Vajzat kineze, në garë cila e ka belin të hollë sa një letër A4
Të shumta janë fotografitë, ku femrat shfaqen në mënyrë triumfuese, me një fletë në duar, të pozicionuar vertikalisht. Krenaria e tyre qëndron në faktin se beli nuk duket në secilën anë të fletës. Në Kinë, femrat të cilat kanë bel të hollë, vlerësohen jashtëzakonisht
E gjithë Kina është pushtuar nga një tendencë e çmendur, ku vajzat pozojnë me një fletë A4 për të treguar se ato janë po aq të holla sa edhe kjo fletë. Ndërsa në shtetin e madh aziatik, kjo mënyrë për të treguar elegancën e një femre i ka bërë të gjithë për vete dhe është tema kryesore në rrjetet sociale, për njerëzit e tjerë anembanë botës është thjesht një mënyrë qesharake e vendosjes së standardit të të qenët në formë. Nisur nga kjo, nuk kanë munguar talljet dhe vëniet në lojë, pas kësaj tendence.
Hashtagu #A4Waist (A4 bel) është parë më shumë se 110 milionë herë dhe në lidhje me të janë bërë 110 mijë komente në rrjetin social Weibo, ekuivalenti në Kinë për Twitter-in.
Të shumta janë fotografitë, ku femrat shfaqen në mënyrë triumfuese, me një fletë në duar, të pozicionuar vertikalisht. Krenaria e tyre qëndron në faktin se beli nuk duket në secilën anë të fletës.
Në Kinë, femrat të cilat kanë bel të hollë vlerësohen jashtëzakonisht dhe konsiderohen të bukura nga meshkujt, të cilët e dëshirojnë shumë shoqërinë e tyre.
Aq shumë kjo formë e të treguarit të elegancës i ka bërë për vete vajzat kineze, sa kësaj tendence i janë bashkuar edhe institucionet qeveritare. Madje, policia e vendit përdori këtë fushatë jo vetëm për të treguar se punonjëset e forcave të sigurisë janë në një gjendje fizike të jashtëzakonshme, por edhe për t’u treguar njerëzve se si të parandalojnë vjedhjet e identitetit, apo të kenë kujdes kur janë në timon, si dhe masat ndëshkuese që i presin kur e teprojnë me alkoolin.
Punonjëset e policisë, me uniformë veshur dhe me letër në dorë, përveç belit të hollë, shfaqin edhe këshillat për publikun të shkruara në A4.
Gazeta e Popullit këtë çmenduri e quajti si një “sfidë fituesi” në llogarinë e saj në Twitter.
Megjithatë, në pjesën tjetër të botës, kjo tendencë origjinale kineze, ka sjellë shumë kritika.
Të shumtë ishin ata njerëz në rrjete sociale Instagram dhe Twitter që pozonin pas copave të shumta të letrave të ngjitura bashkë, apo që mbanin letra A4, në të cilat ishin shkruar mesazhe pozitive. Një tjetër femër, ironizoi duke mbajtur në duar një diplomë, ku shtronte pyetjen: “A më bën kjo diplomë që të dukem më e shëndoshë?”
Për një baba që ka katër fëmijë, dy prej të cilëve vajza, një nismë e tillë është injorancë, që duhet ndalur menjëherë.
Kurse të tjerë, fletën A4 e kthyen për së gjeri, ndërsa mesazhet e tyre përmbanin një ton të qetë, duke qenë se edhe ato femra ia kishin dalë që të shfaqeshin elegante si konkurrentet e tjera.
Grupet kundërshtuese të kësaj nisme mbajnë qëndrimin që një femër nuk duhet që të vendosë të tilla standarde kaq të çuditshme për ta quajtur trupin e bukur. Kjo sepse secila prej tyre është unike dhe duhet ta dojë veten ashtu siç është.
Xiao Meili, një aktiviste për të drejtat e gruas, që njëherë eci për gati 2 mijë kilometra nga Pekini deri në Guangzhou për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve rreth dhunës seksuale ndaj grave, e konsideroi këtë nismë totalisht të shëmtuar.
Të tilla konkurse u bënë popullore për shkak të mungesës së dijes rreth çështjeve gjinore në Kinë dhe për shkak se standardet e bukurisë janë shumë, shumë të pandryshueshme përgjatë kohës, tha ajo për “The Guardian”.
Për aktivisten, një tendencë e tillë e largon gruan kineze nga misioni i vërtetë që ajo ka: emancipimi dhe sigurimi i të drejtave të saj. “Çdokush këtu është shumë supersticioz. Ai flet se në çfarë këndi duhet që të jenë mollëzat, sa e ngritur duhet që të jetë hunda, sa centimetra largësi duhet që të ketë mes syve të njerëzve. Kinezët mendojnë se bukuria mund të matet. Femra nuk mund të kthehet në një objekt që vlerësohet nga pamja e jashtme. Ajo duhet që të prodhojë vlera, të jetë shembull”, deklaroi Xiao. “Më shqetëson fakti që numri i pjesëmarrësve në këtë lloj gare është shumë i madh. Fermat duhet që të gjejnë rrugën e tyre”, tha ajo.
Një tendencë e fëmijëve të familjeve të pasura kineze, është që të kujdesen shumë për veten. Ato shpenzojnë për produkte të shtrenjta dhe janë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Kjo mënyrë e të bërit publicitet ka shtyrë edhe femrat e tjera në Kinë që të përpiqen të bëjnë për vete sa më shumë adhurues. Një trend tjetër për t’u quajtur e bukur në shtetin e madh kinez, janë edhe operacionet plastike. Mjaft vajza kryejnë ndërhyrje në hundë, apo sy për t’i zmadhuar ato, pasi sytë e mëdhenj janë mjaft të pëlqyer në të gjithë Azinë.