoja pozitive

Laptopi dhe aplikacionet e organizimit i bëjnë lapsat dhe letrën të ngjajnë antike, por shkrimi i dorës duket se shton vëmendjen në klasë dhe nxit mësimin në një mënyrë që mbajtja e shënimeve nuk e bën, sugjerojnë studimet e reja.

Studentët që merrnin shënime me dorë përgjithësisht dilnin më mirë sesa studentët që i mbanin shënimet me kompjuter, zbuluan kërkuesit e Universitetit Princeton dhe Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos.

Krahasuar me ata që i shtypnin shënimet, njerëzit që i shkruajnë me dorë duket se mësojnë më mirë, e mbajnë informacionin më gjatë në mendje dhe janë më të gatshëm të krijojnë ide të reja, sipas eksperimenteve nga kërkuesit, të cilët krahasuan teknikat e marrjes së shënimeve.

“Shënimet me shkrim e nxisin më shumë mendimin tim sesa shtypja në tastierë”, tha psikologu Kenneth Kieura nga Universiteti i Nebraskës në Linkoln, që studion ndryshimet në mënyrën se si ne i marrim shënimet dhe organizojmë informacionin.

Që nga shkrimet e lashta në papirus, mbajtja e shënimeve ka qenë një katalizë për alkiminë e mësimit, duke e kthyer atë që dëgjojmë në një regjistrim ku mund të mbështetesh për studim të thelluar dhe grumbullim të informacionit më vonë. Në fakt, mbajtja shënim e gjërave entuziazmon trurin dhe fantazinë e tij, tregojnë studimet. “Mbajtja e shënimeve është një proces mjaft dinamik”, tha psikologu konjitiv, Michael Friedman, nga Universiteti i Harvardit, që studion sistemet e mbajtjes shënim. “Ne po transformojmë atë që dëgjojmë në mendjet tona.”

Kërkuesit kanë studiuar strategjitë e mbajtjes shënim prej më shumë se një shekulli. Vetëm kohët e fundit, ata u përqendruan te ndryshimet e shkaktuara nga mjetet që përdorim për të marrë informacion. Marrja e shënimeve me një laps, krijuar së pari në masë në shekullin e 17, nuk është edhe aq e ndryshme nga përdorimi i një stilografi më 1827-n apo shënjuesit me ngjyrë të patentuar më 1910-n.

Sot, megjithatë, të gjithë studentët kanë kompjuterë të lëvizshëm dhe me leksionet si mjeti kryesor udhëzues, kërcitja e tastierave është sfondi i të gjithë mësimit në universitete.

Përgjithësisht, njerëzit që mbajnë shënime në klasë me një laptop marrin më shumë shënime dhe e kanë më të lehtë të kopjojnë një leksion sesa ata që shkruajnë me laps dhe stilolaps, kanë zbuluar kërkuesit. Studentët zakonisht i shtypin leksionet në një normë prej 33 fjalësh në minutë. Njerëzit që shkruajnë me dorë krijojnë 22 fjalë në minutë.

Në aspektin afatshkurtër, shtypja duket se ta shpërblen. Kërkuesit e Universitetit të Uashingtonit më 2012-n zbuluan se ata që merrnin shënime me laptop, të testuar menjëherë pas mësimit, kujtonin më shumë sesa ata që shkruanin me dorë.

Çdo avantazh është në fakt i përkohshëm. Vetëm pas 24 orësh, ata që merrnin shënime me laptop i harronin ato që kishin shkruar, thanë disa studime. Informacioni që ata merrnin ishte shumë sipërfaqësor.

Përkundrazi, ata që mbanin shënime mund të mbanin më shumë mend nga leksioni në aspekt afatgjatë dhe i kuptonin më mirë konceptet edhe pas një jave. Procesi i mbajtjes shënim futej më thellë në kujtesë, po ashtu ishin të organizuara më mirë.

Në tri eksperimente gjatë vitit 2014, psikologët Pam A. Mueller në Princeton dhe Daniel Oppenheimer nga UCLA, analizuan studentët që dëgjonin leksione dhe mbanin shënime me laps e letër ose në tastierë. 67 studentë u testuan menjëherë pas leksionit dhe pastaj një javë më vonë, pasi iu dha mundësia të përsërisnin shënimet.

“Ata që shkruanin shënimet me dorë kishin marrë më pak fjalë shënim, por mendonin më intensivisht rreth materialit teksa shkruanin dhe ‘përtypnin’ më shumë informacion”, raportoi revista “Shkenca Psikologjike”. “Gjithë ajo përpjekje të ndihmon të mësosh”, tha dr. Oppenheimer.

Ata që përdornin laptopin merrnin shënime në mënyrë robotike duke shënuar vetëm fjalë për fjalë. Kur u testuan ata që merrnin shënime me dorë, dolën më mirë sesa ata që mbanin shënime me laptop. Pasja e shumë shënimeve për të parë nuk do të thotë se ato mbahen mend.

“Për ironi, mundësia e ofruar nga laptopi për të mbajtur shënime më shpejt po pengon mësimin”, tha dr. Kieura.

Në një eksperiment, dr. Mueller paralajmëroi studentët se përdorimi i laptopit i çonte drejt mbajtjes së shënimeve të pavëmendshme dhe dëmtonte performancën e tyre më vonë. “Tendenca është e vështirë të thyhet, të kthehet në zakon të shkruash vazhdimisht, edhe pse nuk të nxit performancën.”

Auditorët e Universitetit Princeton janë të mbushur me studentë, ku dy e treta i marrin shënimet me laptop. Por sado pak shënime, këto janë më mirë se hiçgjë, tregojnë studimet. Ndërsa shënimet me dorë mbahen mend më lehtësisht, ka vend për përmirësim.

Kërkimet tregojnë se studentët zakonisht shënojnë vetëm një të tretën e informacionit që jepet. Për më tepër të përqendruar te fjalët, njerëzit nuk arrijnë të kapin kontekstin dhe detajet kyçe.

Për më tepër kërkon përqendrim, pasi procesi i mbajtjes shënim mund të jetë në vetvete shpërqendrues. Ka raste kur vetë profesorët ndalojnë mbajtjen e shënimeve për të pasur përqendrim të plotë te fjala e folur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button