Ekonomia

Transporti urban- Veliaj: Linjat e reja premtim i mbajtur

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi mbledhjen e djeshme vendimin për krijimin dhe rishpërndarjen e linjave të reja të transportit të udhëtarëve brenda territorit të bashkisë së Tiranës.

Tirana do të ketë 15 linja urbane dhe 25 linja rrethqytetëse për të kryer transportin publik të qytetarëve. Rrjeti i ri i linjave të autobusëve bën një mbulim më të mirë të të gjithë territorit të Tiranës, ndërsa përcakton stacionet e reja, si dhe kushtet e standardet që duhet të plotësojnë mjetet që do të përdoren për transport publik.

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, teksa bëri prezantimin e 26 çështjeve të rendit të ditës, vlerësoi vendimin për linjat e autobusëve si një premtim të mbajtur për mbulimin e gjithë territorit të Tiranës së madhe me transport dhe përmirësim të cilësisë së këtij shërbimi.

“Vendimi përcakton linjat e transportit publik, parashikon shtrirjen më të gjerë të linjave ekzistuese duke mbuluar më shumë territor, duke shtuar linja të reja deri në 15 dhe duke konsoliduar 25 linja të komunave dhe për t’i disiplinuar në mënyrën sesi ato funksionojnë. Jam shumë i vetëdijshëm nga gjitha problematikat që qytetarët kanë ngritur për linjat rrethqytetëse. Pas miratimit të këtij vendimi, me 15 linjat urbane, të cilat kanë në total 500 vendqëndrime autobusi, si edhe 25 linjave rrethqytetëse, jemi të bindur se i gjithë territori i Tiranës do jetë i mbuluar me shërbimin e transportit publik më mirë se kurrë ndonjëherë më përpara”, tha kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

Një tjetër vendim me rëndësi që miratoi sot këshilli Bashkiak ishte edhe ai për “Për përcaktimin e vlerës minimale dhe maksimale të qirasë sipas strukturave të apartamenteve dhe të vlerës minimale dhe maksimale të të ardhurave për përfituesit e Banesave Sociale me qera”.Mbledhja e Keshillit Bashkiak 23 Maj 2016 (3)

“Skema e strehimit social është ndërtuar e tillë që në këto banesa të strehohen familje që kanë një nivel të caktuar të ardhurash dhe janë në gjendje të ndryshojnë statusin e tyre ekonomik. Qiratë me të cilat jepen këto banesa sociale përcaktohen në bazë të ligjit “Për programet sociale të strehimit“ dhe akteve nënligjore përkatëse. Sipas kësaj pakete ligjore, qiraja përcaktohet vetëm njëherë me vendim të Këshillit Bashkiak dhe çdo vit indeksohet me indeksin e çmimeve të konsumit. Ndaj ky vendim paraqet thjesht një indeksim të qirave minimale e maksimale”, theksoi kryebashkiaku Veliaj në prezantimin e këtij vendimi.

Këshilli Bashkiak miratoi edhe vendimin “Për miratimin e programit buxhetor afat-mesëm 2016-2018 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2016”. Më konkretisht, me anë të këtij detajimi do financohen ndërtimi i rrugëve: “Kosovarëve”, rikonstruksioni i rrugës “A.Gjergjevica (Shkoze )”, rikualifikimi urban i bllokut të kufizuar mes rrugëve “D.Hima” dhe Stadiumi “Qemal Stafa”, rikonstruksioni i rrugës së “Qelqit”, ndërtimi i bulevardit “Petro Nini Luarasi”, ndërtimi i rrugës “Pjetër Bogdani” rikonstruksion i rrugës “Teki Selenica” rikonstruksioni i rruges “Pandi Sillu” ndërtimi i kanalit dhe i segmentit nga rruga “Dalip Topi” deri në rrugën “Marie Kraja”, ndërtim i rrugës që lidh rrugën “5 Maji” me rrugën “Selaudin Zorba”, rikonstruksioni i rrugës “Shote Galica”, rehabilitimi i dy blloqeve ndërmjet rrugëve “Llazi Miho” dhe “Ali Kelmenti”.

Gjithashtu, po përmes këtij vendimi do të alokohen edhe fondet për: ndërtimin, rikonstruksionin dhe rinovimin e Unazës së Vogël (segmenti Banka e Shqipërisë – Ushtari i Panjohur) rikualifikimi Urban i Sheshit “Skënderbej”, rikonstruksioni i plotë i Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe rikualifikimi i terrenit sportiv në shkollën “Petro Nini Luarasi”. Së fundi, për vitin 2016, do të financohet edhe ndërhyrja në rikualifikimin urban në dy blloqe banimi: rikualifikim urban i bllokut nr.1 (Lapraka), kufizuar me rrugët “Don Bosko”, “Shinat e Trenit”(Filanto), “Turhan Pashë Përmeti”, “Ibrahim BashëBushatlliu”, “Lord Bajron”, “Riza Cuka”, “Learton Vathi”, “Pandi Dardha” dhe “Dritan Hoxha”, si dhe rikualifikim urban i rrugëve në bllokun e pallateve “Selite” Njësia 5.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button