Ndërtimet pa leje/ Policia e Shtetit evidenton 470 raste, procedohen 474 shtetas
Strukturat e Policisë së Shtetit, në kuadër të aksionit për evidentimin dhe ndalimin e ndërtimeve abuzive, ka evidentuar 470 raste të ndërtimeve abuzive në të gjithë vendin, për të cilat janë proceduar penalisht 474 shtetas, autorë të këtyre ndërtimeve të paligjshme. Për 34 shtetas, thuhet në njoftimin e Policisë, të cilët kryesisht janë konstatuar se kanë ndërtuar objekte pa leje në tokë publike, tokë shtetërore apo tokë të tjetrit, është marrë masa e arrestit në flagrancë. Ndërkohë, vijon njoftimi, 426 shtetas të tjerë, autorë të ndërtimeve të paligjshme, janë proceduar e ndiqen në gjendje të lirë dhe 14 shtetas janë shpallur në kërkim.
“Gjatë ditës së djeshme, nga strukturat e policisë janë proceduar penalisht 26 persona, të cilët nga verifikimet e kryera, janë konstatuar se kanë ndërtuar objekte në mënyrë të paligjshme, në nje rast është marrë masa e arrestit në flagrancë dhe nje shtetas është shpallur në kërkim”, thuhet në njoftimin e Policise së Shtetit, ku sqarohet se në çdo rast të konstatuar nga strukturat e Policisë së Shtetit janë kryer veprimet procedurale përkatëse, duke bërë edhe pezullimin e punimeve në objektin e ndërtuar në mënyrë abuzive.
Rastet e evidentuara sipas Drejtorive të Policisë në Qarqe:
Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë janë evidentuar 118 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 118 persona, nga të cilët 9 janë arrestuar në flagrancë, 103 prej tyre ndiqen në gjendje të lirë dhe 6 shtetas janë shpallur në kërkim.
Nga Drejtoria e Policisë Qarkut Durrës, janë evidentuar 66 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 67 persona, nga të cilët 6 janë arrestuar në flagrancë, 61 prej tyre ndiqen në gjendje të lirë. Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan janë evidentuar 64 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 64 persona, nga të cilët 1 është arrestuar dhe 62 ndiqen në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim.
Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier janë evidentuar 41 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 42 persona, nga të cilët 4 janë arrestuar në flagrancë, 36 prej tyre ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim. Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë janë evidentuar 20 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 20 persona, nga të cilët 1 është arrestuar në flagrancë dhe 19 ndiqen në gjendje të lirë.
Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë janë evidentuar 22 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 22 persona, nga të cilët 2 janë arrestuar në flagrancë, 19 prej tyre ndiqen në gjendje të lirë dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim. Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër janë evidentuar 12 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 12 persona, nga të cilët 3 janë arrestuar dhe 9 ndiqen në gjendje të lirë.
Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër janë evidentuar 14 raste, për të cilët ndiqen në gjendje të lirë 14 shtetas. Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Berat, janë evidentuar 34 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 34 persona, të cilët ndiqen në gjendje të lirë. Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë janë evidentuar 44 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 44 persona, nga të cilët 8 janë arrestuar, 35 prej tyre ndiqen në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim.
Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Dibër janë evidentuar 26 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 27 persona, të cilët ndiqen në gjendje të lirë. Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Kukës janë evidentuar 9 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 10 persona, nga të cilët 7 ndiqen në gjendje të lirë dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim.