Uragani Patricia prek Meksikën, dëmet më të vogla se parashikimi
Uragani Patricia, i konsideruar më i fuqishmi në histori ka goditur brigjet meksikane. Presidenti i këtij vendit paralajmëron se vendi është ende i kërcënuar nga përmbytjet, pasi i gjithë vendi është përfshirë nga shirat.
Enrique Pena Nieto thotë se Patricia, stuhia më e fuqishme e regjistruar në Amerikë ka shkaktuar më pak dëme se sa ishte menduar. Qendra amerikane e Uraganëve thotë se uragani ishte i kategorisë pesë, klasifikimi më i lartë.
Stuhia preku Meksikën Perëndimore, me erëra të fuqishme dhe shira të fortë, por fatmirësisht dëmet e mëdha u shmangën. Qendra Amerikane e Uraganëve bën të ditur se erërat ranë në 155 km/h kur arritën në tokë, dhe stuhia u dobësua. Tashmë Patricia po lëviz në veri-verilindje të Meksikës.
Qendra thotë se teksa uragani po lëviz në brendësi të tokës të rrezikuara janë Nayarit, Jalisco, Colima, Michoacan, dhe Guerrero.
“Raportimi i parë konfirmon se dëmet kanë qënë më të vogla se sa i korrespondojnë një uragani me një përmasë të tillë”, ka thënë Pena Neto në një fjalim televiziv. Në Colima thonë autoritetet federale janë regjistruar vetëm rrëshqitje të tokës dhe rënie të pemëve.
Por megjithatë, qeveria ka paralajmëruar mbi hirin e vullkanit të Colimës, i cili ka qënë mjaft aktiv këtë vit, dhe mund të kombionhet me shirat e denduar për të bërë një tymnajë të madhe. Sipas Fondit të Emergjencës Kombëtare të Meksikës, 400 mijë persona jetojnë në zona të rrezikuara.