Udhëtimi epik në Ballkan i Lord Bajronit
Nga: Nikolla LENA
Sot është datëlindja e George Gordon Byron (Lord Bajroni), që ndërlidhet dhe me udhëtimin e tij të parë në Ballkan e në Shqipëri.
Para ca kohësh realizova një intervistë me Vasil Koço Pjetrin, një pasardhës të njërit prej trimave që shoqëruan Lordin anglez për në sarajet e Ali Pashës. Vasili është stërnip i njërit prej trimave që shoqëruan Lordin Anglez për te Aliu, që dhe ai quhej Vasil, i biri i Gjik Pjetrit që Aliu mbante në krah të tij.
Vasil Koço Pjetri ma tregoi këtë histori para se të ndërronte jetë më 9 janar 2018.
Bajroni lindi më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar.
Kur ishte ende student, botoi vjershat e para lirike, “Orët e Ngeses”.
“Shtegtimi i Çajlld Harolldit” është puna letrare më e madhja e Bajronit.
Populli i Shqipërisë së Jugut e mbajti për një kohë të gjatë në kujtesën e tij vizitën e poetit anglez në sarajet e Tepelenës, dhe i përmendnin fjalët që i tha Ali Pasha fisnikut anglez: “E kuptoj që jeni vërtet nga derë e madhe, prej veshëve tuaj të vegjël, prej duarve të vogla të bardha dhe prej flokëve kaçurrela”.
Më 1809, në korrik, njëzetenjëvjeçari u nis për udhëtimin e tij të parë me shokun e tij të shkollës, Cam Hobhouse.
Së pari zbriti në Lisbonë. Portugalia qe aleate e Anglisë në Luftën Gadishullore. Napoleoni e kishte zaptuar Evropën, por Anglia zotëronte detin. Udhëtimet ishin të rrezikshme, prandaj Bajroni vizitoi vetëm ato vise që nuk rrezikonin nga armiku.
Prej Lisbonës udhëtoi nëpër Mesdhe prej Gjibraltarit në Maltë dhe që aty në Prevezë, në Shqipëri.
Nga Preveza, Bajroni dhe Cam Hobbouse shkuan në Janinë. Vizitorët e shquar nuk e gjetën Ali Pashën në kryeqytet, prandaj më 11 tetor e vazhduan udhëtimin 160 kilometra të tjera në veri. Më 17 u nisën në Libohovë dhe arritën në Qestorat e në Erind. Prej Erindit u nisën më 19 të tetorit në orën 15.30 dhe në orën 17.00 arrin në Tepelenë. Pas tri ditëve si mysafire të Ali Pashës, u kthyen po asaj udhe. Nga Janina u nisën për në Prevezë dhe së andejmi kaluan për në Greqi nën mbrojtjen e 35 shqiptarëve.
-Këtu nis dhe historia e rrëfimit për Vasil Gjk Pjetrin, një nga shoqëruesit më në zë të Lord Bajronit. Një intervistë e kahershme kur punoja si gazetar në Radio-Tirana, me një ushtarak të quajtur Vasil Gjik Pjetri, bëri rikthimin në datëlindjen e Lordit anglez.
Vasil Pjetri i riu, banonte te “Shallvaret” dhe sot nuk rron më. Ishte me profesion ushtarak, stërnip i Vasil Gjik Pjetrit, atij që shoqëroi Lord Bajronin në udhëtimin e tij të parë në Shqipëri në kohën e Ali Pashait. Vasil Gjik Pjetri i kohës së Aliut, ishte besniku i tij më i afërt.
Pjetri më tregoi për rrugëkalimin e lordit përmes Dhoksatit, motin e keq që prishi një urëkalim dhe angazhimin e popullatës vendase, kryesisht grave, për ta rindërtuar atë në kohë sa më të shpejtë. Ura u ndërtua me mjete rrethanore në një kohë rekord. Lordi me eskortën kaloi drejt Tepelenës ku u takua me Aliun.
Historia e vizitës së Lordit Bajron dhe shoqëruesve të tij dihet, por ajo e fshatrave Nokov-Dhoksat-Erind-Këllez ka nevojë për rikujtim:
Janë një zinxhir fshatrash në krahinën e Lunxhërisë, një trevë e pasur me vlera arkeologjike dhe etnografike me kostume të veçanta, që shtrihet përgjatë malit të Lunxhit përballë Gjirokastrës. Gjetjet e shumta arkeologjike në fshatrat Këllez, Dhoksat, Erind e sidomos në qytetin e lashtë Antigonea në jugperëndim të fshatit Saraqinishtë, dëshmojnë se Lunxhëria ka qenë një trevë e populluar që në agimin e historisë.
Lunxhëria bën pjesë në trevat e lashta shqiptare për të cilën konsulli frëng pranë Ali Pashës, François Pouqueville, thotë se “banohej nga shqiptarë të krishterë që përbënin një popullsi vendase të lashtë me prejardhje pellazgjike të vendosur aty para fiseve të vjetra helene”.
Lunxhiotët si dhe fqinjët e viseve përreth në një pjesë të mirë ishin të detyruar të mërgonin jashtë vendit që kohët më të hershme, pasi treva e Lunxhërisë është një zonë me toka të pamjaftueshme e nuk ishte në gjendje t’i sigurojë bukën banorëve të saj.
Këta njerëz të dalluar në fushën e ndërtimeve ujore, ishin gjithnjë në lëvizje për të gjetur punë në këtë fushë nëpër vise të ndryshme të Ballkanit, që ishin njëherësh vise të perandorisë osmane dhe sidomos në kryeqendrën e saj, Stamboll, ku ishin vendosur më tepër.
