ArteLibri

Tri tregime të shkurtra nga Mehmet Elezi

SYTË E POETIT

Aty ulej poeti K. J. Në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve s’e zë kush vendin e tij. Në ndenjësen e mbetur thatë rrinë prore ndezur dy llampushka. U shihen vetëm rrezet. Përshkojnë sallën, si projektorë skene. Diçka kërkojnë.

Për herë të mbrame K. J.  kish qenë ulur aty kur përurohej romani i dikujt në Lidhje, risi në prozën e sotme, bla-bla. Nuk i këqyrte ata që shkonin drejt mikrofonit, duke mbërthyer xhaketën. Shikim ndalej diku tjetër, në rreshtin e parë.

Arbnor Nuhu, student i vitit të fundit në fakultetin e letrave, bënte stazhin në të përjavshmen Drita, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve.  E nguci:

– Zoti K., i tha, si shumë ia ke gacëlluar sytë Adës. Të paska shkuar mendja keq, më duket.

Fort i moshuar, K. J. vishej me kostume të modës së dikurshme, qafëzat e këmishave thuajse rrumbullake, si ato që shohim nëpër fotografitë e rilindasve.  Ngadalësinë e ecjes me shkop e përgënjeshtronin dy cilësi. Sytë vezullues nën një ballë të thatë, me rrudha tërthore. Dhe aftësia gjithnjë e pabjerrë me ta shtrëngue dorën fort.

Ada nuk qe Adë, Ada qe najadë. Qe zanë, që zanon. Kur t’i lëshonte sytë, fillimisht ndihej ulurima e një lumi a mbase e një ujku në grykë malesh. Pastaj valë buzëçelura, shkumë e stërkala, flakë e zjarr, lëshoheshin nga thellësitë e bebëzave. Duke u zmadhuar, duke u zmadhuar. Duke përmbytur, duke përmbytur.

Ada, në daç zana, i kishte mbushur a s’i kishte mbushur njëzet. Ndiqte ligjëratat në vit të dytë në fakultet, shkruante vjersha, donte me u shpallë poete. Nuk linte rast pa ardhur në Klubin e Lidhjes. Përflitej se aty gjuante ndonjë emër të njohur. Kur futi në kllapë Ismailin, u ngul aty.

– Dëgjo djalë, ia ktheu K. J. Mendja ka të drejta të pakufizuara. Në daç e rrok Diellin, në daç mbretërinë. Është e vetmja që hyn gjithkah, pash më pash, pa iu tutur kujt, pa i dhënë llogari kujt. Kush guxon me i rrëshqitë në shtrat mbretëreshës, pa e pyetur fare? As vetë mbreti s’e bën atë trimëri. Mendja e bën.

– Syri, syri, zoti K., lere mendjen. Si shumë i ke picërruar sytë andej.

Folësit çanin dërrasa, roman vërtet modern, pasurim i, bla-bla.

Bebëzat e K. J. përshkënditën.

– Edhe të drejtat e syrit janë të pakufizuara more djalë, tha. Jo aq sa të mendjes, por gjithsesi.  Ke qenë në Krujë? Në mot të kthjellët prej Kruje dallohen brigjet e Italisë. Kurrkush nuk të qorton pse po ua lëshon sytë brigjeve matanë detit. Në provofsh me i prekë ato brigje, hm. Të drejtat e dorës janë shumë të kufizuara. Prandaj dora është e gjatë aq sa është. Po buzët? Fort më të shkurta se dora. Edhe të drejtat kështu i kanë, fort më të kufizuara se dora. Zoti i ka harmonizuar përmasat e pjesëve të shtatit, me të drejtat që u ka dhënë.

Nëpër sallë, ballona fjalësh shumëngjyrëshe për romanin befasues të njeriut të Lidhjes.

Ada zanë, vazhdon me zanue me vështrimin e vet.

Kjo kishte ndodhur para katërdhjetë e katër ditësh.

Nga zbrazëtia e ndenjëses ku ulej K. J., vjen gjithnjë vezullimi i dy syve nën një ballë të thatë, me rrudha tërthore. Kërkojnë dy sy të tjerë, diku në rreshtin e parë. Dy sy turbullues.

Lulet e kurorave te kryet e tij ende s’e kanë humbur njomështinë. Zbukurojnë tragjikisht dheun e kokrrizët.


PENG DASHURIE

Nata në kulmin e gjumit ngjyrëvjollcë, ata hyjnë në majë të gishtave. Shtypin sythin e televizorit. Ekrani përflaket. U-u!, paska filluar. Sh-sht, ulja zërin. Ulja shpejt, mos u huto.

Ia picërrojnë sytë.

Ekrani dihat. Fillon me klithë.

Herë pas here e përvjedhin me bisht të syrit Loken, sa një kokërr arrë. E imët, e bardhë si Borëbardhë, ajo po fle. Kryet mbuluar me batanije.

Te kryet lan faqet dritarja fytyrëçelët. Mali qumështor përtej, i kripur me borë.

Ata janë vëllezër, trembëdhjetë e katërmbëdhjetë vjeç. Me flokë të verdhë dredha-dredha, me faqe të kuqe e me sy ngjyrëprilli, duken si vajza. I tradhton vetëm zëri, ka nisë me u trashë. Televizor në dhomë? Ju le pa mësuar, ua ka prerë i ati. I ati nuk ndryshon mendje.

