Politika

Tiranë, mbahet protesta e opozitës; PD: Jo qeverisë që zhvat e rrënon qytetarët

Opozita ka nisur protestën e paralajmëruar të saj kundër qeverisë, me protestues të shumtë që fillimisht janë mbledhur tek sheshi Skëndërbej e më pas para selisë së Kryeministrisë.

Përmes parullave e pankartave ata shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisjes aktuale, që sipas tyre po i shtyp me politikat e saj.

Të pranishëm në këtë manifestim janë kryetari i PD, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

I pari që ka marrë fjalën ka qenë deputeti Gent Strazimiri, i cili ka akuzuar qeverinë se ka sjellë krimin në pushtet.

“Atdheun tonë sot e plagosën sërish. Po na qeverisin tutorë e kriminelë. Sot fillojmë nga ky shesh rrugëtimin tonë për t’i thënë ndal kthimit të së shkuarës. Sa më shumë të bëhemi bashkë, aq më shumë shpresa do të ngjallim. Nuk ndërrohet atdheu, por qeveria”, ka thënë Strazimiri.

Ndërsa deputeti tjetër, Arben Ristani e ka vënë theksin tek eksodi i shqiptarëve drejt vendeve të Perëndimit, që sipas tij është shkaktuar nga zhvatja që qeveria po u bën qytetarëve.

“Shqiptarët po ikin për shkak të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Shqiptarët ikin, ndërsa Rama, Meta dhe Beqaj pasurohen me qindra milionë euro. Me aferën e CEZ Rama-Meta kanë siguruar 600 milionë euro të tjera”, ka thënë Ristani, i cili nuk ka lënë pa përmendur edhe inkriminimin e politikës.

“Kriminelët sot duhet të ishin në burg dhe jo në Parlament. Ky është turp i madh. Nuk mund ta durojmë këtë zhvatje e këtë vjedhje që po sjellin rrënimin”, ka shtuar Ristani.

Në të njëjtat linja është shprehur edhe deputeti tjetër Flamur Noka, sipas të cilit qeveria e sotme fut në burg fukarenjtë dhe jep liri për trafikantët, banditët dhe kriminelët.

“Ata po vjedhin paratë që duhet të shkojnë tek xhepat tuaj dhe të çdo shqiptari. Sot jemi përballë të njëjtit regjim me atë të diktaturës, sepse kemi përballë djemtë e tyre bastardë”, ka thënë Noka.

Ky kryeministër, ka vijuar ai, është i lidhur me krimin, i kapur nga krimi dhe i mbytur nga korrupsioni. “Këta janë njerëz që kanë ngritur krimin në pushtet dhe në sistem. Ne jemi mbledhur sot këtu për të thënë se zot të këtij vendi janë shqiptarët dhe jo trafikantët. Ta rrëzojmë këtë regjim, më bastardin që ka parë kjo Shqipëri”, ka thënë më tej Noka.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button