Tensionet Rusi-Perëndim: Luftë e Tretë Botërore, apo Luftë e Dytë e Ftohtë?
Kur Vladimir Putin u zgjodh president i Federatës Ruse në vitin 2000, shumë personave brenda dhe jashtë Rusisë në kokë u vërdalliseshin pyetjet: “Kush është ky Putin?” dhe “Ku po shkon Rusia?” Aktualisht, kanë kaluar 16 vite që kur Putin filloi me ceremoni detyrën në Pallatin e Kremlinit. Krahas periudhës 2008-2012, kur për shkak të detyrimeve kushtetuese në vend të tij kaloi Dmitry Medvedev, Putin tërë këtë periudhë ka qenë në kabinën e timonit të Rusisë. Përveç kësaj, gjithsecili ishte në dijeni se Putini ishte padroni i vërtetë pas perdes edhe gjatë periudhës sa ushtronte detyrën e kryeministrit.
Ndërsa brenda vendit sigurohej rend politik nëpërmjet politkave të fuqishme dhe konsekuente, jashtë vendit u hap rruga e një sigurie ekonomike me rritjen rekorde të çmimeve të naftës dhe gazit natyror. Në saj të kësaj, pas viteve me lëkundje dhe probleme të vërteta politike dhe ekonomike, Rusia e mileniumit të ri me Putinin filloi që sërish t’i kujtojë vitet e Rusisë së fuqishme dhe potente. Putin, i cili me ndihmën e karakteristikave të një lideri karizmatik që u përgjigjej pritjeve të popullit rus arriti të fitojë mbështetje të jashtëzakonshme te opinioni publik, arriti në kuptimin e plotë të fjalës ta rikthejë Rusinë në skenën ndërkombëtare.
Çdokush ndan mendimin e njëjtë se Rusia aktualisht është kthyer në arenën ndërkombëtare. Tjetër çështje për të cilën po ashtu çdokush ka mendim të njëjtë, është se me kthimin e Rusisë është kthyer edhe atmosfera e “Luftës së Ftohtë” mes viteve 1947 dhe 1991, për të cilën mendonim se kishte ngelur në librat e historisë. Në mënyrë serioze, ka arritur të bëhet e përfolur mundësia që kjo atmosferë, të cilën do të mund ta emëronim si “Lufta e Dytë e Ftohtë”, të shndërrohet në konflikt të ngrohtë. “Lufta e Parë e Ftohtë” që thuajse hipotekoi shekullin e kaluar, nuk arriti ta zvarritë botën drejt një “Lufte të Tretë Botërore”, edhe krahas të gjitha ftohtësive. Vallë, a e shtyjnë zhvillimet aktuale botën drejt “Luftës së Dytë të Ftohtë”, apo e shtyjnë drejt “Luftës së Tretë Botërore?”
Hise në arritjen deri në pikën ku gjendemi ka edhe Perëndimi, edhe Rusia. Pas Luftës së Ftohtë, Perëndimi nuk e pa Rusinë si një shtet i cili kapërceu mbetjet e fundit të komunizmit dhe si vend me të cilin mund të krijohet partneritet, por e pa si trashëgimtari natyror në çdo aspekt të kundërshtarit ideologjik, Bashkimit Sovjetik. Zgjerimi i BE-së dhe veçanërisht i NATO-s drejt kufijve të Rusisë edhe përkundër të gjitha kundërshtimeve nga ana ruse, përbëjnë shkakun themelor të mosmarrëveshjes. Kësaj mosmarrëveshjeje i kanë vënë flakën edhe më shumë operacionet të mbështetura nga Perëndimi për ndryshimin e qeverive në shtetet që më parë kanë qenë nën ndikimin e Rusisë. Krahas kësaj, shënjestrimi dhe poshtërimet drejtuar Rusisë, trashëgimtare kjo e ish-super fuqisë, Bashkimit Sovjetik, u bënë akte që çuan në ‘vlimin e gjakut’.
Me këto akte, Perëndimi nuk i la Rusisë asnjë alternativë përveç se të mendojë se Lufta e Ftohtë në fakt nuk paska mbaruar. Ndërkaq, Rusia e kthjelluar ekonomikisht dhe me rend të brendshëm, me vetëbesimin e rifituar filloi të zbatojë politika të “fuqisë së rreptë” të cilat ajo më së miri di t’i bëjë nën lidershipin e Putinit. Qoftë duke u nisur nga ndjenja e hakmarrjes, nga dëshira për revanshizëm, apo përpjekja për të tërhequr vëmendjen dhe respektin e merituar. Hapat të cilat i ka bërë Moska në lidhje me Gjeorgjinë, Ukrainën, Krimenë, Baltikun, Detin e Zi dhe së fundmi Sirinë përbëjnë efektet tipike të kësaj.
