Kronika

Tritol qendrës së biznesit të policit

Fushë-Krujë

Shpërthimi ndodhi pranë postës policore, hetohet për konkurrencë dhe hakmarrje

shperthimi fushe krujeRikthehen shpërthimet me tritol në qytetin e Fushë-Krujës. Një sasi lënde eksplozivi është vendosur në katin e parë të një godine trekatëshe që ndodhet në qendër të qytetit, vetëm pak metra larg stacionit të policisë, ndërkohë që policia ka shoqëruar disa të dyshuar për këtë atentat, për të cilin janë ngritur dy pista hetimi, ajo e hakmarrjes dhe e konkurrencës.

Eksplozivi

Shpërthimi, i cili ka tronditur qytetin e Fushë-Krujës, ka ndodhur rreth orës 00:40 dhe menjëherë, në vendin e ngjarjes, kanë shkuar forca të shumta policie, pasi edhe posta policore ndodhet shumë pranë objektit të atentatit. Burimet policore thanë se eksplozivi ishte vendosur në një ndërtesë trekatëshe, që funksionon si qendër biznesesh në qendër të qytetit të Fushë-Krujës dhe që është në pronësi të E.K., për të cilin ka informacione jozyrtare se është punonjës policie. Sipas të dhënave, kati i parë i godinës shërbente si lokal lojërash fati, ndaj hetimet janë përqendruar në pistën e shkatërrimit të objektit, për shkak të konkurrencës. Pas identifikimit të vatrës së shpërthimit, policia ka marrë në pyetje pronarin e godinës, por edhe qiraxhinjtë, për dyshimet e tyre mbi autorët e këtij krimi të rëndë. Megjithatë, ata nuk kanë mundur të japin ndonjë emër konkret mbi të dyshuarit, duke u shprehur se nuk kishin ndonjë konflikt personal.

Konkurrenca

Nga veprimet e para, ka rezultuar se në godinë ishte vendosur një sasi prej afro 200 gramësh lëndë shpërthyese e llojit tritol. Meqë shpërthimi është kryer në orët e vona të natës, nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e kapjen e autorëve, ndërkohë që natyra e ngjarjes e bën të vështirë zbardhjen e shpejtë të saj. Pista kryesore, ku policia ka shtrirë hetimet, është ajo e konkurrencës. Duke marrë parasysh llojin e biznesit që zhvillohej në qendër të Fushë-Krujës, policia ka dyshime se eksplozivi mund të jetë porositur nga ndonjë tregtar rival.

Hakmarrja

Por, grupi hetimor tha se nuk ka lënë jashtë vëmendjes edhe një pistë tjetër, për të cilën po kryen të gjitha verifikimet e duhura procedurale. Sipas të dhënave, të afërmve të pronarit të godinës i është hedhur një sasi tritoli edhe para pak muajsh. Burimet policore bënë të ditur se atentati ka ndodhur në fillim të muajit maj, kur një sasi eksplozivi është vendosur në oborrin e një shtëpie private në një nga fshatrat e zonës. Në atë kohë, nga shpërthimi u dëmtua një makinë dhe pati dëme të vogla materiale në shtëpi, por nuk pati të lënduar në njerëz. Edhe ai shpërthim, ende nuk është zbardhur nga policia, kështu që janë ngritur dyshimet se ekziston një lidhje mes atij rasti dhe ngjarjes së djeshme.

Fushë-Kruja

Vetëm gjatë këtij viti, në Fushë-Krujë janë regjistruar disa shpërthime të forta, tre prej të cilëve në stacionin policor lokal, një në godinën e bashkisë e të tjera në automjete a biznese të qytetarëve të zonës. Të gjitha ngjarjet janë ende të pazbardhura dhe rrjedhimisht pa autorë. Policia ka kryer aksione disa herë në këtë zonë, ka shoqëruar persona të ndryshëm, por pa mundur të arrestojë ndonjë nga autorët e atentateve me eksploziv.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button