T’i japësh Çezarit atë që i takon
Fjalët e urta nganjëherë duket se shqiptohen sa për të tingëlluar bukur e shkruar në letër dhe jo se gjejnë gjithnjë zbatim në këtë realitetin tonë të mbarsur me paragjykime të natyrave të ndryshme. Thuhet vazhdimisht se tjetrit duhet t’i japësh atë që meriton, ta vlerësosh punën e tij, por kjo rrallë ngjet. Mendësia e vjetruar nuk na lejon të ngrihemi mbi cinizmin karakteristik provincial. Nëse kërkon njerëz që kurrë nuk ia japin hakun tjetrit, atij që kanë përballë, ata janë në radhë të parë politikanët. I dëgjojmë vetëm t’i numërojnë kundërshtarit të larat e të palarat, duke krijuar në publik idenë e rremë se të ndershmit jemi vetëm ne, veç ne e marrim seriozisht popullin dhe hallet e tij, kurse kundërshtarët tanë politikë, mos o Zot, ata veprojnë gjithë ditën kundër interesave publike, kundër Shqipërisë, kundër hyrjes në Bashkimin Europian etj. Dhe të gjitha këto thuhen me një seriozitet të shtirur që veç seriozitet nuk është. Vetëm kohët e fundit ka pasur ndonjë artikulim ndryshe në këtë anë, si në rastin kur Kryeministri vlerësoi dhe qeverinë paraardhëse për sa i përket marrjes së statusit të vendit kandidat, në prani të zotit Barroso gjatë vizitës së tij në Tiranë etj. E do politika mund të thotë ndokush, ndryshe çfarë u pa, që mazhoranca dhe pala tjetër të jenë në unison. Por nuk është kështu, nuk ka një ndarje me thikë të gjërave. Nuk është tabu që dhe opozita t’i thotë “të lumtë” qeverisë për diçka që është e shënuar. Tashmë të gjithë e dinë se si funksionon politika në pluralizëm, me përballjen pozitë-opozitë, por jo me përbaltjen e njëra-tjetrës. Kjo sjellje nuk është e re, në thelb ajo buron nga e djeshmja, ku në ligjërimin e komiteteve, byrove e organizatave të partisë mbizotëronte kritika revolucionare ndaj negatives, i mëshohej kësaj në emër të rritjes, kapërcimit të bllokadës revizioniste etj. Ecja me opinion është dukuri e stilit monist, i “yni” ishte gjithmonë në pararojë, dilte rregullisht në tabelën e emulacionit, shpërblehej moralisht e materialisht, kurse për “kulakun”, “borgjezin”, të deklasuarin nuk kishte asnjë fjalë të mirë. Opinioni keqësues ishte i rezervuar për ata që nuk bindeshin, kundërshtonin, nuk venin sipas avazit të shefave, që ishin në krye falë besnikërisë ndaj kauzës politike dhe jo prej meritave vetjake drejtuese e profesionale. Edhe se shumë gjëra kanë ndërruar, prapë ngre krye ajo mendësia e mosqasjes së atyre që punojnë pa u dukur, pa kërkuar vëmendjen dhe lavdet e eprorëve. Drejtuesi i një institucioni arsimor, që kishte “matur” punën e stafit pedagogjik përgjatë një viti shkollor, në fund kishte parë se në listën e përhershme nuk do të ishin më të njëjtët emra që lëvdoheshin kohë pas kohe, prej dhjetë a më shumë vitesh, më së shumti me opinion, por disa të tjerë jo aq të promovuar zyrtarisht. Ka nga ata drejtues institucionesh lokale e rajonale që përpiqen ta kapërcejnë barrierën partiake, në raste rotacionesh politike, të mos i lëvizin profesionistët që e mbajnë vendin e punës me përkushtim, të cilët duhen përgëzuar që përpiqen të vendosin sa të jetë e mundur atë standard që kërkohet për të shkuar në Europë, të cilin jo pak përpiqen ta prishin telefonatat e pareshtura partiake nga lart.