Si rezultat i këtij kontesti të ndërsjellë, jemi dëshmitarë të një përkeqësimi të madh i cili nuk është hasur që nga periudha e Luftës së Ftohtë në marrëdhëniet Rusi-Perëndim. Mes palëve që madje arritën ta tejkalojnë Krizën e Kubës që llogaritet kriza më serioze e Luftës së Ftohtë dhe arritën të ngelen në një atmosferë sigurie dhe komunikimi minimal përmes kanaleve të komunikimit siç ishte “Hotline”, tashmë vërehet një humbje tërësore e sigurisë.
Palët sfidojnë njëra-tjetrën përmes manovrave ushtarake në të cilat marrin pjesë me mijëra ushtarë dhe armë. Ashtu si asnjëherë më parë gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, avionët luftarakë dhe anijet luftarake po i afrohen njëra-tjetrës. Palët po garojnë në instalimin e sistemeve raketore të cilat shënjestrojnë njëra-tjetrën. Deklaratat politike janë përplot me mesazhe të ashpra dhe të rrepta si asnjëherë deri më tani. Është bërë shumë lehtë të aplikohen embargo ekonomike dhe ekonomike. Në disa shtete të NATO-s, kanë filluar sërish të futen në rend dite mobilizimi dhe aktivitetet për mbrojtje civile kundër kërcënimeve të mundshme. Ndërsa në Rusi, ka filluar të praktikohen prova përgatitore për luftë të mundshme, përfshirë edhe ndonjë sulm bërthamor.
Gjersa vazhdojnë të gjitha këto, ndryshe nga Lufta e Ftohtë, ditëve të sotme zhvillohet një luftë “hibride” në të cilën përfshihen sulmet kibernetike, dezinformimi, masat ekonomike dhe aktet diplomatike. Ndërsa fillimisht mes palëve kishte dialog të pjesërishëm në lidhje me Sirinë dhe ishte e hapur tryeza e bisedimeve nën korniza të “luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar”, ky bazament dialogu u zhduk kur SHBA-të vendosën t’i pezullojnë bisedimet, duke u jusfitifikuar me bombardimet ruse në Halep.
Për më tepër, pezullimi i marrëveshjes me SHBA-të për asgjësimin e platoniumit të tepërt rus të pasuruar në nivel për përdorim të mundshëm për prodhimin e armëve bërthamore, ishte vetëm njëri nga stacionet e këtij rrugëtimi. Vendimi i Rusisë për të dërguar aeroplanmbajtësen e vetme që nga fillimi i krizës në Siri, ka rritur edhe shtuar edhe më tepër tensionet. Së fundmi, shqetësimet i shtoi deklarata e drejtorit të MI5 britanik që për herë të parë po jepte intervistë për media që nga themelimi i saj para 107 viteve, i cili tha se “Rusia gradualisht është shndërruar në kërcënim për stabilitetin e Britanisë dhe Moska po përpiqet të arrijë synimet duke përdorur të gjitha mundësitë në dispozicion dhe metoda të komplikuara”.
Deshëm apo jo, në mendje lindin dy pyetje: A është ky tensionim shenjë e një lufte të dytë të ftohtë, apo shenjë e një lufte të tretë botërore? Duke shikuar tablonë e mësipërme, është e mundur ta parafytyrojmë një Putin i cili romanin e shkrimtarit të famshëm rus Lev Tolstoy “Luftë dhe Paqe” që gjendet në zyrën e tij në Kremlin e lexon vetëm pjesën “Luftë”. Vallë a është kështu? Në një fjalim që kishte mbajtur në vitin 2014 në Këshillin Federal, Putin, ndër tjerash, kishte thënë se “E tërhiqni perin e harkut deri në fund, por vjen dita kur kthehet dhe ju godet ju fuqishëm”. Kur shikohet Moska, peri i harkut mes botës perëndimore dhe Rusisë është tërhequr më shumë se sa nevojitet. Nëse Moska tani lëshon perin, ka gjasë që ai të godet fuqishëm. Duke shikuar nga dritarja e vet, Rusia në këtë gjendje dëshiron që Perëndimi të pushon së tërhequri harkun. Pra, ajo dëshiron që perëndimi ta dëgjojë dhe ta kuptojë atë.
