Tenderët: Bizneset ankimuan procedura me fond limit total 243 milionë euro
Raporti vjetor i Komisionit të Prokurimit Publik zbulon se pranë tij vitin e kaluar janë depozituar 1052 ankesa, ku për 1044 prej tyre, Komisioni i Prokurimit Publik ka dalë me vendimmarrje gjatë vitit 2019.
Gjatë 2019, vijon që numrin më të madh të ankesave e zënë, ato në lidhje me procedurat e prokurimit për ofrimin e shërbimit privat të sigurisë fizike dhe shoqërim të vlerave monetare me 407 ankesa nga 1044 në total ose 39 % duke shënuar një ulje, krahasuar me 53.6 % që ka qenë pesha e këtyre ankesave në vitin 2018.
Por cili është grupi i tenderave më i ankimuar nëse marrim si referencë vlerën e fondit limit. Sipas të dhënave zyrtare të paraqitura nga KPP referuar 6 intervaleve të fondeve limite të procedurave të prokurimit/ankandeve/lejeve minerare dhe koncesioneve/PPP, shqyrtuar gjatë vitit 2019, konstatohet se 45.05 % e ankesave të administruara pranë Komisionit të Prokurimit Publik gjatë vitit në raportim, lidhen me procedurat me fond limit nga 1,000,001 lekë pa përfshirë vlerën e TVSH deri në 5,000,000 lekë pa përfshirë vlerën e TVSH.
KPP vlerëson se lidhur me kategorizimin e ankimeve sipas fazës së procesit për të cilin është paraqitur ankimi, rezulton se nga totali i ankesave të shqyrtuara 211 ankesa ose 20 % e ankesave në total, janë paraqitur për kundërshtimin e kritereve të vendosura nga autoritetitet kontraktore në dokumentat e procedurave përkatëse, 841 ankesa ose 80 % e ankesave në total, janë paraqitur lidhur me vendimet e autoriteteve kontraktore në fazën e vlerësimit të ofertave.
Sa i takon ankesave në fazën e vlerësimit të ofertave raporti zbulon arsyet e dhëna nga bizneset ku së pari është cilësuar skualifikim i padrejtë dhe i pabazuar në ligj dhe në rregullat e prokurimit i ankimuesit nga ana e autoriteteve kontraktore për mospërmbushje të kritereve kualifikuese dhe/ose specifikimeve teknike.
Së dyti kualifikim i padrejtë dhe i pabazuar në ligj dhe në rregullat e prokurimit i ofertuesve të tjerë të ndryshëm nga ankimuesi duke u anashkaluar kërkesat e vendosura nga vetë autoritetet kontraktore për përmbushje të kritereve kualifikuese dhe/ose specifikimeve teknike;
Së treti mosrespektimi i rregullave për njoftimet dhe komunikimin me pjesëmarrësit në një procedurë prokurimi; Së katërti mosrespektimi i afateve dhe procedurave të kualifikimit dhe përzgjedhjes nga autoritetet kontraktore, duke kërkuar anullimin e procedurës.