Teknologjia po e shkatërron librin, apo po i jep jetë të re?
Libri vdiq, jetë të gjatë librit! Teknologjia dixhitale ka një efekt thelbësor tek botuesit tradicional të librave, por a i ka dhënë librit një jetë të re? Në një analizë të saj, BBC shkruan se për momentin rritja e shitjes së librave online me çmime të ulëta, si Kindle i Amazon apo Barnes and Noble’s Nook, përbën një kërcënim për botuesit dhe shitësit e librave.
“Vetë literatura e gjen veten në një luftë me internetin”, thotë Jim Hinks, redaktor dixhital i Comma Press.
Por ndryshe nga sa pritej, libri i printuar po i mbijeton “vëllait” të tij librit online, dhe teknologjia po ndihmon botuesit dhe shitësit të arrijnë audiencë të re dhe të gjejnë mënyra të reja për të treguar histori.
Ndërsa nuk mund të mohohet se shitja e librit të printuar ka marrë një goditje masive me rritjen e dixhitalizimit, analizon BBC, ka disa të dhëna që tregojnë një rënie të interesit të konsumatorit ndaj leximit dixhital.
A ka rëndësi formati?
Ka një sërë shërbimesh që po përpiqen të kapërcejnë hendekun mes librit fizik dhe atij dixhital, duke zgjeruar përkufizimin e atij që quhet libër.
Në 2014 u zhvillua një eksperiment në Britani. “The Little Girl Who Lost Her Name”, (Vajza e vogël që humbi emrin), ishte libri i printuar që mund të individualizohet nga ana dixhitale, duke përfshirë edhe emrin e fëmijës që po e lexon atë. Ky libër ishte në krye të listës së librave për fëmijë në Britani dhe Australi.
Kompania spanjolle SeeBook ofron libra online nga ata fizikë. Mjafton të skanosh kodin QR tek libri i printuar dhe mund të shkarkosh librin nga smartphone-i apo tableti. “Disa librari e shohin ende dixhitalizimin si një përbindësh të madh që do t’i hajë”, thotë drejtoresha e SeeBook, Rosa Sala Rose.
“Libri nuk ka vdekur; teknologjia thjesht po e ndihmon të dalë nga kufijtë e tij fizikë. Jetë të gjatë librit!”, përfundon analiza e BBC-së.