Berisha: Paketa e re fiskale goditje për të varfrit, 18 mijë biznese të vogla rrezikojnë falimentimin
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kritikoi sërish paketën e re fiskale të qeverisë, duke e cilësuar atë si një barrë të rëndë për qytetarët me të ardhura të ulëta, bizneset e vogla dhe shtresën e mesme.
Në një komunikim publik nga Facebook, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndërmarrë ndryshimet në sistemin e taksave pa paralajmërim dhe pa konsultim publik.
Sipas kryedemokratit, ndryshimet në skemën e TVSH-së do të sjellin rritje të çmimeve për një pjesë të konsiderueshme të produkteve, pavarësisht uljes së taksës për 52 artikuj bazë. Ai pretendoi se përfshirja e dyqaneve të vogla në skemën e TVSH-së do t’i detyrojë ato të rrisin çmimet me 6%.
Berisha pretendoi se rreth 18 mijë biznese rrezikojnë falimentimin si pasojë e ndryshimeve në fashën e TVSH-së, duke argumentuar se detyrimet e reja fiskale do të rëndojnë ndjeshëm aktivitetin e tyre.
“Pra, në çdo lëvizje dhe rrethanë, ai që ndëshkohet është i varfri. Çmimin e paketës fiskale të Edi Ramës e paguan biznesi i vogël. Me hyrjen e saj në fuqi, rreth 18 mijë biznese të vogla shkojnë drejt falimentimit sepse futen në fashën e TVSH. Edi Rama vendos nivelin më të ulët të xhiros për të vendosur TVSH mbi bizneset. I godet ato në mënyrë fatale. Ato jo vetëm do rrisin çmimet, por ato shkojnë drejt falimentimit”, tha Berisha mes të tjerash.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.