Transportonin 4 emigrantë kundrejt pagesës, arrestohen dy 20-vjeçarë në Gjirokastër
Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Gjirokastrës, pasi u kapën në flagrancë duke transportuar kundrejt fitimit katër emigrantë që kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar nga kufiri me Greqinë.
Operacioni policor i koduar “Long Wait” u finalizua nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë në Gjirokastër dhe Tepelenë.
Në pranga kanë rënë dy 20-vjeçarë, me inicialet L. A. dhe L. B., të dy banues në Bulqizë.
Ata u ndaluan në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, teksa transportonin me një automjet tip “Volkswagen” katër emigrantët, kundrejt pagesës. Sipas Policisë, dy të rinjtë nuk iu bindën as urdhrit të efektivëve për të ndaluar.
Gjatë operacionit u sekuestruan automjeti dhe dy aparate celularë, në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”. Hetimet vijojnë për veprime të mëtejshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.