Maqedonia

Vazhdon mjerimi dhe varfëria në rajonet shqiptare në Maqedoni

Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE) vlerëson se Qeveria e Maqedonisë, ka vazhduar ta thellojë borxhin, duke marrë hua nga organizatat ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore.

Këto mjete thuhet se do të dedikohen për zbrazëtirat buxhetore, por në plan të parë duket qartë prioriteti për të përmbyllur projektet “Shkupi 2014”.

“Qëllimi i kësaj qeverie është që të arrijë të rrumbullakojë projektin shumë milionësh para zgjedhjeve parlamentare, edhe pse prioritet duhet të jetë jeta e qytetarëve dhe përmirësimi i kushteve të tyre jetësore. Në këtë plan shqetësuese është mungesa totale e investimeve kapitale infrastrukturore në komunat shqiptare. Qeveria ka mungesë të strategjisë për të revitalizuar zonat e varfra, të cilat kryesisht janë me popullsi shqiptare, ku shkalla e dendshmërisë është tejet e lartë”, thekson OBRIE.

Sipas kësaj organizate, edhe partitë shqiptare si pjesë e bashkëqeverisjeve deri tani nuk kanë pasur dhe nuk kanë plan strategjie për zhvillimin e këtyre zonave.

“Partitë shqiptare nuk kanë qenë të afta të sjellin investime në zonat e varfra shqiptare, për krijimin e kushteve për vende të reja të punës, ndihmën dhe legalizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, tërheqjen e investimeve të reja, përmirësimin e transportit në zonat e largëta, hapjen e pikave të reja kufitare në pjesën veriperëndimore me Kosovën dhe Shqipërinë”, thekson OBRIE, duke shtuar se kjo gjendje tregon për një solidaritet totalisht të munguar për të integruar dhe mbështetur një zhvillim të qëndrueshëm në provincat e humbura shqiptare, transmeton njoftimin agjencia e lajmeve INA.

Sipas OBRIE, në kohën kur BE po shpenzon miliarda euro fonde për zhvillim, rritjen e konkurrencës, punësimit, mjedisin, etj, Qeveria e Maqedonisë po shpenzon miliona euro në ngritjen e përmendoreve kontroverse historike, të cilat nuk gjenerojnë të ardhura, por thellojnë hendekun në planin ndëretnik dhe ndërfetar.

Në Maqedoni akoma heshtet çështja e Konferencës Donatore Ndërkombëtare pas konfliktit të vitit 2001 për revitalizimin e zonave që u përfshin në këtë konflikt.

Më 12 mars të vitit 2002 në Konferencën Ndërkombëtare Donatore në Bruksel, Maqedonia përfitoi mbi 500 milion euro për përmirësimin e gjendjes pas konfliktit të armatosur të vitit 2001. Nga këto fonde të përfituara, 307 milion euro ishin mjete financiare që menjëherë shkuan në llogarinë e shtetit, prej të cilave 185 milion ishin paraparë për mbështetjen e bilancit pagesor në buxhet, që do të thotë para për rroga, pagesa dhe mbulim të zbrazëtive të buxhetit, 85 milion euro për rikonstruimin e objekteve të rrënuara nga lufta dhe 49 milion për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Pas kalimit të 14 viteve nga kjo konferencë, Qeveritë dhe institucionet në Maqedoni, por edhe zyrat e europerëndimore nuk kërkuan asnjëherë llogari apo revizion të plotë lidhur me harxhimin e këtyre”, reagon organizata joqeveritare OBRIE.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button