Thaçi në Oslo: Dialogu e anëtarëson Kosovën në OKB
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një fjalim në institutin prestigjioz norvegjez për politikë të jashtme NUPI, ku ka biseduar për prioritetet e jashtme të Kosovës, luftën kundër terrorizmit dhe dialogun me Serbinë.
E pas fjalimit, Thaçi i ka dhënë një intervistë edhe gazetarit Karsten Friis, të portalit diplomatik norvegjez nupi.no , të cilën KosovaPress e transmeton për mediet vendore në gjuhën shqipe.
Cilat janë prioritet kryesore të politikës së jashtme kosovare?
Thaçi: Kur Kosova shpalli pavarësinë, prioritet i yni ishte që sa më shumë shtete ta njohin pavarësinë tonë dhe të fitojmë rastin e dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Ky ishte një prioritet, sepse Plani i Presidentit Ahtisari për Pavarësi të Kushtëzuar nuk gjeti konsensus në Këshillin e Sigurimit dhe ne u deshtë të lëvizim përpara me njohje bilaterale në baza individuale. Tani ne i kemi 110 shtete që njohin Kosovën si të pavarur dhe sovrane. Kanë ndryshuar kohërat dhe ne kemi pasur nevojë të diversifikojmë politikën tonë të jashtme dhe ta rrisim kontaktin jo vetëm në aspektin e njohjeve bilaterale, por edhe në anëtarësimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Po ashtu, kemi obligim të japim një kontribut edhe në veprimet ndërkombëtare, ku partnerët tanë po presin të kemi një rol domethënës, siç është lufta globale kundër terrorizmit dhe radikalizmit islamik, si dhe në sfidat e sigurisë në Ballkan që ndërlidhën me rolin e Rusisë dhe sfidat e tjera rajonale, klimatike dhe të tjera. Por, nëse do duhej t’i numëroj tre prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Kosovës sot, atëherë i pari është integrimi euro-atlantik i Kosovës.
Ne kemi punuar shumë të përfundojmë negociatat për MSA-në si hap i parë formal i bashkëngjitjes me BE-në. Tani presim që kjo të ndodh në qershor. Po ashtu, jemi duke punuar shumë që liberalizimi i vizave për njerëzit tanë të ndodh sa më shpejtë, pasi që jemi republika e fundit ballkanike që nuk mund të lëvizë lirshëm në Evropë.
Evropa ka liberalizuar regjimin e vizave me shumë shtete brenda dhe jashtë kontinentit, si me Moldovën, Kolumbinë apo Katarin dhe ne tani presim që kosovarët të kenë të drejtën e udhëtimit vitin e ardhshëm pasi që të dorëzojmë raportin final për përmbushje të kushteve teknike. Po ashtu, jemi duke punuar në një strategji që do t’ia dorëzojmë aleatëve të NATO-s për të hapur diskutimet për Partneritet për Paqe për Kosovën.
Kjo çështje do të jetë aktuale, sidomos pasi që të krijojmë Forcat e Armatosura të Kosovës. Integrimet evropiane po ashtu përkthehen edhe në raporte më të mira në rajon dhe ne kemi investuar të përmirësojmë marrëdhëniet me fqinjët tanë. Së shpejti do ta nënshkruaj demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe Kosova do të jetë republika e parë nga ish-Jugosllavia që ka mbyllur të gjitha çështjet kufitare, pos me Serbinë.
Prioritet i dytë i diplomacisë është të forcojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës në organizata multilaterale. Ne kemi përgatitur tërë dokumentacionin për aplikim në Këshillin e Evropës, si dhe në disa agjenci të OKB-së ku shtetet e ndryshme nuk mbajnë veto. Fatkeqësisht ne nuk mund të aplikojmë në OSBE, pasi që aty disa shtete jo njohëse me veto po bllokojnë, por kjo na lë me mundësi që të bëhemi anëtarë në Këshill të Europës, si dhe në disa organizata tjera shumë të rëndësishme.
U bëmë anëtarë të Frankofonisë para disa muajsh, ndërsa u anëtarësuam edhe në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik. Shumë shpejt do të aplikojmë për anëtarësi edhe në UNESCO dhe këtu ndihma e Norvegjisë është kruciale.
Dhe e treta, Kosova është partner vital në betejën ndërkombëtare për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Kemi arrestuar afër 100 persona, përfshirë edhe disa imamë dhe kemi votuar ligjin e rëndësishëm kundër pjesëmarrjes në luftëra të huaja. Tani kanë mbetur rreth 50 kosovarë që ende janë në Siri dhe Irak në anën e ISIS, por disa kanë filluar të luftojnë edhe për forcat kurde.
