Ulje historike e interesit të euros. “Euribori” negativ, pritet lehtësim i kredive
Aktualisht, bankat në Europë po kreditojnë njëra-tjetrën jo vetëm pa marrë interes, por madje po paguajnë për të “hequr qafe” paranë “cash”, që kanë në arkat e tyre. Për shkak të injektimit masiv të likuditetit nga Banka Qendrore Europiane, tregu është i tejmbushur me euro dhe kjo po i rrëzon me shpejtësi normat e interesit, në të gjithë spektrin financar.
Pak ditë më parë, Qeveria e Spanjës arriti të marrë borxh me interes negativ -0.029 për qind. Kjo, në një kohë kur, vetëm dy vjet më parë, Spanja ishte në prag të falimentit buxhetor dhe nuk kreditohej nga askush.
Rënia dramatike e çmimit të euros në treg bën presion për uljen e interesave të kredive, që qytetarët kanë marrë në këtë monedhë, jo vetëm në Bashkimin Europian, por edhe jashtë tij.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në dy vitet e fundit, interesi i kredisë në euro për të gjitha afatet e maturimit ka rënë, nga 7.03 në 6.34 për qind. Rënia e euriborit bën presion, që interesat e kredive të ulen edhe më tej, edhe pse më shumë se me interesat ngërçi i kredive në tregun vendas duket i lidhur me të tjerë faktorë.
Bankat me origjinë nga Eurozona duket se janë vënë në pritje, duke ruajtur, e madje edhe ulur, ekspozimin në tregun shqiptar, veçanërisht për investimet në euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, krahasuar me vitin e kaluar, kredia në monedhën europiane për bizneset u rrit me vetëm 1.9 për qind në vlerë nominale, ndërsa për individët u tkurr.
Nga ana tjetër, veç oreksit të paktë të bankave për të dhënë kredi në euro, edhe kërkesa e ndërmarrjeve dhe individëve mbetet e dobët. Kjo bën, që kredia të mbetet në ngërç dhe ekonomia të përfitojë pak nga paraja e lirë.