U rikonfirmua në krye të Ministrisë së Brendshme/ Çuçi: Kontrolli i territorit dhe lufta ndaj kriminalitetit, prioritet i mandatit të tretë
Reagimi i Bledi Çuçit:
Rikonfirmimi në postin e Ministrit të Brendshëm dhe drejtimi politik i qarkut Berat janë një tjetër vlerësim nga Kryeministri dhe Partia Socialiste, po aq sa edhe një përgjegjësi e lartë në të njëjtën kohë.
Në krye të këtij institucioni kaq shumë të rëndësishëm do të vazhdoj të punoj për të çuar përpara sfidat që lidhen me garantimin e rendit, sigurisë publike, jetës e pronës së qytetarëve, si dhe me përballjen me paligjshmërinë. Kontrolli i territorit, lufta ndaj kriminalitetit dhe ngritja e punës së Policisë së Shtetit në një tjetër nivel, mbeten prioriteti ynë i përbashkët përgjatë mandatit të tretë. Mandat që është një kontratë e re besimi për të vijuar me punët e nisura, për të bërë shkëputjen e madhe të vendit dhe për ta ndërtuar këtu të ardhmen tonë.
Një falenderim të veçantë sidomos për të gjithë bashkëpunëtorët, miqtë dhe qytetarët në qarkun Gjirokastër, për mbështetjen që më kanë dhënë mua e Partisë Socialiste në këto vite. Faleminderit! Mezi pres të punoj edhe me socialistët dhe qytetarët e Beratit, Skraparit, Poliçanit, Kuçovës e Dimalit, për të bërë po aq punë të mira si në qarkun Gjirokastër, për të shtyrë më tej investimet dhe projektet që zhvillojnë turizmin, bujqësinë dhe sektorë të tjerë të ekonomisë së këtij qarku.
Bledi Çuçi ka lindur në Tiranë, më 14 nëntor 1970. Në vitin 1995, Çuçi përfundoi studimet e larta për Drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe në vitin 1998, studimet pasuniversitare (Master) për Menaxhim në Universitetin Hasselt në Belgjikë.
Gjatë viteve 1999 – 2005, Çuçi ka shërbyer në disa funksione drejtuese, si kancelar i Gjykatës së Rrethit Tiranë, si dhe këshilltar i Ministrit, drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Integrimit dhe Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Pushtetit Vendor. Gjatë kësaj periudhe, Çuçi ka shërbyer si: përfaqësues i qeverisë shqiptare në Komitetin për Demokracinë Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Strasburg, anëtar i Grupit Negociator të Shqipërisë lidhur me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian (BE) dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Institutit për Trajnimin e Administratës Publike (ITAP) në Shqipëri.
Gjatë viteve 2006 – 2010, Çuçi shërbeu si këshilltar dhe ekspert për disa programe ndërkombëtare në Kosovë dhe Shqipëri, programe të mbështetura nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar i Mbretërisë së Bashkuar (DflD), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe BE.
Çuçi u bë pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Socialiste (PS) në vitin 2007, kur u zgjodh anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe kryetar i Komisionit të Asamblesë për Çështjet e Pushtetit Vendor.
Gjatë periudhës prill 2010 – nëntor 2011, Çuçi ka qenë Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës për Autonominë Vendore në Shqipëri, ndërsa nga dhjetori 2010 deri në gusht 2013, ai ka shërbyer si ekspert ligjor pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore në Shqipëri e, më pas, si Nën-sekretar për Çështjet Zgjedhore në PS.