“The Interview” siguron 15 milionë dollarë nga shkarkimet
Komedia kontroverse “The Interview” është kthyer në filmin më të shkarkuar të të gjitha kohërave për kompaninë “Sony”, vetëm pak ditë pas publikimit të tij online, më 24 dhjetor.
Filmi është shkarkuar mbi 2 milionë herë deri më 27 dhjetor, duke bërë që kompania të sigurojë një të tretën e buxhetit të shpenzuar, plot 44 milionë dollarë.
Filmi, që bën fjalë për një komplot fiktiv për vrasjen e liderit koreano-verior Kim Jong un, më herët gjatë muajit ishte tërhequr nga shfaqja në kinema për arasye sigurie.
Prodhimi kinematografik kishte acaruar Korenë e Veriut që akuzohet se kreu një sulm elektronik ndaj serverëve të “Sony”.
Sulmi, i marrë përsipër nga një grup i identifikuar si “Gardianët e Paqes”, çoi në rrjedhjen e informacioneve sekrete të “Sony”, përfshirë skriptet për filmat e rinj, email-et private dhe rrogat e aktorëve.
Për pasojë, kompania ndaloi shfaqjen e filmit në ekranin e madh pas kërcënimeve, ende të paspecifikuara ndaj kinemave amerikane.
Byroja Federale e Hetimeve, FBI, kreu një hetim mbi sulmin informatik dhe e drejtoi gishtin ndaj Koresë së Veriut. Nga ana e saj, qeveria e Penianit e mohoi përgjegjësinë, por e cilësoi sulmin si “një akt të drejtë heroik”.
“Sony” informoi të dielën përmes një njoftimi se filmi ishte i gatshëm në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada përmes shërbimeve të Google, si YouTube dhe Play, Xbox Video dhe në vetë website-n e filmit në version HD, ku mund të merrej me qera brenda 48 orëve për 5.99 dollarë, ose mund të blihej për 14.99 USD.
Vetëm nga tre ditët e para në shitje, kompania siguroi 15 milionë dollarë fitime.