Vasili: Reforma në drejtësi duhet të përmbyllet, qëndrimi i LSI i qartë
Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur sot grupin parlamentar për të diskutuar për reformën në drejtësi ku asistuan ambasadori i SHBA-së në Donald Lu dhe ambasadorja e Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin.
Pas përfundimit të mbledhjes të grupit të LSI, Kryetari i Grupit Parlamentar , Petrit Vasili dha një prononcim për mediat ku tha se “Qëndrimi i grupit parlamentar të LSI-së për reformën në drejtësi është shumë i qartë dhe pa asnjë ekuivok. Tani, kemi një draft që është hartuar nga Komisioni i Venecias dhe mbështetur nga EURALIOS dhe OPDAT, pra jemi në rrugën e duhur, kemi asistencën e duhur dhe profesionale dhe paanshmërinë nga ana politike. Kemi te gjithë përbërësit politikë e juridikë për të ecur përpara në këtë reformë të shumëpritur. Sigurisht sot ishte një mundësi për një komunikim të drejtëpërdrejtë me të dy ambasadorët e dy aleatëve tanë strategjikë dhe të pa zëvëndësueshëm të cilët janë SHBA dhe BE dhe e vlerësoj pozitivisht këtë komunikim. Ambasadorët kanë komunikuar me krerët e partive, por është më së miri ky komunikim i drejtpërdrejtë me të gjithë deputetët që do jenë votues të kësaj reforme, për të përcjellë mesazhet e drejtpërdrejta, ndjeshmëritë politike, momentin shumë të veçantë që lidhet me Integrimin Evropian. Më kryesorja është për atë që kanë pritur shqiptarët, për një reformë të munguar dhe të kalcifikuar për 25 vjet”.
“Mendoj se nga sot jemi shumë të qartë, partnerët tanë po edhe ne, që reforma duhet të përmbyllet. Nuk besoj se ka elemete të saj të pakapërcyeshëm dhe asistenca e përhershme, tashmë sistematike e dy misioneve që përfaqësojnë dy partnerët tanë strategjike, EURALIOS dhe OPDAT, është një ndimë e jashtëzakonshme e drejpërdrejtë, konkrete dhe monitoruese e vazhdueshme për të kaluar dhe ato ngërce dhe mosbesime politike të cilat kanë qenë karakteristike për politikën shqiptare. Së bashku me partenerët tanë, besoj se këtë moment të rendësishëm, por dhe të vështirë, kemi mundësit ta kalojmë në sezonin parlamentar që po mbyllet dhe mbase do të jetë një nga gjërat më të rëndësishme të parlamentarizmit”, tha Vasili.