Turisti nga Trieste: “Ja përse më pëlqen të kaloj pushimet në Shqipëri”
Nga miq dhe të njohur, që kishin qenë me pushime në Shqipëri, ishin bërë kuriozë për këtë vend. Prandaj dhe vendosën të niseshin…
Prej 4 ditësh, Luigi, një 49 vjeçar nga Trieste, bashkëshortja e tij dhe vajza, Sofia, 17 vjeçare, ndodhen në vendin tonë. U nisën me makinën e tyre dhe udhëtuan drejt Ksamilit, ku qëndruan dy ditë. Më pas, në Sarandë dhe, sot, në një nga plazhet e Dhërmiut, ku i takova rastësisht. Teksa, të dy, qëndronim pranë pishinës së një kompleksi turistik në këtë zonë, Luigi thotë se, Shqipëria ka një bregdet të bukur. “Keni një vend interesant dhe një bregdet, që të lë mbresa”, thotë ai.
49 vjeçari spjegon se, kriza ekonomike që po kalon vendi i tij, ka prekur edhe financat e familjes së vet. Paga i ka rënë ndjeshëm, krahasuar me pak vite më parë, ndërkohë që bashkëshortja merr vetëm 820 euro. Me të ardhurat nuk mund të përballojnë dot pushimet në vendin e tyre. Prandaj dhe informacioni që kishin marrë nga miqtë për koston e ulët që mund të kishte një tur pushimesh në vendin fqinj(Shqipëri), ishte edhe një arsye tjetër që i grishi dhe i nxiti të mos hezitonin.
Sot, pas 4 ditësh, ata nuk janë penduar aspak në vendimmarrjen e tyre. “Bregdeti juaj i bukur, resortet e këndshme, ushqimi cilësor dhe i lirë, deti i mrekullueshëm, mjaftojnë që ne të ndihemi mjaft mirë në këto ditë që ndodhemi në vendin tuaj”, thotë Luigi, ndërkohë që përshëndet me dorë vajzën, që po noton në pishinë.
Ai shprehet se, njerëzit këtu janë shumë të mirë, të qeshur dhe të disponueshëm dhe kjo i bën mjaft interesantë. “Është një tjetër arsye që të bën të ndihesh mirë, kur sheh të rinj e të reja, që reflektojnë mirësi e optimizëm”, thotë 49 vjeçari; “Por edhe që janë të bukur dhe dukshëm të palestruar”, shton me të qeshur, Sofia, që tashmë ka mbërritur pranë nesh dhe që ka dëgjuar frazën e fundit të babait të vet për shqiptarët.
Të dy veçojnë shërbimin në lokalet ku kanë qëndruar, madje ju dukej po ashtu mjaft interesante mënyra se si shërbeheshin “cocktail”-et e ndryshme. ““Mohito” shërbehet në një gotë në formë vazoje, mjaft të veçantë”, thotë Luigi, ndërkohë që merr edhe aprovimin e vajzës së vet për këtë konstatim.
Triestini 49 vjeçar shprehet se, në Shqipëri nuk është e nevojshme të planifikosh itinerarin, vendet ku do të qëndrosh e ku do të pushosh. Kudo mund të gjesh apartamente, shtëpi, vende ku mund të akomodohesh dhe, padyshim, njerëz që të bëjnë për vete me disponibiltetin dhe mirësinë e tyre. Ky spontaneitet, ky grafik rastësor lëvizjesh në një bregdet të thyer, është një nga ato elementë që i ka bërë ata për vete dhe u ka krijuar një ndjesi të këndshme.
Kërkojnë informacion për vende të tjera ku mund të shkojnë. Kanë dëgjuar për plazhe të tjerë, që ndodhen në drejtim të Vlorës. U pëlqejnë plazhet shkëmborë, ku uji është i pastër dhe i kthjellët si kristali. Do përpiqen të shohin e të shijojnë sa më shumë.
Nuk kanë planifikuar se sa do të qëndrojnë. Ja kanë lënë rastësisë. “Na pëlqen kështu. Të ndalojmë atje ku do të na pëlqejë dhe me sa shohim, do të jenë shumë vende të tilla”, thotë Luigi paksa me të qeshur, ndërkohë që rregullon kapelen sportive me ngjyrë të kuqe në kokën e qethur “zero”.
Më falenderon për informacionin që i dhashë dhe, së bashku me vajzën nisen në drejtim të çadrës ku i pret bashkëshortja. Kthen edhe një herë kokën dhe më përshëndet me dorë, ndërkohë që zhvendoset tutje me hapat e vet të gjatë.