UASHINGTON – Rubio mohon pretendimet se SHBA-ja ngadalësoi shërbimin “Starlink” për Ukrainën
UASHINGTON, 18 tetor /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara kanë mohuar sërish akuzat se kanë ngadalësuar qëllimisht internetin satelitor, që Ukraina përdor për qëllime ushtarake, deklaroi dje në mbrëmje sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
“Askush në Shtëpinë e Bardhë nuk i ka kërkuar askujt të ngadalësojë internetin apo shpejtësinë e tij, në mënyrë që disa dronë të mos mund ta përdornin”, u tha Rubio gazetarëve përpara nisjes së tij drejt Uzbekistanit.
Ai nuk dha një shpjegim të qartë për shkaqet e problemeve.
“Diçka e tillë ndodhi, por, sipas asaj që di unë, shërbimi është rikthyer”, shtoi ai.
Rubio konfirmoi se Kievi përdorte internetin satelitor për të drejtuar fluturimet e dronëve.
Kryediplomati amerikan mohoi gjithashtu që Ukraina të kishte akses në sistemin ushtarak të internetit satelitor “Starshield”.
“Starshield” është pjesë e një kontrate me ushtrinë amerikane. Nuk ka të bëjë fare me Ukrainën”, deklaroi Rubio.
“E di që Ukraina dëshiron të ketë akses në “Starshield”. Ajo ka kërkuar ta përdorë këtë sistem për të kryer sulme në thellësi të territorit rus. Aktualisht, nuk ka akses në të”, shpjegoi ai.
Rubio theksoi se “Starlink” dhe “Starshield” janë dy sisteme të ndryshme.
Raportimet për ngadalësimin e internetit satelitor në Ukrainë
Të mërkurën, mediet ukrainase raportuan probleme me përdorimin e internetit satelitor “Starlink”.
Sipas këtyre raportimeve, dronët humbnin lidhjen me rrjetin kur lëviznin me shpejtësi mbi 160 kilometra në orë, e në disa raste edhe kur lëviznin më ngadalë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi pak më vonë se shërbimi ishte kufizuar.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë dhe Elon Musk, pronari i kompanisë “SpaceX” që operon rrjetin “Starlink”, hodhën poshtë akuzat se kufizimet ishin vendosur qëllimisht.
Pavarësisht raportimeve të kundërta në mediet ukrainase, Zelensky vazhdon të këmbëngulë se kufizimet janë ende në fuqi.
Presidenti ukrainas ka akuzuar vazhdimisht për ndërhyrje të qëllimshme që kufizojnë funksionimin e shërbimit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.