Të vjetrit apo të rinjtë ?
Mbresa e parë e Papa Françeskut, në udhën nga Rinasi në Tiranë, ishin të rinjtë, çka Ati i Shenjtë e shprehu me admirim, thënë ndryshe, që ne shqiptarët jemi një popull i ri. Edhe pse ka filluar dhe këtu plakja e popullsisë si në vendet e tjera europiane, ende kjo nuk duket problematike, ndaj është koha për ta ruajtur këtë rinim të popullatës, jo me fjalë, po me tregues demografikë, si dhe për ta trajtuar “brezin e ri” përtej parullave joshëse, që qeveritë dhe shoqëria civile i kanë për zemër. Një rini e lënë në rënien e vet të lirë, po të përdorim terma të fizikës, është plakja më e madhe e popullsisë së një vendi. Është një temë kaq e gjerë kjo dhe ne po ndalemi vetëm në një anë, si dhe sa përgjegjësi duhet të marrin të rinjtë në jetën sociale, politike dhe akademike? Në administratë, biznes, nismat dhe aksionet qytetare etj. Kur thuhet kjo, zakonisht ka rrudhje buzësh, “kanë kohë ata”, “të piqen njëherë” etj. Po cila është situata sot brenda dhe rreth e përqark nesh? Kryeministri 39-vjeçar i Italisë është më i riu në historinë e vendit fqinj në krye të qeverisë, që e mori votëbesimin e senatit pa ngurrimin më të vogël të askujt. Kryeministra të rinj ka pasur jo vetëm Anglia e të tjerë, po dhe Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia. Në këto të fundit, si vende të dala nga diktaturat e gjata, shpesh nuk u zbatua asnjë farë kufiri moshor i pashkruar, për të qenë të paktën 40 vjeç dikush që merr postet kryesore në shtet. Në qeveritë shqiptare të tranzicionit ka pasur më shumë ministra të rinj se të vjetër, ndryshe nga regjimi i kaluar. Asgjë më pak nuk është bërë nga të rinjtë, në mos më shumë, të cilët mungesën e përvojës e kanë kompensuar me energjinë e moshës. Ndryshimet në politikë kanë ndodhur dhe në lidershipin politik të partive. Kryetari i PD-së është 40-vjeçar. Kaq ka qenë kur e ka marrë drejtimin e PS-së dhe kryetari aktual i saj dhe ende më i ri ai i LSI-së kur u krijua kjo parti. Nëse Partia Demokratike e “xhaketave të bardha” të dikurshme është përpjekur ta ruajë balancën mes të vjetërve dhe të rinjve gjatë pushtetit të saj të fundit, Partia Socialiste, ashtu siç pati paralajmëruar, i la në stol “xhaketat e vjetra” (jo pak prej tyre në moshë të re), duke shkaktuar mbase shqetësim te disa politikanë karriere, ani se të paartikuluar publikisht. Nuk është në fokusin e këtij shkrimi nëse kjo gjë duhej bërë kështu apo jo, u takon socialistëve ta gjykojnë, porse mendja ta do se brezat në një shoqëri moderne ndërthuren e shtresëzohen, pa krijuar ndarje mes tyre. Është e njohur përplasja e brezave dhe në jetën njerëzore. Bijtë mendojnë se të vjetërve u ka ikur koha, kurse këta të fundit nuk duan t’i dorëzojnë frenat e pushtetit të tyre prindëror nga frika se të rinjve u rrëshqasin punët nga duart. Mirëpo nuk është as njëra, as tjetra. Në thelb i ri apo i vjetër është të menduarit dhe jo mosha e atij që mendon. Mosha tjetërkund duhet parë, aty ku kërkohen energji dhe dinamikë pune. Paradokohe, në një takim me njerëz të Policisë, Kryeministri tha se me gjithë respektin ndaj tyre, të vjetrit do të largoheshin prej saj. Kjo është e logjikshme kur bëhet fjalë për një trupë policore, që nuk mund të funksionojë pa forcën fizike, por të moshuarit nuk ka pse (domosdoshmërisht) të largohen nga katedrat, klinikat dhe laboratoret shkencore, pse u ka ardhur mosha e pensionit.
