Kronika

Varrezat murale në Sharrë, Veliaj: Kemi përfunduar 438 vendet e para

Tirana është qyteti i parë në Shqipëri që do të zbatojë projektin pilot të varrezave murale, dhe aktualisht kanë përfunduar 438 vendet e para. Fillimisht, projekti i varrezave murale do të pilotohet me zhvendosjen e varreve të ushtarëve të para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të vijuar me varrezat mbi 40-vjeçare.

Punimet në varrezat e Sharrës janë inspektuar nga kreu i bashkisë Erion Veliaj. “Kemi mbi 600 kërkesa për t’u transferuar në varrezat murale. Po fillojmë me 438 vendet e para, mandej do të vazhdojmë me shtrirjen e projektit. Sipas ligjit, minimumi është 15 vjet, megjithatë duke qenë se kemi varre të braktisura prej 40-50 vitesh, apo si në rastin e ushtarëve italianë mbi 70 vjet, është shumë e rëndësishme që t’i përdorim si një shembull se si në mënyrë estetike, në një vend paqësor, por shumë më kompakt për çështje të hapësirës publike, mund ta trajtojmë me shumë dinjitet e transparencë këtë proces. Shumë qytetarë do ta kuptojnë se kjo është një mënyrë moderne për t’i trajtuar me dinjitet edhe ata që s’jetojnë më, por sigurisht edhe ruajmë tokën që e kemi të nevojshme në të ardhmen”, tha kryebashkiaku.

Objekti është ndërtuar në forme “U”-je dhe siguron jo vetëm një shfrytëzim më të mirë të hapësirave, por edhe krijimin e mjediseve më të mira për vizitorët.

“Së pari, kemi shpronësuar mjaftueshëm për të pasur rezerva për varreza në të ardhmen. Së dyti, po fillojmë një proces transformimi të të gjithë hapësirës, siç kemi bërë në Tufinë, ku kemi sistemuar të gjitha rrugët e brendshme, e kemi gjelbëruar, kemi shtuar ndriçimin, e kemi asfaltuar dhe rregulluar kanalizimet. Detyra e bashkisë nuk është të administrojë vetëm jetët e atyre që jetojnë në Tiranën urbane dhe që janë gjallë, por sigurisht si një institucion që e shoqëron njeriun nga çeku i bebes e deri në varreza, është në dinjitetin e këtij institucioni që të kujdeset edhe për ata që nuk jetojnë më”, tha Veliaj.

Gjithashtu, Bashkia e Tiranës ka nisur punën edhe për lidhjen e varrezave të Sharrës me rrugët ekzistuese në Kombinat. Rrugët e parashikuara për t’iu nënshtruar rikonstruksionit do të mundësojnë aksesin për në “Sharrë”, e cila është një ndër varrezat kryesore të qytetit të Tiranës. Ndërhyrja parashikon ndërtimin e rrugëve të brendshme të varrezave dhe ndërtimin e një parkingu. Të gjitha segmentet do të pajisen me ndriçim rrugor dhe me rrjet kanalizimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button