Ushtria egjiptiane gjen pjesët e avionit
Ushtria egjiptiane konfirmoi gjetjen e mbetjeve të avionit të zhdukur një ditë më parë në Mesdhe, thotë BBC, ndërsa objektet e diktuara të enjten pranë ishullit të Karpatosit nuk i përkisnin airbusit të rrëzuar me 66 pasagjerë e anëtarë ekuipazhi në bord. Ato çfarë janë diktuar tani duket të jenë copa të avionit dhe sende personale, ndërsa ekipet e kërkimit po fokusohen tek gjetja e kutisë së zezë të mjetit.
Në operacion marrin pjesë njësi ushtarake greke, egjiptiane, franceze dhe britanike.
Fluturimi MS804 i nisur nga Parisi drejt Kajros u zhduk nga radarët pak pasi kishte hyrë në hapësirën ajrore egjiptiane. Sipas zyrtarëve në Athinë, të dhënat e radarëve tregojnë se Airbusi A320 ka bërë dy kthesa të befta në ajër, duke u rrotulluar një herë 90 gradë në të majtë, pastaj 360 gradë në të djathtë e në fund ka rënë pikiatë në det nga më shumë se 7.620 metra lartësi.
Shumica e personave në bord ishin egjiptianë dhe francezë. Mediat britanike ndërkohë, duke cituar disa zyrtarë të lartë amerikanë, pretendojnë se nuk ka të dhëna që të dëshmojnë për një shpërthim në bordin e mjetit. Në Komisionin e Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara pranohet se avioni mund të jetë copëtuar që në ajër, por arsyeja mbetet e paqartë.
Sipas ministrit egjiptian të Aviacioni Civil, gjasat që ky të ketë qenë një akt terrorist janë më të mëdha se ato të një difekti teknik. Më shumë se 24 orë nga ngjarja asnjë grup nuk ka bërë përpara e të marrë përsipër përgjegjësinë, duke treguar kështu se ishte vërtet një sulm ekstremist.