Kosova

Thaçi: Shqipëria dhe Kosova, zonë e përbashkët turistike

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria janë të përkushtuara që përmes pakove të turizmit t’i ofrojnë dy vendet si një zonë të përbashkët turistike.

“Shqipëria mbetet destinacioni kryesor i kosovarëve për turizëm, sikur që qytetarët e Shqipërisë janë vizitorët më të numërt të Kosovës”, ka shkruar presidenti kosovar në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se nesër do të bisedojë me krerët e Shqipërisë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Ky është shkrimi i plotë i Thaçit në rrjetin social:

“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë tashmë kanë fituar dimension të një partneriteti strategjik të vënë në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive e që i hap rrugën institucionalizimit të marrëdhënieve dypalëshe në çdo fushë.

Që kur kemi përmirësuar komunikimin duke ndërtuar autostrada në të dy anët e kufirit, kemi shtuar edhe shkëmbimin tregtar. Vetëm në vitin 2015, shkëmbimi tregtar është rritur për 40 për qind në krahasim me një vit më parë.

Shqipëria mbetet destinacioni kryesor i kosovarëve për turizëm, sikur që qytetarët e Shqipërisë janë vizitorët më të numërt të Kosovës. Mbetemi të përkushtuar që përmes pakove të turizmit t’i ofrojmë Shqipërinë dhe Kosovën si një zone të përbashkët turistike.

Në rajon, Shqipëria është zëri shtesë i Kosovës, ndërsa Kosova zëri përkrahës i politikës konstruktive të Shqipërisë në rajon.

Të gjitha këto janë themelet e një bashkëpunimi shembullor mes Kosovës dhe Shqipërisë për të cilin nesër do të bisedoj me krerët e shtetit shqiptar.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button