Sikurse edhe shokët e tyre vllahë, edhe këta, të dalluar në mjeshtrinë e gjetjes së burimeve ujore prej ku furnizonin me këtë lëndë vendet e varfra dhe kudo, ishin të mirëpritur sepse kishin fituar emër të mirë, duke siguruar edhe monopolin e kësaj zeje të vështirë.
Shkolla popullore e ndërtuesve lunxhiontë e specializuar në fushën e ndërtimeve ujore, merrej më shumë me ndërtimin e çezmave, të banjove publike, ujësjellësve mbi harkada, cisternave të ujit, puseve, kanaleve ujitëse të bujqësisë etj. Në Perandorinë Osmane, lunxhiotët gëzonin privilegjin e kësaj mjeshtërie që e mbanin me ferman (dekret) sulltanor të trashëguar brez pas brezi, qoftë në Stamboll ashtu edhe në qytetet e tjera kryesore të Perandorisë.
Duke folur për këta mjeshtër të talentuar, Pouqueville citonte se ata të fshatrave Dhoksat, Këllez dhe Nokovë ishin më të dalluarit e kësaj zeje në këtë trevë. Të organizuar në grupe të vogla shëtitëse, këta ushtronin mjeshtërinë qysh nga kohët e antikitetit të vonë. Njoftimet e para historike mbi këtë mjeshtri të lashtë të ushtruar nga lunxhiotët janë nga letërsia osmane e shekulli XVII.
Funksionari i lartë i Perandorisë Osmane Çelebiu, në veprën e tij madhore 10-vëllimëshe të titulluar “Udhëtime”, duke përshkruar një parakalim publik të organizuar në Stamboll rreth viteve ‘40 të shekullit XVII në mes grupeve pjesëmarrëse zejtare, përmend edhe shumë shqiptarë, ndër të cilët edhe ujësjellësit lunxhiotë, që parakalonin para sulltanit me kazma e lopata nëpër duar, që thërrisnin me zë të lartë: “Po e hapim këtu gropën, jo po e hapim atje”! Këta zejtarë, vazhdon ky studiues, që e zotërojnë këtë mjeshtëri, bëjnë gropa të thella 70-80 pashë ndër male dhe si e zbulojnë burimin e ujit e sjellin atë me anë të kanaleve nëpër qytete duke e lëvizur deri 4-5 ditë rrugë larg në këmbë. Çdo 100 hapa këta hapin nga një grykë si të pusit, prej ku me anë të velave prej pëlhure drejtuar kundër erës, fusin ajrin nën dhe ku punojnë shokët e tyre.
Këta e grumbullojnë ujin në një vend (rezervuar) prej ku me anë kanalesh duke e terezitur e çojnë atje ku duan. Këtë mjeshtri të çuditshme që vështirë e arrin mendja e njeriut e ushtron vetëm bashkësia e shqiptarëve, thuhet në dokumentet turke. Kjo është arsyeja që kjo zonë në rrethin e Gjirokastrës është kthyer në një atraksion turistik dhe pelegrinazhi për vizitorët kuriozë të historisë, arkitekturës dhe natyrës.
Por, të kthehemi tek rrëfimi me kuriozitete të Vasil Koço Pjetrit, njeriut që tregoi detaje për udhëtimin e Bajronit dhe të Dhoksatasve si mjeshtër të ndërtimit të urave dhe banesave.
Ishte vjeshtë, tetor, kur Lordi po udhëtonte drejt Tepelenës për te Aliu. Në Dhoksat kishte një përrua të rrëmbyer që në atë kohë kishte vërshuar dhe kishte prishur urën e vetme për të kaluar drejt Tepelenës. Lordi dhe shoqëruesit mbetën të izoluar pa ndihmë dhe mbështetje. Burrat e fshatrave përreth ishin të larguar me punë ndërtimesh jashtë fshatrave të tyre. Në fshat kishin mbetur vetëm gratë. Nata po afronte dhe udhëtimi bëhej i rrezikshëm për udhëtarët. Atëherë iu kërkua ndihmë grave të Dhoksatit për ndërtimin e një ure.
Ato, si dhe burrat e tyre ishin mjeshtër në ndërtim dhe u sajua një urë me mjete rrethanore ku Lordi me shoqëruesit e tij kaluan pa i zënë nata. Përroi që pengoi Bajronin quhet Grabovica dhe shpeshherë bëhet mjaft i rrëmbyeshëm edhe sot.
Lordi e takoi Ali Pashain dhe më vonë shkroi dhe këngën e dytë: “Shtegtimi Çajld Haroldit”, që e njohu Shqipërinë dhe shqiptarët në gjithë botën.
Pas vrasjes së Ali Pashë Tepelenës në 1822, trimat e tij dhe të afërmit u syrgjynosën apo u fshehën. Këtë fat pati dhe Vasil Gjik Pjetri, një nga trimat e çartur të tij.
Vasil Pjetri i “Shallvareve” tregoi edhe për vdekjen e Vasilit, paraardhës të tij. Një vdekje alla shqiptarçe. Midis Erindit dhe Nokovës, dy fshatra fqinj, gjendej një pyll. Erindiotët e prisnin dhe e dëmtonin atë aq shumë sa filloi fenomeni i erozioni. Vasili i ndaloi që të vazhdonin më tej dhe burrat u ndeshën për këtë në sheshin e Kishës së fshatit. Aty u vra dhe Vasili, shoqëruesi i Lord Bajronit. Historia vazhdon me ikje e shpërngulje deri në lagjen “Shallvare” të Tiranës.
Sot është data e lindjes së Lordit anglez që lidhet me burrat e vërtetë që e donin dhe e nderonin kombin e tyre. Sot ky zinxhir fshatrash të Lunxhërisë janë një perlë e bukurisë dhe e turizmit tonë, por të boshatisur deri diku nga jeta njerëzore.