Kronika

Tre transaksionet miliona euro që po heton prokuroria për ekzekutimin e Santos

timthumb (1)PISTAT 1. Qendra tregtare – Pista e parë hetimore ka qenë përfshirja e z. Santo në një biznes  hotelerie-turizmi në Kosovë, ku ka pasur disa mosmarrëveshje

2. Transfertat e dyshimta – Prokuroria ka marrë në dorë disa lëvizje të mëdha parash brenda dhe jashtë vendit ndaj personave që dyshohen për afera kriminale

3. Transaksionet dhe aksionet – Pista e tretë është ajo e disa blerjeve të dyshimta të aksioneve të bankës, por edhe të ndërhyrjes së “Credins” për ARMO

Ngritja e kompleksit në Kosovë, paratë e kokainës dhe “loja” me azerbajxhanasit

Transaksionet

Futja në grupin hetimor e një prokurori të Task-Forcës duket se do të ndryshojë edhe rrjedhën e hetimeve. Prokurori Ndini Tavani ka kryer edhe më parë verifikime në bankën “Credins”, pikërisht transfertat miliona euroshe të biznesmenit Rezart Taçi dhe familjes së tij, që i kalonin njëri-tjetrit shuma të mëdha. Ende kjo çështje është në hetim nga njësia antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Sipas kallëzimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ndaj biznesmenit thuhet tekstualisht se “më datë 06.08.2013 është kryer transferta e parë prej 35 milionë eurosh në favor të Rezart Taçit në llogarinë e tij personale në bankën ‘Credins’. Në datat 6 dhe 07.08.2013 shtetasi Rezart Taçi ka transferuar në emër të të afërmve të tij shumën 12 milionë euro, në total”.

Ndërkohë, prokuroria ka faktuar edhe se biznesmeni Taçi ka qenë aksioner i bankës “Credins”. Ai ka blerë një paketë aksionesh në vitin 2011, për miliona USD, ku në fakt firmëtar ka qenë pikërisht Santo. Ndërkohë, sipas disa dokumenteve që disponon edhe Shqip disa ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013 Taçi i ka shitur aksionet, sërish për miliona euro. Në fakt, krahas shitjes së aksioneve të bankës, ai ka kryer edhe shitjen e një sërë aksionesh të tjera në shoqëritë e tjera, për të cilat Policia e Shtetit ka bërë edhe një kallëzim penal. Shitja e aksioneve është bërë në muajin korrik të vitit 2013, ndërsa prokuroria thotë se po heton të gjitha lëvizjet e kuotave në bankën “Credins”, ku dhe Artan Santo ka qenë drejtor i përgjithshëm.

Episodi i tretë i hetuesve ka qenë çështja me kompaninë ARMO. Për këtë kompani mësohet se ka ardhur një shumë prej 45 milionë eurosh në bankën “Credins”. Në “lojë” kanë qenë edhe disa shtetas nga Azerbajxhani, të cilët kanë ardhur edhe disa herë në Shqipëri, ndërsa dyshohet se mund edhe të kishin kryer ndonjë vepër penale, por që drejtësia ende nuk e ka dokumentuar, në mungesë të një kallëzimi penal.

Investimi në Kosovë

“Po hetojmë përfshirjen e zotit Santo në disa shoqëri bankare, sigurimesh, hotelerisë dhe mediash. Disa prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij janë marrë në pyetje, megjithëse ende nuk kemi zbardhur ndonjë konflikt të madh”, pohojnë burimet nga akuza, të cilat saktësojnë se këto verifikime kanë krijuar bindjen se zoti Santo ka qenë një ndërmjetës i shkëlqyer, ku arrinte të sheshonte probleme. Akuza thotë se hetimet po fokusohen tek eliminimi i tij i mundshëm për të fshehur ndonjë pastrim parash apo për përvetësimin e kompanive të tij, ndërsa në fokus ka qenë edhe investimi i tij për ngritjen e një kompleksi turistik në Prishtinë. Në fakt, për ngritjen e këtij kompleksi kanë qenë disa aksionerë, ku xhelozitë me njëri-tjetrin kanë krijuar probleme, aq sa z.Santo është tërhequr nga ky investim.