Ah, sikur të kishim një ajfon!

Televizor s’kanë ata, por ka në odë të ndejës. Në odë të ndejës fle Lokja.  Ka sport sonte, Loke, krejt shokët tanë e shohin, a mund? Sugarët e Lokes, ejani kur të doni. Është pak vonë, Loke, druajmë mos ta çartim gjumin. Nuk ma çartni, ju pastë Lokja. Unë fle, nuk ndiej gjë.

Në atë moshë, e ka gjumin si qingj.

Hëna sykaltër, e pacipë, krejt cullak. Flokënajën lëshuar valë-valë. Supet e përndezura të bjeshkës dridhen. Sytë e djemve gacëlluar fort në ekran.

Lokja aty, në kokërr të gjumit. Si mos me qenë gjallë.

Ata shkrihen e vdesin e zgjohen prapë. Fërgëllojnë, lëmsha të lagur, të zjarrtë. Si ua mban lëkura tërë atë energji hormonesh, si nuk shpërthejnë në vend, puf!

Mb…mbaroi, kaq shpejt?

Tërheqin derën butë, nëpër ëndërr-zhgjëndërr, dhe shkojnë në fjetën e tyre.

– Qysh fjete, Loke, a thua të bëmë zhurmë? Qe vonë, pamë një ndeshje boksi.

Lokja është zgjuar shpej dhe po pi kafen. U jep buzëve për-për. Nuk merret vesh çka thotë. Pakujtimas e kthjellon shqiptimin. Shikimin ngulur diku në përtejbotë.

– Më bëtë me e ndie veten pak fajtore, ju pastë Lokja. Boll fort e kam pasë dashtë atë burrë, pastë dritë. Vetëm mbrëmë e kuptova, kurrë s’kisha pasë ditë me ia ba qejfin siç duhet!

Dy djemtë shpërbëhen në ajër.

I biri i Lokes, gjyshi i djemve, dy javë pas Shën-Gjergjit kishte rrumbullakuar tetëdhjetë e një vjet.


ÇIFTI MBRETËROR

Edhe kur lyej buzët te pasqyra, edhe kur zbres ngutshëm shkallëve të metrosë duke përbiruar ndërmjet njerëzve, edhe kur marr një kafe të shpejtë te automati, më përvijohen ata të dy.

Qenë shtruar të sëmurët e parë me Covid-19, kur në pavijonin e kujdesit të shtuar mbërrin një urdhër i pazakontë. Përgatisni një dhomë të veçantë me dy shtretër. Për një çift.

Dhomë për çift në pavijonin e kujdesit të shtuar? S’kish ndodhur ndonjëherë. Do të jetë çift mbretëror. Domethënë i zyrave më të larta të shtetit. U fol për një miliardier, kish dhënë shuma të rënda për spitalin, mbase janë prindët e së shoqes, e ka tridhjetë vjet më të re. Nuk. U pëshpëritën emra këngëtarësh, futbollistësh, emri i një ish-piloti të Formula 1. Prapë nuk. Ata kurohen nëpër spitale private. Kanë sigurim shëndetësor gold. Çifti mbizotëronte dialogjet e shkurta, kur kryqëzoheshim nëpër mesore a në ashensor.

Në dhomë ua kishin afruar shtretërit pranë e pranë.  Pothuajse ngjitur.

Ata nuk mund të flisnin.

Ata zgjasnin duart.

Ajo të majtën, kërkonte diçka.

Ai të djathtën, kërkonte diçka.

Duart me damarë në trajtë kulprash dimërore, dridheshin.

Qetësoheshin sapo preknin njëra-tjetrën. Dora e djathtë e tij prekte dorën e majtë të saj. Lëkura e fytyrës u njomështohej, mbi kodrinat e dêjuna të mollëzave shpërgjumej një hënë e thatë. Ashtu në kllapi, ndiheshin të lumtur.

Po çelte drita, kur ajo nuk e zgjati më dorën. Dita e trembëdhjetë aty.

Ai e ndjeu ç’kishte ndodhur, kur zgjati dorën e vet. Dora i mbeti vjerrë në ajër. Duke u dridhur. Gjithnjë e më fort. Dorë apo krande, mbështjellë me një gjethe duhani të tharë në hangar? Dridhja iu shtua trembshëm. Dora u këput. Fundshtroja ushtoi prej përplasjes së saj. U shemb ndriçuesi nga qiellzana?

Shtati iu ftoh pas disa minutash.

Kishin kaluar tetëdhjetë e dy vjet bashkë. Pa u ndarë as edhe një ditë të vetme. Nëse nuk llogaritim dymbëdhjetë muaj e nëntëmbëdhjetë ditë gjatë Luftës së Dytë, kur ai shkoi në front. Kur qenë martuar, ajo sa i kishte mbushur tetëmbëdhjetë vjet, ai njëzet e dy. Ditën që fluturuan në qiell, ajo njëqind, ai njëqind e katër.

Jetonin në rrethinë të kryeqytetit, në një lagje me imigrantë.

Ai kish pasur një rangtore. Punonte në dru, gdhendte gjithfarë vogëlimash artistike.

Ajo fillimisht edukatore kopshti. Pastaj ndihmëse e tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button