Emma Smith sjell ritmet e jazz-it bashkëkohor në Javën Kulturore Britaniko-Ukrainase
Emma Smith, një nga zërat më të spikatur të jazz-it britanik bashkëkohor, solli në Tiranë një mbrëmje të mbushur me ritëm, energji dhe elegancë.
E njohur për vokalin e saj të veçantë dhe aftësinë për të ndërthurur traditën e jazz-it me një stil modern e autentik, artistja dhuroi një performancë që e mbajti publikun të përfshirë nga nota e parë deri tek e fundit.
Koncerti u zhvillua në Teatrin Kombëtar të Operes e Baletit, në kuadër të Javës Kulturore Britaniko-Ukrainase.
Me një karrierë të pasur në skenat prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë Royal Albert Hall, Emma Smith ka ndarë skenën me emra të njohur të muzikës botërore, si Michael Bublé, Quincy Jones Orchestra, Jeff Goldblum, Bobby McFerrin dhe Gregory Porter. Në Tiranë, ajo solli gjithë finesën dhe fuqinë shprehëse të jazz-it live, duke krijuar një atmosferë të veçantë, ku muzika dhe emocionet u bënë një.
Emma Smith është fituese e titullit Parliamentary Jazz Vocalist 2024. Parliamentary Jazz Awards, një prej vlerësimeve të rëndësishme për artistët e jazz-it në Mbretërinë e Bashkuar. Përveç performancave live, Emma Smith ka publikuar disa projekte solo dhe ka punuar si prezantuese në BBC Radio 3, duke dëshmuar se është një artiste me një profil të gjerë muzikor, si këngëtare, kompozitore dhe aranzhuese.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.