Territorialja, Tabaku: PD do të vendosë nëse do të marrë pjesë në komisionin e posaçëm
Partia Demokratike pritet të marrë një vendim për pjesëmarrjen në komisionin e posaçëm për fazën e dytë të Reformës Territoriale. Deputetja Jorida Tabaku njoftoi se Grupi Parlamentar i PD-së do të mblidhet për të diskutuar qëndrimin e opozitës, ndërsa në fokus do të jetë edhe mundësia e dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Tabaku kritikoi mënyrën se si është zhvilluar reforma, duke pretenduar se ndryshimet territoriale janë bërë për interesa elektorale dhe jo në funksion të qytetarëve.
Sipas deputetes, miratimi i reformës me 85 vota në Kuvend dhe shkrirja e 15 bashkive përbëjnë një proces të njëanshëm. Ajo kundërshtoi gjithashtu paraqitjen e së njëjtës përmbajtje për Komisionin e Reformës Territoriale, duke e cilësuar këtë veprim si mungesë serioziteti ndaj Kuvendit dhe publikut.
“E njëjta kërkesë, me të njëjtën përmbajtje të Komisionit të Territoriales që përfundoi në mënyrë të njëanshme duke hequr 15 bashki të enjten e shkuar, ishte sjellë sërish në seancën e sotme. Për mua veçse është tallje me Kuvendin e qytetarët, është edhe minimumi i seriozitetit që Grupi i PS kishte sot. E enjtja e kaluar ishte një ditë zie, për bashkitë që u fshinë me një të rënë të lapsit. Këta sjellin po të njëjtin përmbajtje të Komisionit të Reformës. Duhet të fillonte puna me kompetencat dhe përgjegjësitë dhe harta duhet të ishte produkt i këtyre ligjeve. Opozita do të ketë mbledhjen e Grupit Parlamentar para seancës, por unë sot mbajta qëndrimin edhe në emër të grupit. Nëse ne ishim në një Komision që nuk i bëri detyrat, nuk e di pse duhet të ulemi në një tjetër komision”, tha Tabaku.
Tabaku argumentoi se reforma duhej të niste me përcaktimin e kompetencave dhe përgjegjësive të pushtetit vendor, përpara se të vendosej për hartën e re territoriale.
Ndërkohë, deputetja bëri të ditur se në radhët e opozitës ka propozime për ta ndjekur çështjen edhe në Gjykatën Kushtetuese. Tabaku theksoi se, pavarësisht kundërshtimeve ndaj mazhorancës, opozita duhet të vijojë të jetë e pranishme në institucione për të përfaqësuar interesat e qytetarëve.
“Procesi kishte si qëllim vetëm llogaritë elektorale. Sot në Shqipëri opozita e ka të pamundur të ushtrojë funksionin e saj. Ka një propozim nga shumë kolegë që kërkojnë që ta ndjekim procesin ligjor për ‘Territorialen’ edhe në Gjykatën Kushtetuese. Nesër Grupi do marrë edhe një vendim edhe për këtë. Por ne kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, i cili u shkel me të dy këmbët nga mazhoranca. Ne duhet patjetër që të jemi nëpër institucione, sepse nuk jemi për PS, por për qytetarët”, tha Tabaku.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.