Tenderat publikë, të rregullt edhe nëse paraqitet vetëm një kompani
Tenderat publikë do të konsiderohen të rregullt edhe nësë paraqitet vetëm një kompani.
Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të hënën ndryshimet në ligjin “Për prokurimin publik”. Aktualisht ligji parashikon që në garë të marrin pjesë shumë kompani me ofertat e tyre, në mënyrë që oferta më e mirë të shpallej fituese.
Një problematikë e evidentuar nga deputetët e mazhorancës, por që nuk arriti të marrë zgjidhje ishte ajo që lidhet me parashikimet ligjore për kompanitë garuese në tendera publikë. Ligji përcakton si detyrim që kompanitë të kenë eksperiencë të mëparshme në projekte të ngjashme me atë për të cilin konkurrojnë.
Por ky kriter, sipas deputetëve të mazhorancës, ka sjellë përqëndrim të tenderave publike në vetëm pak kompani duke iu mohuar të drejtën kompanive të reja që kanë burimet njerëzore dhe mundësitë për realizimin e projektit.
Një ndryshim tjetër i miratuar nga komisioni është ai që heq detyrimin e kompanive pjesëmarrëse në tendera për të dorëzuar sigurimin e ofertës në masën 2 për qind.