Paratë e drogës

Prokuroria e Tiranës thotë se ka marrë në shqyrtim edhe disa materiale hetimore që vijnë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, që kanë të bëjnë pikërisht me çështjen e kokainës së Malit të Zi, ku një shtetas kolumbian është arrestuar në Tiranë, me akuzën e bashkëpunimit për trafikun e rreth 250 kilogramë drogë, që u kap në Tivar. Dy ditë më parë, prokuroria tha se kemi marrë materialet dhe po i shqyrtojmë me imtësi. “Shtetasi kolumbian, në rrëfimin e tij për prokurorët, nuk ka përmendur emra bankash dhe për këtë arsye hetimet janë vështirësuar. Do të kërkojmë që ky shtetas të rimerret në pyetje, pasi ka deklaruar më parë se do të kalonte në Spanjë një shumë të madhe parash, nga një bankë e nivelit të dytë. Madje ka shpjeguar se një bashkëpunëtor i tij njihte një drejtues banke që mund të kryente këtë transaksion. Por sërish asnjë emër personi apo banke”, pohojnë burimet nga akuza e kryeqytetit.

Procesi

U dyshuan për vrasje, por s’ka asnjë provë. Në duar u gjetën mbetje baruti, por thanë se kishin pikë saldimi

Gjykata, burg 15-ditor për dy kushërinjtë

Gjykata e Tiranës la në burg për 15 ditët e ardhshme dy kushërinjtë Klodian dhe Gazmir Gjoza nga fshati Gjuricë, të dyshuar për vrasje në bashkëpunim. Në fakt, kjo ishte kërkesa e prokurorit që po heton vrasjen e Santos, i cili mësohet të ketë thënë gjatë masës me dyer të mbyllura se dy kushërinjtë dyshohen për vrasje, por për ta ende nuk ka asnjë provë dhe për këtë kërkoi kohë derisa organit të akuzës t’i vijnë përgjigjet e dy ekspertizave. Njëra është ajo e telefonave të dy të dyshuarve, nëse kanë udhëtuar apo jo ditën e krimit në Tiranë dhe tjetra për faktorët plotësues, në mbetjet e konstatuara në një motor që i përket Klodian Gjozës e që policia e gjeti gjatë kontrollit në një servis në Fushë-Krujë. Në dalje të procesit avokati Sami Dema tha: “Ata u lanë për 15 ditë në burg. Dyshohen për vrasjen e Santos, por ata nuk kanë lidhje. Ata janë dy persona të rëndomtë, njeri prej të cilësive s’ka dalë asnjëherë nga fshati i tij, s’e njeh fare Tiranën”. Sipas avokatit, shkak për arrestimin e klientëve të tij është bërë fakti që Klodian Gjoza ka një motor të përafërt me atë që është përdorur nga dy vrasësit në krim. “Ata kishin një motor dhe klienti im ka një motor që faktikisht nuk ngjan aspak me atë që është përdorur”, deklaroi avokati Dema. Ndaj dy kushërinjve që janë lënë në burg për 15 ditë nuk ka ende të ngritur një akuzë konkrete, ndërkohë që prokuroria po verifikon edhe veprimet bankare apo transaksionet që mund të jenë kryer nga banka ku i ndjeri ishte drejtor i përgjithshëm. Ndërkohë, ende nuk ka një pistë zyrtare për atentatin mafioz.

Ndërkohë, prokuroria pretendon se arrestimi i këtyre dy kushërinjve ka qenë i paligjshëm dhe për këtë shkak kërkuan burg me afat. Në fakt, këta dy persona janë arrestuar që në datë 26 qershor, por ata dolën për masë sigurie vetëm në datë 30 qershor, pra katër ditë më parë. Policia ka pasur dyshime, thotë prokuroria, se të ndaluarit dyshohen edhe për vrasjen e Santos, ndërsa në gjykatë ata kanë dalë vetëm për armëmbajtje pa leje. Hetuesit e policisë u kanë gjetur dy të ndaluarve në duar disa mbetje baruti, por ata kanë pohuar se kanë në pronësi një pikë saldimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button