Ekonomia

Tenderët për blerje të vogla prokuruan 58% më pak se sa fondi limit më 2016

Agjencia e Prokurimit Publik ka kursyer 58% të vlerës në prokurimet me vlerë të vogël gjatë vitit të kaluar. Nga 7.5 miliardë lekë që ishte fondi limit për blerjet me vlera të vogla u prokuruan vetëm 3.1 miliardë lekë dhe u kursyen 4.9 miliardë lekë.

Sipas APP-së, kursimi i më shumë se gjysmës të fondit të shpallur për prokurim shpjegohet me rregullin, sipas të cilit, autoritetet kontraktore mund të përzgjedhin fituesin vetëm ndër pesë operatorët ekonomikë të klasifikuar të parët (pra 5 ofertat më të ulëta).

Përcaktimi i këtij rregulli është bërë duke pasur parasysh numrin e lartë të ofertuesve në procedurat e prokurimit me vlerë të vogël për të shmangur zvarritjen e procedurës dhe shtyrjen e saj në kohë duke humbur kështu qëllimin kryesor të saj, zhvillimin në një kohë sa më të shkurtër.

Nga të dhënat evidentohet edhe numri relativisht i lartë i procedurave të anuluara nga autoritetet kontraktore, duke pasur parasysh që nga 21 914 procedura të shpallura, 4904 ose 22% e tyre janë anuluar, numër ky që është më i madh, krahasuar me ato të anuluara në vitin 2015 (2607).

Mesatarja e ofertave në prokurimet me vlerë mbi 800.000 lekë është rreth 4 oferta për procedurë, kurse në procedurat e prokurimit me vlerë të vogël kjo mesatare shkon rreth 22 oferta për procedurë, duke shënuar rritje nga viti 2015 ku kjo mesatare ka qenë 14 oferta për procedurë.

Procedurat e prokurimit me vlerë të vogël vazhdojnë të zënë numrin më të madh të procedurave të zhvilluara në sistemin elektronik, duke qenë se janë procedura të thjeshtuara në krahasim me llojet e tjera të procedurave konkurruese si në drejtim të kritereve për kualifikim ashtu edhe në drejtim të afateve të reduktuara brenda të cilave zhvillohen. Prokurimet me vlerë të vogël janë lehtësisht të zbatueshme nga Autoriteti Kontraktor dhe lehtësisht të aksesueshme nga Operatorët Ekonomikë, sidomos ata të biznesit të vogël dhe mesëm që janë edhe ofertuesit kryesorë në këto lloj procedurash.

Nga të dhënat rezulton se në krahasim me vitin 2015 ku janë zhvilluar gjithsej 19 828 procedura prokurimi me vlerë të vogël, gjatë vitit 2016 ka pasur një rënie të numrit të tyre me 17 010 procedura gjithsej të përfunduara me njoftim fituesi.

Ndërkohë, e njëjta tendencë vihet re edhe po të krahasojmë vlerat respektive prej nga rezulton se fondi i prokuruar me këtë lloj procedure gjatë vitit 2016 (7,535,592,143) është dukshëm më i vogël se fondi i prokuruar në vitin 2015 (10,261,006,899).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button