Trump i bën një paralajmërim të ashpër ushtrisë së Venezuelës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka lëshuar një ultimatum të ashpër në adresë të ushtarakëve të Venezuelës të cilët vazhdojnë të mbështesin presidentin Nicolas Maduro, megjithatë insistoi se Washingtoni vazhdon të kërkojë një “tranzicion paqësor të pushtetit” në atë vend.
Në një adresim komunitetit venezuelas-amerikan në Miami të Floridas, Trump bëri një ofertë për pjesëtarët e ushtrisë dhe lidershipit të Venezuelës, duke thënë se “duhet të ndihmojnë drejt krijimit të një të ardhmeje të sigurtë dhe të begatë për të gjithë njerëzit e Venezuelës”, megjithatë paralajmëroi se nuk do të ketë mëshirë për ata që do të vazhdojnë të mbështesin Maduron.
“Nëse zgjedh këtë rrugë, nuk do të gjesh strehë të sigurtë, nuk do të ketë një dalje të lehtë, nuk do të ketë fare dalje”, tha Trump.
“Ju do të humbisni gjithçka”, ishte i ashpër Trump në paralajmërimin e tij.
Presidenti amerikan vazhdoi të këmbëngulte se të gjitha opsionet janë të hapura lidhur me trajtimin e krizës në Venezuelë, ndërkohë që u bëri thirrje pjesëtarëve të ushtrisë së Venezuelës “të mos ndjekin urdhrat e Maduros për të bllokuar ndihmën humanitare dhe të mos kërcënojnë protestuesit paqësorë, udhëheqësit e opozitës, anëtarët e Asamblesë Kombëtare, dhe as presidentin Guaido dhe familjen e tij”.
SHBA-të mbështesin Juan Guaidon, udhëheqësin e Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, i cili më 23 janar u vetëshpall president i përkohshëm i vendit.
Maduro ka kundërshtuar ashpër thirrjet e liderit të opozitës për të lëshuar pushtetin, duke këmbëngulur se qeveria e tij është objektivi i një grusht shteti të orkestruar nga Washingtoni.
Ditë më parë këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, John Bolton, ka deklaruar se Washingtoni do të ofronte lehtësim nga sanksionet për çdo oficer të lartë ushtarak të Venezuelës që do të njihte udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, si udhëheqës legjitim të vendit, megjithatë shumica e ushtrisë së Venezuelës ka vazhduar të mbështesë Maduron.