Duhet të them se ësh të mashtrim të besohet se ISIS është formacion ideologjik apo fetar. Këta janë organizatë puro kriminele dhe janë bastardues të diskursit ideologjik. Po ashtu, kemi promovuar edhe dialogun global ndërfetar si një kontribut i yni për të relaksuar dhe thelluar mirëkuptimin midis feve dhe Departamenti i Shtetit të SHBA-ve dhe OKB kanë lavdëruar Kosovën si lidere në përpjekjet ndërkombëtare për t’i luftuar këto të këqija moderne. Kosova është një shtet sekular dhe thellësisht pro-NATO dhe pro-BE dhe nuk do ta lejojë asnjë individ apo organizatë të rrezikojë pozitën tonë ndërkombëtare.
Sa është sfiduese mungesa e njohjes nga Këshilli i Sigurimit të OKB për marrëdhëniet e jashtme të Kosovës?
Thaçi: Shumë shtete kanë pasur probleme me njohje nga OKB në fillim të ekzistencës së tyre. Bile edhe Izraeli dhe Kina prezent janë njohur shumë vite pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe Zvicra është bërë anëtare tek në të nëntëdhjetat. Prandaj, të jesh anëtar i OKB-së nuk është fare garanci që je shtet demokratik apo ekonomi e suksesshme. Ne kemi punuar ta ndërtojmë republikën nga e para dhe rrugëtimi jonë është sfiduar nga Serbia dhe Rusia. Por, Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht nga disa agjencinë të OKB-së, si FMN-ja dhe Banka Botërore dhe ne jemi në rrugë të mirë për të formalizuar rrugëtimin tonë drejt BE-së. Mendoj se duhet të jemi realistë dhe të shtyjmë përpara reformat dhe njohjet ndërkombëtare përkundër mungesës së karriges në OKB. Dialogu në Bruksel me Serbinë po i ndihmon Kosovës të çimentoj pozitën ndërkombëtare dhe fundi i këtij dialogu do ta bëjë Kosovën anëtare të OKB-së. Për këtë jam i sigurt.
Cilat janë sfidat që kanë mbetur në implementimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe dialogut të vazhdueshëm me Serbinë?
Thaçi: Marrëveshja e Brukselit më 2013 ishte historike. Ishte hera e parë që Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje që nga rënia e Perandorisë Osmane para më shumë se 100 vitesh. Por, më 2014 ne patëm zgjedhje në Serbi, Kosovë dhe BE dhe dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes, ende kanë mbetur gjëra që duhet të implementohen. Disa gjëra janë bllokuar nga Serbia dhe në disa tjera ka rezistencë në implementim.
Për shembull, Serbia e ka nënshkruar moti që nuk duhet të bllokoj integrimet evropiane të Kosovës, por na kanë vonuar dhe bllokuar anëtarësimin tonë në disa instrumente të para-anëtarësimit dhe organizata rajonale. Ne arritëm të merremi vesh për drejtësinë vetëm para ca muajsh, që ta ndalojmë interferimin e gjykatave serbe në Kosovë.
Tani duhet ta diskutojmë edhe krijimin e asociacionit të komunave serbe dhe drafti i parë që ka shpërndarë Serbia ka qenë i papranueshëm edhe për ne, por edhe për BE-në, sepse tentonte të krijonte një republikë serbe në Kosovë. Pra, kemi vonesa, por duhet edhe të vazhdojmë tutje. Unë do ta takoj kryeministrin Vuçiq këtu në Norvegji në Forumin e Oslos dhe po ashtu do të kemi një raund të ri të dialogut javën e ardhshme në Bruksel për të mbyllur disa kapituj, përfshirë çështje që është dashur të mbyllen shumë më herët, siç është numri i ri telefonik i Kosovës dhe sistemi paralel energjetik në veri.
Jam optimist që sapo ta përmbyllim implementimin e obligimeve tona, do të lëvizim në kapitullin e ardhshëm në dialog e që është anëtarësia e Kosovës në OKB dhe respektimi i dyanshëm si shtete të pavarura.
Si i keni marrëdhëniet me shtetet fqinje?
Thaçi: Të shkëlqyera. Kemi marrëdhënie të mira dhe paqësore. Partnerët tanë kryesorë tregtarë janë nga rajoni. Vizitat e para që i kam bërë si ministër i Jashtëm janë në Podgoricë, Tiranë, Shkup, Zagreb dhe Lubljanë.
Siç tregova edhe më herët, jemi shteti i vetëm nga ish-Jugosllavia që kemi demarkuar kufijtë me fqinjët tanë pa luftë dhe pa shkuar në gjyq. Edhe Sllovenia dhe Kroacia nuk e mbyllën dot demarkacionin pa probleme. E di që sivjet në Maqedoni ka pasur probleme serioze dhe ka pasur zëra të izoluar se disi Kosova është përgjegjëse për këto probleme. Por, i kundërshtoj këto teori, sepse nuk janë të bazuara në realitet. Problemet e brendshme të Maqedonisë janë të Maqedonisë dhe ne nuk përzihemi në to. Ata njerëz që punojnë të destabilizojnë Maqedoninë, punojnë kundër ardhmërisë evropiane të të gjithë fëmijëve tanë në Ballkan.
Kam thënë rishtazi edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se zgjidhja për problemet në Maqedoni është më shumë demokraci, është respektimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe puna nëpërmjet institucioneve dhe jo jashtë institucioneve. Dhuna nga cilado palë është e rrezikshme dhe e papranueshme.
