Turqia kërkoi urdhër-arrestin ndërkombëtar, reagon Netanyahu
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar menjëherë pas njoftimit të autoriteteve turke për kërkesën për lëshimin e një njoftimi të kuq ndërkombëtar për arrestimin e tij, në kuadër të procedurave lidhur me luftën në Gaza dhe incidentin me aktivistët e Global Sumud Flotiljes.
Në deklaratën e tij, Netanyahu ka sulmuar ashpër presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, duke e cilësuar atë si “një diktator antisemit”. Ai e akuzoi liderin turk për represion ndaj kundërshtarëve politikë dhe gazetarëve, si dhe për mbështetje ndaj Hamasit.
“Erdoğan është një diktator antisemit që masakroi kurdët, u dha strehim terroristëve të Hamasit, pushtoi gjysmën e Qipros dhe burgosi një numër rekord gazetarësh dhe kundërshtarësh politikë”, deklaroi Netanyahu.
Ai akuzoi gjithashtu Ankaranë se po përpiqet të zgjerojë përplasjen me Izraelin në Siri, duke paralajmëruar se vendi i tij nuk do të tërhiqet përballë presionit turk.
“Përpjekja patetike e Erdoganit për të frikësuar udhëheqësit dhe ushtarët e Izraelit, e vetmja demokraci e vërtetë në Lindjen e Mesme, nuk do të ketë sukses”, shtoi kryeministri izraelit.
Nga ana tjetër, ministri turk i Drejtësisë, Akin Gürlek, njoftoi se Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme të procedojë me një “njoftim të kuq” për arrestimin ndërkombëtar të Netanyahut dhe Afek Moskovitch.
Sipas autoriteteve turke, procedurat lidhen me akuzat për “gjenocid” dhe me incidentin e ndalimit të aktivistëve të Global Sumud Flotiljes në ujërat ndërkombëtare.
Gürlek deklaroi se Netanyahu dhe Moskovitch akuzohen, ndër të tjera, për krime kundër njerëzimit, gjenocid, privim të rëndë nga liria, dëmtime të qëllimshme trupore, keqtrajtim, dëmtim të pronës, grabitje të rëndë dhe sekuestrim të mjeteve të transportit.
Incidenti me flotiljen daton disa muaj më parë. Në maj, rreth 430 anëtarë ekuipazhi nga 50 anije, të ndaluara nga ushtria izraelite në Mesdhe, në perëndim të Qipros, u dërguan në Izrael, ku u mbajtën në burgun Ktziot përpara deportimit.
Publikimi i një videoje nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, në të cilën shfaqeshin disa prej aktivistëve të ndaluar të gjunjëzuar dhe me duart e lidhura, shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare.
Ministri turk i Drejtësisë theksoi se Ankaraja nuk pranon që qeveria izraelite dhe përgjegjësit për veprimet në Gaza të mbeten të pandëshkuar.
“Ne nuk do të lejojmë që krimet e kryera në Gaza të mbulohen, dhe as ata që janë përgjegjës nuk do të mbrohen nga mburoja e pandëshkueshmërisë”, tha Gürlek, duke shtuar se Turqia do të përdorë të gjitha mjetet që i lejon ligji kombëtar dhe ndërkombëtar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.