Kronika

Testimi në Tiranë; marrin pjesë 1857 mësues dhe drejtues shkollash

Në testimin që do të vlerësojë aftësitë në fushën e edukimit dhe të mësimdhënies, që do të zhvillohet në Tiranë në datat 10 dhe 11 nëntor, do të marrin pjesë 1857 mësues dhe drejtues shkollash, nga 3300 që numërohen në total.

Kjo pasi 1500 të tjerët janë arsimtarë që i përkasin kategorisë së parë, mjeshtër në fushën e arsimit, të cilët referuar shkresës së Ministrisë së Arsimit do të përjashtohen nga zhvillimi i provimit.

Në shkresën zyrtare që Ministria e Arsimit i ka dërguar Drejtorisë Arsimore, Tiranë, sqarohet se nga provimi që do të “vërë në provë” aftësitë e tyre në fushën e mësimdhënies dhe të edukimit përjashtohen edhe mësuesit e shkollave profesionale.

Por, kjo për t’u testuar në një moment të dytë, pasi pritet që për këtë rast të ketë një marrëveshje me Ministrinë e Mirëqenies Sociale, duke qenë se prej dy vitesh, arsimi profesional është nën përgjegjësinë e kësaj të fundit.

Një tjetër kategori që do të përjashtohet nga testimi, rezultatet e të cilit do të shërbejnë për të ofruar trajnime në fushat ku vërehen mangësi, janë edhe mësuesit zëvendësues, pasi në provim, siç edhe është premtuar më herët, do të marrin pjesë vetëm arsimtarët e emëruar.

Me qëllim evidentimin e fushave ku arsimtarët kanë mangësi njohurish, Ministria e Arsimit do të nisë monitorimin në shkolla, proces që do të asistohet nga zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe nga përfaqësues të drejtorive arsimore rajonale.

Pra, me të mësuar nevojat që kanë arsimtarët deri në zonën më të thellë të Shqipërisë, do të nisë faza e dytë, ajo e trajnimit dhe e kualifikimit të mësuesve, proces që do t’u vijë në ndihmë të gjithëve, nga mësuesit te prindërit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button