Me Shqipërinë kemi marrëdhënie shumë të mira dhe tregtia na rritet për 30-40 milionë euro çdo vit.
Tani kemi ndërtuar edhe një autostradë të re dhe kemi afruar Kosovën edhe me Malin e Zi dhe Kroacinë me këtë investim. Kosova ishte nikoqire e Samitit të Ballkanit Perëndimor të 6 ministrave të jashtëm dhe Komisionerit Hahn dhe jemi pajtuar për projektet konkrete që do të prezantohen në Samitin e Vjenës në gusht. Kosova do të pranojë mjete investive në infrastrukturë hekurudhore si dhe lidhje të reja me Maqedoni dhe Serbi.
E përkrahi BE-në dhe linjën e re gjermane që duhet punuar në investime rajonale, sepse kemi nevojë për integrim më të fuqishëm rajonal për të mundësuar punësimin e njerëzve tanë.
Siguria është bërë sfidë për rajon pas ngjarjeve në Maqedoninë fqinje që i përmendet, si dhe migracionin nga Lindja e Mesme dhe luftëtarët në Siri. Si po përgjigjet Kosova ndaj këtyre sfidave?
Thaçi: Po përgjigjemi fuqishëm dhe pa dyshime. Sa i përket Maqedonisë, tregova që qëndrojmë jashtë problemeve të brendshme që ka. E respektojmë integritetin dhe sovranitetin e Maqedonisë, por jemi të brengosur për mundësinë e efektit të derdhjes së konfliktit në stabilitet rajonal. Mendoj se BE duhet të jetë shumë më e angazhuar dhe të përdorë shembullin e dialogut Kosovë-Serbi për të përforcuar integrimin e Maqedonisë, si të jashtëm, ashtu edhe të brendshëm. Shqiptarët në Maqedoni kanë disa parti dhe ne inkurajojmë ata të përdorin sistemin për t’i përmirësuar të drejtat e njeriut dhe ato politike.
Sa i përket luftëtarëve me origjinë nga Kosova, ne kemi filluar disa aksione policore të mëdha dhe kemi iniciuar disa procese. Shteti ynë ndalon me ligj pjesëmarrjen, por edhe lobimin për luftë në Siri. ISIS është armik i Kosovës dhe armik i njerëzimit. Shumë njerëz në të djathtën ekstreme evropiane, por edhe të majtën ekstreme e paragjykojnë Kosovën si burim të njerëzve problematik.
Ne kemi dëshmuar se jemi eksportues të nismave paqësore. Tani po punojmë në një strategji të integruar kundër radikalizmit duke investuar në komunikim pozitiv dhe dialog ndërfetar me përmasa globale.
E falënderoj me këtë rast Rabinin e Oslos, Melchior për përkrahjen e projektit tonë në Kosovë dhe falënderoj edhe Ministrinë e Jashtme të Norvegjisë për pjesëmarrje aktive në projektet tona.
Integrimi Evropian është fuqizuesi kryesor i reformave në rajon. A është duke bërë BE-ja mjaft për të asistuar proceset reformuese. A duhet angazhim më i madh dhe më me peshë për të zgjidhur çështjet e mbetura?
Thaçi: Keni të drejtë. BE-ja është pika kryesore e gravitetit. Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë është siguruar nëpërmjet angazhimit të madh të BE-së dhe angazhimi t personal të baroneshës Ashton.
E di që ka probleme të mëdha në botë, kriza në Ukrainë, Siri, etj. Por, BE duhet të rregulloj oborrin e vet dhe të ndihmoj integrimin e Ballkanit që të ketë duart e lira për t’u marrë me sfidat e tjera globale.
Na duhet angazhim i fuqishëm evropian dhe të kemi rajonin e integruar, nëse dëshirojmë të punojmë për të siguruar reformat dhe bashkëpunimin rajonal.
Për shembull, më shumë se dy vjet pas Marrëveshjes së Brukselit, Kosova ende po pret të nënshkruaj MSA-në dhe kjo po krijon shumë dyshime në disa qarqe në Kosovë, sidomos tek partitë nacionaliste që sulmojnë dialogun si jo-efektiv.
Këtë vit ishim dëshmitarë që është përdorur gjuhë ndezëse nga liderët e Ballkanit dhe mendoj që njëra nga arsyet është edhe mungesa e suksesit në fronte tjera. Në një anë, më pëlqen që BE ka kuptuar drejt sinjalet nga Berlini për nevojën që të investohet në infrastrukturë dhe kjo ka ndihmuar që ne të bashkëpunojmë më ngushtë me njëri-tjetrin, por na duhet të investojmë edhe kapital politik dhe zonja Mogerini duhet të kujdeset për rajonin që e ka si linjë të parë, si të mundësive, ashtu edhe të rreziqeve.
Ballkani siguron një thellësi strategjike për BE-në dhe treg të ri, por mund të rrëshqet edhe në politik-bërje të së kaluarës.