Tiranë, për ujin duhen 220 milionë euro
Çmimi i ujit në Tiranë rritet me 20 lekë duke nisur që nga muaji janar i vitit të ri. Dhe kjo sipas nënkryetarit të bashkisë do të sjellë ujë që mund të pihet nga rubinetat e qytetarëve dhe furnizim gjatë 24 orëve.
“Ne kemi të bëjmë me një vendimmarrje të re që synon që ne të na japi mundësinë të ofrojmë shërbim me ujë të pijshsëm 24 orë në gjithë qytetin e Tiranës brenda 5 viteve të ardhshme”, thotë Arbër Mazniku, nënkryetari i bashksië së Tiranës.
Mazniku shpjegon se kjo rritje e çmimit do të përkthehet në investime, jo vetëm në gjithë rrjetin e ujësjellësit, i cili është tejet i amortizuar, por deri dhe në shtim të burimeve.
“Së pari duhet të rrisim burimet e ujit. Së dyti, na duhet të rrisim në mënyrë të ndjeshme sasinë e ujit që mund të përpunojmë. Së treti, linja e transmetimit, pra linjat e mëdha të ujit, që në fakt është bërë si një kullesë makaronash, rrjedh nga të gjitha anët. Është shpuar nga njerëzit. I gjithë rrjeti i ujit në lagjet tona, është i amortizuar”, tha ai.
UKT ka rritur arkëtimet dhe ka një fitim prej 5 milionë euro në vit. Por për të arritur ujë të pijshëm 24 orë në shtëpitë e qytetarëve, kjo sipas Maznikut nuk mjafton. Kërkohen 220 milionë euro.
“Me këto 5 milionë euro që janë të ardhurat e kompanisë për të patur mundësinë që ne të investojmë do të na duheshin 44 vjet për të realizuar objektivin e të pasurit ujë të pijshëm 24 orë”, thotë Mazniku.
Por kur diskutohet për rritje të çmimit, ka gjithmonë pakënaqësi. Mazniku ka një përgjigje duke thënë në fakt se është ulje e shpenzimeve të familjarëve për ujë të pijshëm për sa kohë askush nuk konsumon ujë nga rubineti.
“Në fakt nuk është një shtim i shpenzimeve të qytetarëve është një ulje rrënjësore e shpenzimit për ujë për çdo familje. Mjafton të them që shumicxa e familjeve tona ose blejnë ujë me bidona dhe për gatim”, shprehet nënkryetari i bashkisë.
Nga ana tjetër ai shpjegon se në kryeqytet uji faturohet më lirë se sa në qytetet e tjera të Shqipërisë.
“Në Tiranë sot uji faturohet me 45 lek/m3, në Kamëz uji faturohe t me 65 lekë/m3, Korça e ka me 93 lekë/m3”, saktëson Mazniku.