Universiteti i Shkodrës dhe Biblioteka Kombëtare, marrëveshje bashkëpunimi për studimet albanologjike
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë formalizuan një marrëveshje bashkëpunimi, me fokus në studimet albanologjike, kërkimin shkencor dhe ruajtjen e trashëgimisë së shkruar shqiptare.
Marrëveshja u nënshkrua nga rektorja e Universitetit të Shkodrës, Blerta Dragusha, dhe drejtorja e Bibliotekës Kombëtare, Majlinda Toçi.
Në kuadër të marrëveshjes parashikohet zhvillimi i kërkimeve dhe projekteve të përbashkëta në fusha si gjuhësia, bibliografia, arkivistika dhe trashëgimia dokumentare. Bashkëpunimi do të shtrihet gjithashtu në projekte akademike, botuese dhe digjitale me interes të përbashkët për të dy institucionet.
Një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes lidhet me përfshirjen e studentëve, doktorantëve, pedagogëve dhe studiuesve në veprimtari të përbashkëta. Kjo synon të krijojë mundësi të reja për kërkimin shkencor dhe studimin e koleksioneve albano-ballkanologjike të Bibliotekës Kombëtare.
Marrëveshja synon të forcojë bashkëpunimin institucional dhe akademik mes Universitetit të Shkodrës dhe Bibliotekës Kombëtare, duke krijuar një bazë të përbashkët për zhvillimin e kërkimit dhe studimeve albanologjike në Shkodër dhe më gjerë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.