Ekonomia

Tragetet 2014: 8% udhëtarë dhe 3% mallra më shumë se viti 2013

Tragetet e linjave të lundrimit nga Durrësi drejt porteve të Italisë dhe anasjelltas gjatë vitit të kaluar kanë transportuar më shumë udhëtarë dhe mallra, krahasuar me vitin 2013.

portiNga statistikat e Autoritetit portual, mësohet se gjatë periudhës 12-mujore të vitit që lamë pas, tragetet janë shfrytëzuar nga 774.682 udhëtarë gjithsej, ose 8 përqind më shumë se sa periudha pararendëse.

Krahasuar me vitin 2013 treguesit dëshmojnë një rritje prej 1 deri në 10 përqind në numrin e udhëtarëve në hyrje dhe në dalje, në atë të udhëtarëve shqiptarë dhe të huaj si dhe në atë të lundrimeve gjithsej. Kamjonët me mallra kanë preferuar tragetet, duke shënuar një rritje prej 3 përqind dhe megjithë rënien e lehtë të shifrave të autoveturave dhe trajlerave, numri i përgjithshëm i automjeteve me tragete përmes portit të Durrësit mbetet thuajse në të njejtat shifra me ato të një viti më parë.

Tragetet në 365 ditë të vitit 2014 kanë kryer 1.133 lundrime, vetëm tetë më shumë se sa numri i trageteve të regjistruar në hyrje dhe në dalje gjatë vitit 2013. Numri i udhëtarëve në hyrje (369.799 gjithsej) vazhdon të jetë më i ulët se sa ai i udhëtarëve në dalje (394.393 gjithsej) nga vendi ynë drejt porteve të Italisë. E kundërta ndodh me autoveturat, mbi 83 mijë në hyrje, ndaj vetëm 67.667 të tilla në dalje.

Tragetet e linjave detare nga Durrësi drejt Barit, Brindizit, Ankonës dhe Triestes (Itali) kanë transportuar një sasi të përgjithshme prej mbi 731 mijë ton mallra, ose 21 mijë ton më shumë se sa në vitin 2013-mësohet nga statistikat e APD.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button