Plakja e shoqërisë është një kërcënim real jo vetëm në anën sociale. Në atë politike ajo nuk rinohet duke ricikluar në pushtet njëherë në 4 apo 8 vite të njëjtët njerëz që rrinë në strehën e politikës që nga ‘90-a, duke menduar se e kanë te partia hipotekën e tyre të vlerave. Këta jo vetëm që u ngjajnë ish-partizanëve që kërkonin favore prej meritave të Luftës dhe në ‘90-n, por pengojnë dhe vërshimin e të rinjve në politikë, ua humbasin atyre shansin, duke u thënë “luftoni dhe ju si ne”, niseni nga të qenët “ushtar” etj. Por kjo nuk është alternativa e vërtetë konkurruese nuk ka nevojë për “stazh partie” si dikur për të konkurruar në politikë. Ashtu siç nuk është me vend as ta katapultosh dikë pa merita në politikë, që ky apo ai të ngjitet në hierarkinë politike pa u ushtruar aspak në lëmin politik. Shto pastaj nepotizmin që është “sëmundja e shekullit” e partive, zyrave, administratës, ku lulëzon mediokriteti frymëzënës i çdo gjëje. Ende nuk është kuptuar se në politikë vihet për të shërbyer dhe nuk mund të qëndrosh si sekretari i Partisë dikur, o brigadier, o kryetar këshilli, o përgjegjës sektori, o shef kuadri.
Na duhet të nxjerrim mësime nga e kaluara. Ka ndodhur jo vetëm mbajtja peng e lidershipit politik, po dhe shuarja e elitës së mëparshme politike e kulturore. Në vitin 1944 u ndërpre administrata e regjimit mbretëror, që nuk ishte e vjetër, por dhe letërsia e kultura e brezit paraardhës. Kështu pushoi së ekzistuari letërsia e traditës së vonë dhe u stimulua një letërsi e re revolucionare e autorëve të viteve ’30 dhe atyre të kohës së luftës. Tjetër do të kishte qenë panorama sociale, kulturore, letrare shqiptare nëse nuk do të kishte pasur ndërprerje të gjithçkaje, pavarësisht ndryshimit të regjimit. U krijuan presidiumet e reja politike e akademike, tjetër sa ato ishin vërtet të reja, përpos moshës së ardhësve të rinj dhe kundrajës ideologjike. Edhe sot nuk mund të thuash se çdo e re sjell detyrimisht të renë, ta zëmë një forcë politike që zgjedh njerëz të rinj në forumet e saj, por lë jashtë figura të spikatura politike, as 50-vjeçarë. Kur kjo shmangie ndodh me elitat e reja politike, në cilindo krah politik qofshin, është shenjë se e vjetra ende nuk ka lëshuar terren mjaftueshëm, në vend që të lejohen dhe fraksionet, të cilat në ligjërimin tonë politik janë një “shfaqje e huaj” që nga themelimi i PKSH-së në 41-shin. Dhe ku më parë se në Partitë Demokratike, liberale pritet ky ndryshim, që dhe pse i vonuar, në politikën tonë nuk po ndodh?
Të vjetrit apo të rinjtë? Ndoshta askund tjetër nuk mund të shtrohet kjo si në vendet postkomuniste, ku “etërit” nuk e lëshojnë anën e oxhakut dhe gurin e caranit. Një shoqëri mund të mplaket dhe me të rinj, nëse nuk gjenerojnë idetë e reja, sidomos në politikë ku përpunohet vizioni i së nesërmes, por politika është gjithmonë një projekt për ndryshim dhe të rinjtë e kanë sensin e “kohës së duhur” më shumë se të tjerët. Kësisoj lypet një tjetër hapësirë shpirtërore, morale, politike, shtetërore ndaj të rinjve.