Rajoni

Tërmeti me magnitudë 7.8 godet Turqinë dhe Sirinë/ Mbi 1300 viktima, moti vështirëson punën e ekipeve të shpëtimit

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi Turqinë dhe Sirinë këtë të hënë gjatë orëve të para të mëngjesit, duke shkaktuar qindra viktima. Qindra persona të tjerë raportohet se janë plagosur në të dy shtetet. Turqia gjendet mbi një nga linjat më të mëdha sizmike dhe shpesh goditet nga tërmetet, ndërsa epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep.

Ka pasur edhe tërmete pasuese, përfshirë edhe në shkallë prej 7.7, 6.7 apo 6 Rihter. Në të dy shtetet po zhvillohen operacione për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pas rrëzimit të ndërtesave, ndërsa në dy anët e kufirit, banorët ishin në gjumë kur goditi tërmeti. Në banor i qytetit turk, Adana, tha se tri ndërtesa pranë shtëpisë së tij ranë.

“Nuk kam fuqi më”, është dëgjuar të ketë thënë një prej të mbijetuarve, i bllokuar nën rrënoja, teksa ekipet e shpëtimit kanë bërë përpjekje që ta shpëtojnë, tha banori i Adanit, Muhammet Faith Yavus.

Në anën siriane të kufirit, tërmeti goditi rajonet e kontrolluara nga opozita, që jetojnë afër 4 milionë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Sirisë, për shkak të luftës civile në vend. Shumica prej tyre jetojnë në kushte të rënda dhe pa përkujdesje shëndetësore, teksa territoret ku gjenden ata janë të rrethuara nga forcat siriane. Turqia, ku ishte epiqendra e tërmetit, shpesh goditet nga tërmete të fuqishme. Afërsisht 18.000 persona janë vrarë nga tërmetet e fuqishme që kanë goditur shtetin në vitin 1999.

12:03  Erdogan: Katastrofa me e madhe qe nga termeti 1939 

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan e cilësoi si katastrofën më të madhe që nga tërmeti i vitit 1939 në Erzincan, tërmetin me magnitudë 7.8 në orët e para të mëngjesit.

Erdogan: Mëngjesin e sotëm në ora 04:17 na ka tronditur katastrofa më e madhe që nga tërmeti i vitit 1939 në Erzincan. Institucionet shtetërore me të gjitha shërbimet janë mobilizuar në rajonin e prekur nga tërmeti. Nga tërmeti në Turqinë kanë humbur jetën 912 persona ndërsa 5.385 janë plagosur. Vazhdojnë aktivitetet e kërkim-shpëtimit të qytetarëve tanë që kanë mbetur nën rrënoja në rajonet e goditura nga tërmeti. Më shumë se 900 shpëtimtarë aktualisht janë duke kërkuar të zhdukurit pas tërmetit, numri i shpëtimtarëve vazhdimisht po rritet. Deri më tani nga rrënojat janë shpëtuar 2.470 persona ndërsa numri i ndërtesave të rrënuara ka shkuar në 2.818. Ka filluar vendosja e kontakteve me vendin tonë me qëllim të ndihmës ndërkombëtare. NATO, BE dhe 45 vende kanë ofruar ndihmë për Turqinë.

11.04 Greqia perkrah Turqine, Micotakis: Greqia po mobilizon burimet e saj per ndihme 

Në një mesazh në llogarinë e tij në Twitter kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka theksuar se Greqia ndodhet në krah të Turqisë dhe Sirisë pas katastrofës biblike dhe qindra viktimave që ka shkaktuar tërmeti i fuqishëm në këto dy shtete. Në postimin e tij, nga të parët e udhëheqësve të huaj që kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj dy vendeve , Mitsotakis shkruan:“I trishtuar thellësisht nga fatkeqësia shkatërruese e tërmetit në Turqi dhe Siri. Ngushëllimet tona të përzemërta shkojnë për familjet e viktimave dhe mendimet tona janë me të gjithë njerëzit që janë prekur. Greqia po mobilizon burimet e saj dhe do të ndihmojë menjëherë”, tha ai.

11:00 Epiqendra e tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë, Gaziantepi me numrin më të lartë të viktimave

Epiqendra e tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë këtë mëngjes ishte afër qytetit të Gaziantep, ndërsa qytetarët në të gjithë Turqinë, Sirinë, Libanin, Qipron dhe Izraelin ndjenë lëvizjen e tokës nga tërmeti me magnitudë 7.8 ballë. Qyteti i madh turk Gaziantep ka numrin më të lartë të vdekjeve deri më tani, me 80.

Gaziantep ndodhet rreth 90 km nga kufiri sirian dhe i njohur historikisht si Antep. Disa tërmete të tjera goditën qytetin pas tërmetit të fuqishëm 7.8 ballë, duke përfshirë një me magnitudë 6.4 dhe një tjetër me magnitudë 6.5.

10:54 Tërmeti në Turqi/ Shkollat pezullohen për një javë në zonat e prekura

Shkollat në 10 qytetet dhe provincat në të gjithë Turqinë të goditura nga tërmeti do të mbyllen për një javë, tha zëvendëspresidenti i vendit, Fuat Oktay. Qytetet dhe provincat janë Kahramanmaraş, Hatay, Gaziantep, Osmaniye, Adıyaman, Malatya, Şanlıurfa, Adana, Diyarbakır, Kilis.

10:42 Gjermania e gatshme të ndihmojë Turqinë dhe Sirinë pas tërmetit

Gjermania është e gatshme të ofrojë ndihmë për Turqinë dhe Sirinë pas një tërmeti të fuqishëm që tronditi rajonin herët të hënën, tha ministri i jashtëm i Gjermanisë. “Mendimet e mia janë me familjet e atyre që humbën jetën në këta #tërmete të tmerrshme dhe me ata që ende kanë frikë për të afërmit, miqtë apo fqinjët e tyre”, shkroi Annalena Baerbock në Twitter. “Së bashku me partnerët tanë, ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë.”

10:33 “U zgjova i tmerruar”, banorët e Turqisë ende të frikësuar nga lëkundjet e tërmetit

Banorët e Turqisë kanë përjetuar tmerrin gjatë orëve të para të mëngjesit, pasi tërmeti me magnitudë 7.8 goditi zonën jugore. “Pikturat ranë nga muret e shtëpisë”, tha Samer, një banor i kryeqytetit sirian Damaskut për Reuters. “U zgjova i tmerruar. Tani jemi të gjithë të veshur dhe qëndrojmë te dera.” Në qytetin turk të Gaziantepit, Erdem përshkroi ndjenjën e tronditjes:  Unë kurrë nuk kam ndjerë diçka të tillë në 40 vitet që kam jetuar.

09:46 Tragjedia në Turqi/ Qytetarët e mbetur jashtë nuk favorizohen as nga moti, zona pritet të përfshihet nga dëbora

Qytetarët e Turqisë përveç tmerrit të përjetuar nga tërmeti po përjetojnë edhe temperaturat ekstreme. Temperaturat pak mbi pikën e ngrirjes po ndodhin në provincën Gaziantep të Turqisë, me reshje shiu dhe bore që parashikohen të hënën dhe të martën. Reshjet e borës do të jenë më të përhapura gjatë ditës së hënë dhe do të zgjasin deri të martën. Bora do të jetë më e madhe në lartësitë më të larta, por mund të bjerë deri në kufirin me Sirinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Artikuj te ngjashem

Back to top button