Sipas portalit kapital.al qeveria shqiptare ka marrë një vendim të pazakontë: të ndryshojë buxhetin e shtetit përmes një akti normativ urgjent, me qëllim që të investojë 10 milionë dollarë në një startup të inteligjencës artificiale të themeluar nga Mira Murati, e njohur për rolin e saj si ish-CTO (shefe e teknologjise) e OpenAI. Kompania në fjalë, e quajtur Thinking Machines Lab, me sa di une, nuk është e regjistruar në Shqipëri, nuk zhvillon aktivitet në territorin shqiptar dhe nuk përfaqëson ndonjë iniciativë kombëtare për zhvillimin teknologjik të vendit. I vetmi lidhës është origjina shqiptare e Muratit – një element emocional dhe simbolik, por që nuk justifikon përdorimin e fondeve publike për investime jashtë juridiksionit shqiptar.
Më shqetësues është fakti që vendimi është marrë pa ndonjë proces transparent, pa shpallje publike, pa konkurrencë, pa analizë të rrezikut dhe pa ndonjë vlerësim real të ndikimit ekonomik për Shqipërinë. Ndryshe nga rastet e mëparshme, ku aktet normative për ndryshime në buxhet janë përdorur për emergjenca natyrore apo kriza të papritura, ky është një rast krejtësisht i izoluar dhe i paprecedentë, ku e gjithë procedura legjislative i vihet në shërbim të një investimi të vetëm në një startup privat të huaj.
Ndërkohë, Thinking Machines Lab është në proces të grumbullimit të një rundi financimi me vlerë marramendëse – deri në 2 miliardë dollarë – nga investitorë të mëdhenj ndërkombëtarë, përfshirë firma të njohura si Andreessen Horowitz. Kompania synon një vlerësim total që mund të shkojë në mbi 10 miliardë dollarë, pavarësisht se ende nuk ka një produkt të lançuar apo të ardhura të dokumentuara. Ky interes i madh i tregut vjen kryesisht nga emri i Muratit dhe ekipi që ajo ka mbledhur, që përfshin figura të rëndësishme nga bota e AI-së. Por kjo nuk e bën më të justifikueshëm ndërhyrjen financiare të një shteti të vogël si Shqipëria, që përballet me sfida reale buxhetore në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë.
Prejardhja shqiptare e Mira Muratit nuk e bën startup-in të saj një projekt shqiptar. Është një iluzion i rrezikshëm të ngatërrosh krenarinë kombëtare me politikat publike. Financimi i saj nga buxheti i shtetit shqiptar nuk është investim në inovacion vendas, por një gjest politik pa përmbajtje zhvillimore. Ky akt krijon një precedent të keq dhe ngre pikëpyetje serioze mbi përdorimin e fondeve publike, respektimin e rendit ligjor dhe prioritetet e shtetit në raport me interesin publik. Me teper se nje investim serioz, ky 10 milione dollaresh tingellon si nje perpjekje per te blere (lobim i thuhet politikisht) favore nga nje mendje e njohur e inteligjences artificiale, apo dikujt tjeter qe fshihet pas.
Në vend që të financojë startup-e të huaja përmes procedurave të jashtëzakonshme, shteti shqiptar duhet të krijojë mekanizma të qëndrueshëm për të mbështetur inovacionin vendas, për të rritur kapacitetet teknologjike në territor dhe për të mbajtur të rinjtë e talentuar në vend. Çdo investim publik duhet të matet me ndikimin e tij konkret, jo me ngjyrime simbolike që shërbejnë më shumë për propagandë se për zhvillim.
Ne vend te mbylljes:
Tre pyetje per qeverine Shqiptare,
1- A mund te beni publike korrespondencen, telefonatat apo takimet me kompanine Thinking Machines Lab ose me Mira Muratin ne 3 muajt e fundit?
2-A keni konsideruar investim te ngjashem me ndonje kompani tjeter ne kete fushe? Si psh, DeepSeek (free) apo qofte edhe me OpenAI ku Mira ishte punesuar para kesaj?
3-A mund te publikoni studimin e fizibilitetit ne kete investim? Pra pritshmerite dhe rrisqet? Kush mban pergjegjesi ne se humbasin 10 milione dollare? Se ky investim nga menyra se si eshte proceduar (jo nga shuma e lekeve) po ja kalon edhe inceneratoreve te famshem.