***
Gjithsesi, në optikën e këtij shkrimi, problemi është më tej se kaq, bëhet fjalë për një kulturë të munguar në komunikimin jo vetëm zyrtar, por dhe mes individësh të mëdhenj apo të vegjël qofshin, ikjen nga uni, nga veta e parë dhe pohimin e vlerave të atij tjetrit, edhe kur ai ta ka “kaluar” ty. Kompozitori Tish Daija, duke bërë fjalë për bardët popullorë të folkut, ka lënë në shënimet e tij dhe një detaj të tillë interesant. Çiftelirënësi më i mirë shqiptar në vitet ’50, Gjin Shkoza nga Vau i Dejës, që kishte fituar dhe një çmim ndërkombëtar në vitin 1957 në Moskë, njëmbëdhjetë vite më vonë, kur sheh në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës t’i binte çiftelisë një “nxënësin” e tij të zellshëm, nuk pret që të përfundonte pjesa e të shprehej juria, por u thotë muzikantëve: “Heu, ma paska kalue Ndue Shyti e mirë po më vjen”. Mund të duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Çiftelia me të cilën i riu po ia “kalonte” virtuozit të moshuar ishte bërë bash nga duart e atij vetë, usta Gjinit. Ai e kishte udhëhequr artistin e ardhshëm qysh në hapat e parë të ushtrimit të tij në çifteli. Mund ta pengonte, mund të mos ia jepte zanatin, mbi të gjitha mund të mos ia gdhendte me duart e tij çiftelinë, por jo. Mjeshtrit e mëdhenj të tillë ishin, zotërinj me germë të madhe, ani se ku janë rritur e sa shkollë kishin kryer. Dy vite më vonë, me 1970-n, Ndue Shyti do të çudiste Dizhonin e Francës me instrumentin e tij tashmë të pandalshëm, në përbërje të Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore, duke rrëmbyer “Gjerdanin e Artë” të atij festivali botëror, mbase ngjarja më kulmore e folkut shqiptar e të gjitha kohërave. Dhe a e dini si u shpreh atëherë princi i kurorës i atij trofeu, rapsodi Ndue Shyti: “Po të mos ishte çiftelia e Gjinit, nuk do ta kishim fituar”. Kjo është thënë atëherë pa ikur ende artistët nga Franca, si dhe me dhjetëra herë pas kthimit në atdhe, e pohon këtë fakt dhe sot e gjithë ditën bardi 80-vjeçar Shyti në vilën tij në Durrës, edhe pse Gjin Shkoza nuk jeton prej tridhjetë vitesh e nuk i dëgjon më ato që thuhen për të.
Një marrëdhënie kalorësiake “rapsodësh”, po akademikët ç’mund të thonë pas kësaj? A kanë ata të njëjtin vlerësim për tjetrin apo shpesh vlerësimet bëhen si me taraf mes shkrimtarësh, artistësh, profesorësh? Se nuk janë sjellë kështu me sqimë e fisnikëri vetëm bardët që shquhen për burrëri tradicionale e karakter si të skalitur, por dhe ata njerëz të mëdhenj të shekullit XX që kishin shëtitur botën, që ishin përleshur fuqishëm për idetë e tyre, por në fund i kishin dhënë “Cezarit” atë që i takon. Është e njohur marrëdhënia konfliktuale shumëvjeçare mes Konicës dhe Nolit, por tek e fundit kush më mirë se Noli e ka sintetizuar me pak fjalë personalitetin e Konicës, duke e vlerësuar si një kampion të luftës për pavarësinë e Shqipërisë, sa për t’i bërë jehonë vendit të tij ai kishte shkuar nga Londra në Boston, në dy kontinente, veshur me kostum kombëtar shqiptar, kishte rizbuluar flamurin e Skënderbeut, kishte botuar revistën e njohur “Albania”, kishte nxjerrë në dritë disa nga shkrimtarët më të mirë rilindës, nga Kristoforidhi te Fishta, teksa vetë ai, Konica, po sipas Nolit, mund të quhej krijuesi i prozës moderne shqiptare, po dhe i kritikës letrare etj. Së fundi, kundërshtari i tij i betuar politik, nuk mungon të shtojë se, me porosi dhe nën drejtimin e Konicës, unë përktheva disa vepra të Shekspirit, Ibsenit etj., duke e konsideruar veten një pinjoll të tijin. Kjo është gjuha e së vërtetës, po që kërkon qytetari e kurajë, klas intelektual, që të shqiptohet. Ka qenë Prend Doçi që i kërkonte me ngulm Fishtës që ta vazhdonte “Lahutën e Malësisë”, një poet ndër të parët e Rilindjes, që për vete e kishte lënë poezinë. Apo Fishta që e nxiste Gjeçovin të merrej me Kanunin duke ia botuar numër pas numri në “Hyllin e Dritës” që drejtonte. Gjer tek Ismail Kadare që romanin e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ia dedikon sugjerimit të Drago Siliqit etj.
Për fat të mirë kemi dëshmi të tilla, kuptohet nga të mëdhenjtë, ata që nuk kanë gjë për të “humbur”, por kjo nuk është sjellja e atyre që mund të quhen elita akademike. Këto mësime të vyera të historisë e traditës nuk është se përfillen në grupimet e profesionistëve me tituj e grada shkencore, ku ka mospranim e refuzim të tjetrit, atij që nuk ka qenë me ne. Dikush nuk bëhet akademik, nuk i jepen çmime, nuk futet “në gjirin tonë”, se nuk është nesh! Ndaj me të drejtë ka pasur në shtyp kritika dhe fshikullim të gardës së vjetër akademike për nihilizëm, ku për shumëkënd duket e papërligjur që Arshi Pipa, Martin Camaj e të tjerë dijetarë e shkrimtarë të mirënjohur nuk janë anëtarë nderi të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ndodh kështu më kokëfortësi “puritane” dhe se të gjithë e dinë se nëse nuk i jepet “Cezarit” sot ajo që i takon, e nesërmja do t’ia japë patjetër, për më tepër duke bërë largimin e të pamerituarve nga panteoni i shkencës, letërsisë, politikës etj. Nëse tani shohim të prishen pallate të ndërtuara pa leje e në mënyrë të paligjshme, historia është ende më e pamëshirshme në vendosjen e rendit të gjërave nën verdiktin e saj…
NDUE DEDAJ