Metafora e Putinit me harkun e shigjetës mund ta shpjegojë gjendjen nga prizmi i Rusisë, megjithatë, përballë nesh nuk kemi veprim të njëanshëm. Përkundrazi, ekziston tërheqje e litarit nga të dyja palët drejt vetes që gati sa nuk ka shkaktuar këputjen e tij. Me këputjen e litarit në mes, është bërë e mundur që dy palët të bien në gjendje që nuk e dëshirojnë as njëra e as tjetra. Sido që të jetë, duhet përmendur se aktualisht nuk ekziston një mjedis ideologjik i polarizuar sikurse gjatë Luftës së Ftohtë që t’i shtyejë palët drejt luftës. Të paktën për Rusinë nuk ekziston një pikëpamje ideologjike.
Nga ana tjetër, Rusia nuk posedon as forcë ushtarake e as politike sikurse paraardhësi i saj, Bashkimi Sovjetik. Mënjanë NATO-n, Rusia është e dobët deri në atë masë, saqë të mos mund të krahasohet ushtarakisht madje edhe me SHBA-të vetëm. Vendi si asnjëherë më parë ballafaqohet me probleme ekonomike për shkak të rënies së çmimeve të naftës dhe sanksioneve pas ngjarjeve në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë. Futja në rend dite e një lufte totale të Rusisë në gjendje të këtillë, mund të konsiderohet “Rulet rus” nga ana e Putinit. Po ashtu, as në bllokun transatlantik të përbërë nga SHBA-të dhe Evropa nuk vërehet një politikë e përbashkët dhe e qartë kundër Rusisë. Duke qenë kështu, pse atëherë marrëdhëniet janë kaq të tensionuara?.
Fillimisht, nga prizmi i Rusisë, marrëdhëniet e tensionuara me Perëndimin në krye me SHBA-të, kanë të bëjnë me kënaqjen dhe konsolidimin e opinionit të brendshëm. Nga një prizëm tjetër, Rusia kërkon me zë të lartë pozitën e dikurshme. Nga ana tjetër, Rusia e di se nuk mund të bëjë hapa serioz pa u formuar qeveria e re e SHBA-ve të cilat janë në atmosferën e zgjedhjeve presidenciale. Në fakt, me këto mosmarrëveshje, ajo që tani po përgatit dosje të reja diskutimesh dhe tregtish për qeverinë e re amerikane. Me qeverinë e re mund të bëhet një “politikë e resetuar” mjaft e mirë. Gjithsesi, politika e parë e resetuar kishte filluar në vitin 2009 kur Hillary Clinton ishte Sekretare e Shtetit.
Paratë që Rusia ka tubuar për ditë të zeza po shpenzohen me shpejtësi. Nëdrsa brenda shtohen problemet ekonomike, një mjedis i luftës me shtrirje të gjerë do të mund të rrënonte në mënyrë të papritshme bazamentin e regjimit të cilin Putini ka qëndisur si dantellë. Në aspektin ekonomik dhe ushtarak, Rusia është më e dobët sesa që duket dhe në pamundësi t’i kundërvihet Perëndimit e vetme. Ajo po ashtu mund të mos e ketë mbështetjen e shteteve si Kina, të cilat i sheh si aleatë tradicionalë. Pavarësisht të gjithave, qoftë edhe nëse del triumfuese nga një luftë e këtillë e gjerë, kjo fitore nuk do të ishte asgjë tjetër pos një fitore e Pirros e cila do t’i kushtonte me humbje shkatërruese. Ndërkaq, qëllimi i Perëndimit apo NATO-s nga një luftë gjithëpërfshirëse duket të ketë të bëjë me bindjen për heqje dorë nga praktikat aktuale.
Në këtë drejtim, do të ishte mirë ta rikujtonim një ngjarje që u reflektua nga Kremlini ditët që lamë pas. Kohëve të fundit, avionët ushtarakë rusë dhe amerikanë po luftojnë mbi Detin e Zi duke u afruar në distanca shumë të afërta nga njëri-tjetri. Pas afrimit të një avioni rusë në mënyrë të rrezikshme, në një mbledhje në Kremlin, një zyrtar i lartë, duke pasur për synim SHBA-të, kishte thënë se “E meritojnë këtë gjë”, me çka Putin kishte reaguar duke thënë: “Vi s uma sashli?!”, që domethënë “U çmendët?!”. Nga kjo mund të kuptojmë se situata e brendshme dhe e jashtme akoma i detyrojnë të mendojnë racionalisht “skifterët” brenda Kremlinit. Kjo gjë, nga ana tjetër, na tregon ne se nuk do të hyjmë në një Luftë Botërore, porse kemi hyrë në një periudhë të një Lufte të Dytë të Ftohtë.